Lajmi i fundit

ODEON/ Muza e Operas, Eva Golemi rrëfen momentin e sikletshëm: Në arien e dytë djali kërkonte bukë

Osmani: Joe Biden në shtator më tha se Kosovën asnjëherë nuk do ta lëmë vetëm

Osmani: Joe Biden në shtator më tha se Kosovën asnjëherë nuk do ta lëmë vetëm

12:12, 15/12/2022
A+ Aa A-

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit ka folur ndër të tjera edhe për raportet veçanta të Kosovës me SHBA-të dhe ka potencuar se sekretari amerikan, Antoni Blinken jo vetëm në adresimin e tij në Forumin për Gratë, paqen dhe Sigurinë që u mbajt në tetor, por edhe në takimin e realizuar në Washington D.C., ka rikonfirmuar partneritetin e palëkundur me Kosovën.

“Në bisedat  që kisha me Presidentin Biden gjatë muajit shtator, ai përsëriti përkrahjen e madhe për vendin dhe popullin tonë, e cila më së miri përshkruhet në fjalët e tij: Asnjëherë nuk do t’ju lëmë vetëm!  Kjo garancë amerikane, e përsëritur edhe këto ditë, dëshmon se Kosova nuk ka partner më të rëndësishëm sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prandaj këtë aleancë duhet ta trajtojmë si të shenjtë e ta ruajmë e ta kultivojmë përjetësisht”, është shprehur Presidentja Osmani.

Osmani: Aplikimi në KiE dhe BE, ngjarje kulminante të këtij viti

Osmani, duke folur për aktivitetin e saj në fushën e politikës së jashtme ka theksuar se gjatë vitit 2022 është investuar shumë në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtetet anekënd botës.

“Këtë vit kemi ndërmarrë hapa konkret drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi në këtë institucion është moment kulminant i angazhimit të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Dje, ndërkaq nënshkruam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i cili sot i dorëzohet Presidencës Çeke, të cilën dua ta shfrytëzoj rastin ta falënderoj për përkrahjen e jashtëzakonshme për këta 6 muaj. Anëtarësimi në BE është objektiv i yni strategjik, prandaj aplikimi na sjellë një hap më afër realizimit të këtij synimi historik. Në këtë frymë, ne kemi filluar po ashtu diskutimet politike me aleatët tanë për përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, gjatë këtij viti me punën e saj është kujdesur që t’i ruajë e thellojë miqësitë ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, shtetet e BE-së.

“Vetëm gjatë këtij viti kam takuar 44 krerë të shteteve nga të gjitha kontinentet, 46 kryeministra, e shumë liderë të tjerë të dikastereve të ndryshme, përfshirë këtu edhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare. Gjatë këtij viti janë realizuar 19 vizita bilaterale (si mysafir apo nikoqir), si dhe Kosova është përfaqësuar në forume e takime të shumta rajonale e ndërkombëtare”, është shprehur Presidentja Osmani. 

Ajo ka potencuar se në çdo takim e vizitë në fokus ishte fuqizimi i bashkëpunimit në dobi të zhvillimit të vazhdueshëm të vendit tonë.

 “Këtë vit, Kosova u ftua të jetë palë e barabartë në krijimin e Komunitetit Politik Evropian, që është nismë e Presidentit Macron e që bashkon 44 shtete të kontinentit tonë. Në Samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian adresova sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe kërkova përkrahjen e partnerëve tanë në adresimin e këtyre sfidave”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani.

Ajo ka përmendur në këtë funksion edhe mbajtjen e edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në të cilin mbi 500 pjesëmarrës, nga pesë kontinente të ndryshme, si dhe mbi 130 panelistë të ndryshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco