Qeveria Rama favorizon ‘investitorët strategjikë’ edhe për zonat pa taksa

Qeveria Rama favorizon ‘investitorët strategjikë’ edhe për zonat pa taksa

16:00, 13/12/2022
A+ Aa A-

Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në procedurat dhe kriteret e përzgjedhjes së zhvilluesve për zonat e lira ekonomike, duke u dhënë përparësi ‘investitorëve strategjikë’ që të përfshihen pa garë.

Nga Blerina Gjoka-BIRN

Qeveria vendosi t’i japë përparësi bizneseve që kanë marrë statusin ‘investitor strategjik’ për kontratat në ‘zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik’, që janë zona të lira ekonomike, pa taksa.

Sipas ndryshimeve të bëra me një VKM në mbledhjen e fundit të qeverisë futet procedura jokonkurruese, nga e cila do të përfitojnë vetëm disa kompani që më parë kanë përfituar statusin e ‘investitorit strategjik’ nga Komitetit i Investimeve Strategjike, KIS, që drejtohet nga vetë Edi Rama.

Ndryshimi prek një VKM të vitit 2015 ‘Për përcaktimin e procedurave e të kritereve të përzgjedhjes së zhvilluesit në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik’, ku shtohet një pikë e veçantë që parashikon ‘procedurë jokonkurruese për përcaktimin e zhvilluesit në rastet e investitorëve me status ‘Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/veçantë’, duke u bazuar në përcaktimet për sektorët e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në ligjin për ‘Për investimet strategjike’.

Përcaktimi i zhvilluesit, sipas VKM-së, do të bëhet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin të KIS dhe pasi është marrë akti i pronësisë nga Kadastra.

Në rastet kur në zonën e shpallur si zonë e lirë ekonomike ka ndërtime pa leje, ato nuk legalizohen, thotë VKM e re,  ‘por trajtohen nga shteti nëpërmjet shpërblimit finaciar, programeve financiare të strehimit ose formave të tjera alternative të trajtimit.’

Po ashtu, VKM-ja e re përcakton ministrin e Financave dhe Ekonomisë si autoritet për pezullimin e procedurës konkurruese.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, njëherazi drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, këto ndryshime janë shqetësuese, pasi ‘dëmtojnë konkurrencën në përzgjedhjen e zhvilluesit, duke futur procedurën jo-konkurruese në përcaktimin e tij dhe vendos në një pozitë të privilegjuar klientët e qeverisë’.

Ndërsa ndryshimet në përcaktimin e zonës së lirë ekonomike, sipas tij, shtojnë ngarkesën e institucioneve shtetërore për t’u shërbyer ‘investitorëve strategjike’ dhe mundëson shpronësimin nga qeveria të tokës private që vihet në dispozicion të tyre.

‘Kjo krijon mundësitë që të përcaktojë qeveria vendndodhjen e ‘zonës së teknologjisë dhe të zhvillimit ekonomik’ dhe mbi këtë bazë të pezullojë procesin e legalizimit dhe ndërtimet në këtë zonë,’ thotë Preçi, duke shtuar se VKM-ja merr përparësi mbi ligjet e tjera që rregullojnë pronësinë private mbi pronat e patundshme.

Shqetësues për Preçin është edhe neni që përcakton mënyrat e anulimit të një procedure konkurruese.

‘Rrit pushtetin discrecional të ministrit/qeverisë për anulimin e procedurave konkurruese, duke shmangur gjykatat, si dhe duke rritur mundësitë për presion korruptiv mbi investitorët që kanë fituar mbi baza konkurruese,’ shtoi ai.

Krijimi dhe funksionimi i zonave të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik është parashikuar në një ligj të vitit 2007 për nxitjen e investimeve në fushën e teknologjisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke u dhënë statusin ‘zona të lira’,  pa detyrime doganore dhe tatime për shoqëritë që do të operonin brenda këtyre zonave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco