Statuti i PD/ Gjykata e Apelit rrëzon dyshen Basha-Alibeaj, kërkuan përjashtimin e gjyqtares

Statuti i PD/ Gjykata e Apelit rrëzon dyshen Basha-Alibeaj, kërkuan përjashtimin e gjyqtares

16:06, 12/01/2023
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e deputetëve Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, pas të cilëve qëndron Lulzim Basha. 

Këta të fundit patën kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irida Kacerja e cila do të shqyrtojë çështjen e statutit të PD.  

Avokati i Bardhit dhe Alibeajt pretendoi se kjo gjyqtare mund të paragjykojë çështjen pasi seancën e kaluar, kërkoi që përfaqësimi ligjor të jetë i rregulluar sipas statutit të vetë kësaj partie. Bardhi dhe Alibeaj kanë bërë ankim kundër vendimit të Gjykatës së Tiranës, që refuzoi të regjistronte bashkë edhe ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut të kaluar, edhe ato të 18 dhjetorit, të dy kuvende të thirrura nga Lulzim Basha, i shkarkuar nga kryetar i PD. 

Ndërsa PD kërkon mos regjistrimin e Statutit të 18 dhjetorit bashkë me ndryshimet në Kuvendin e 17 korrikut dhe lënien në fuqi të vendimeve të 11 dhjetorit 2021.

Sipas vendimit të marrë sot, gjyqtarja Irida Kacerja do të jetë pjesë e trupës që do të shqyrtojë ankimin për statutin e Partisë Demokratike. 

"Në datë 13.12.2021, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë u depozitua kërkesa e PDSH-së, për pasqyrimin në të dhënat e regjistruara për këtë subjekt, të ndryshimeve në Statutin e partisë, si dhe të organeve të reja, të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.07.2021. Në datë 28.12.2021, pranë gjyqtares së caktuar për shqyrtimin e çështjes, u depozitua një kërkesë, me të cilën i’u kërkua gjykatës që të shtohej objekti, duke u pasqyruar në regjistrin e partive politike, edhe vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të datës 18.12.2021.

Në datë 22.12.2022, kur duhej të zhvillohej seanca gjyqësore e caktuar së fundmi, u depozitua në Gjykatën e Apelit kërkesa e ankuesit për përjashtimin e gjyqtares relatore Irida Kacerja. Duke i’u referuar vendimit të ndërmjetëm të seancës së mëparshme, me të cilin gjykata kërkoi nga përfaqësuesi i ankuesit, që të paraqitej me një autorizim të lëshuar në përputhje me rregullat e Statutit, ankuesi pretendon se gjyqtarja relatore, njëkohësisht edhe kryesuese e seancës gjyqësore, që komunikoi vendimin e mësipërm, kishte paragjykuar çështjen dhe se për këtë shkak duhej të përjashtohej nga gjykimi i saj.

Sipas përmbajtjes së procesverbalit të seancës gjyqësore të datës 20.12.2022, gjykata e apelit ndërsa pranoi kërkesën e përfaqësuesit të PDSH-së për t’i dhënë kohë të njihej me aktet, si një përfaqësues i caktuar rishtas, i kërkoi atij që të bënte rregullimet e duhura në autorizimin e lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PDSH-së, në përputhje me nenin 56 të Statutit të partisë. Pas paraqitjes së kërkesës, në seancë gjyqësore, gjyqtarja Irida Kacerja deklaroi se nuk kishte asnjë shkak, për të cilin duhej të jepte dorëheqjen nga gjykimi dhe se kërkesa lidhur me autorizimin bazohej në një vendim të trupës gjyqësore dhe jo vetëm të saj, në cilësinë e relatores dhe drejtueses së seancës", thuhet në vendimin e Gjykatës. 

Në përfundim të këtij procesi, Gjykata e Apelit ka vendosur rrëzimin e kërkesës së bërë nga Gazment Bardhi. 

Gjithashtu, po kjo gjykatë me kryesuese të trupës Edlira Petri ka gjobitur ankimuesit në shumën e 10 mijë lekëve të reja për shkak të fyerjeve dhe paragjykimit të procesit nga Bardhi dhe Alibeaj. 

Vendimi është i formës së prerë. 

Kujtojmë që gjykata e shkallës së parë me vendim të gjyqtarit Agron Zhukri, regjistroi vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit që organizoi rithemelimi i PD.

Nga shtatori 2022 deri në dhjetor 2022, gjykata ka shtyrë 5 herë vendimin për çështjen e Partisë Demokratike. Seanca e gjashtë pritet të zhvillohet në 17 janar 2023. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco