Berisha: Protesta e 6 dhjetorit e jashtëzakonshme, opozita doli fitimtare!

17:38, 12/12/2022
A+ Aa A-

"Opozita me protestën e datës 6 dhjetor shënoi një fitore të jashtëzakonshme të pakrahasueshme me asnjë protestë tjetër". 

Kështu u shpreh kryedemokrati Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar. 

Lideri i opozitës tha se në 6 dhjetor demokratët përcollën zërin e fuqishëm në Bulevard, ndërsa mediat ndërkombëtare kishin lajm kryesor pikërisht protestën kundër korrupsionit të Edi Ramës.  

"Opozita me protestën e datës 6 dhjetor shënoi një fitore të jashtëzakonshme të pakrahasueshme me asnjë protestë tjetër. Dhe ajo nuk lidhet me atentatin ndaj meje, incidentin apo çfarë doni ta quajmë, por lidhet me zërin e fuqishëm në bulevard, ku e gjithë bota e kishte lajm kryesor se në Tiranë vërtetë u mblodh samiti, por opozita ishte e tëra në këmbë për korrupsionin e Edi Ramës, lidhet e tij me krimin.  

Kështu që ata që dolën në protestë, që edhe sakrifikuan shumë se rrugët ishin të zëna. Ata që kanë ardhur nga Elbasani duhet ta linin makinën në TEG dhe të vinin në këmbë. Të tjerët kanë mbetur në rrugë se nuk kanë ardhur dot. 

Kanë një meritë të jashtëzakonshme dhe e nxorrën opozitën fitimtare atë ditë, e nxorrën opozitën më të motivuar se kurrë në betejat që kemi përpara. Beteja të cilat kanë dy objektiva më të rëndësishme. Rikthimin e të drejtës së votës së lirë të shqiptarëve dhe shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim, sundim. Të vështira, por absolutisht të realizueshme. Ndaj dhe njëherë u çoj një përshëndetje të përzemërt të gjithë opozitarëve, të gjithë aleatëve tanë, forcave politike dhe i ftoj të qëndrojmë në këmbë për beteja të fuqishme që vendi nuk i ka parë ndonjëherë më parë. Atyre të cilët përpiqen t'i japin betejave tona, përpjekjeve tona karakter frikësues, atyre u them se jeni skllevër të një regjimi që ju ka zhveshur nga çdo gjë. 

Kjo betejë nuk ka asnjë qëllim tjetër veç të bëjë shqiptarët të lirë, tu kthejë atyre të drejtën për të votuar të lirë. Të zhdukë tregun e turpshëm të blerjes së votave. Të zhdukë rrjetën mafioze të merimangës së patronazhistëve. Të kthejë shtetin ligjor dhe jo në një makineri elektorale lubi që shtyp votën e qytetarëve të vet. Kur themi se nuk ka stabilitet pa votë të lirë nuk kërcënojmë njeri ne, kërcënojmë që dhunojnë votën e lirë, por për ata janë problemi më i vogël i yni", u shpreh Berisha. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco