Vuçiç shton tensionet: Më 15 dhjetor dorëzojmë kërkesën për vendosjen e ushtarëve serbë në Kosovë

Vuçiç shton tensionet: Më 15 dhjetor dorëzojmë kërkesën për vendosjen e ushtarëve serbë në Kosovë

16:20, 12/12/2022
A+ Aa A-

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nuk është tërhequr nga deklaratat e tij për të dërguar ushtarë serbë në Kosovë, edhe pse ndërkombëtarët e paralajmëruan se kjo gjë është e papranueshme, duke tensionuar kështu edhe më tej situatën në veri të Kosovës dhe marrëdhëniet e brishta mes dy vendeve.

Ai ka deklaruar se më 15 dhjetor do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.

Mediat serbe kanë zbardhur një pjesë të letrës që qeveria serbe do t’i dërgojë KFOR-it për të lejuar ushtarët e saj të vendosen në Kosovës, sipas shkresës së rezolutës aktuale 1244.

Në kërkesë janë të detajuara arsyet pse sipas Serbisë, është e nevojshme ardhja e forcave të sigurisë serbe, ndërsa bashkë me dokumentin komandantit të misionit ndërkombëtar ushtarak Angjel Rustuçi i janë dërguar edhe gjashtë bashkëngjitje të detajuara me të dhëna për ‘cenueshmërinë’ e serbëve në veri.

Tensionet në veri të Kosovës dhe barrikadat në rrugë që bllokojnë dy pika kalimi kufitar në Serbi vijojnë të jenë prezente, ndërsa shkollat në zonë janë mbyllur.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke iu ofruar siguri dhe rend të gjithëve pa dallim.

Barrikadat në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak u ngritën më 10 dhjetor nga grupe kriminale serbe, si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.

Ai dyshohet se organizoi sulm terrorist në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Ndërkohë që ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.

Thirrje për largimin e barrikadave kanë bërë edhe ambasada e SHBA-së në Prishtinë dhe ajo në Beograd, duke thënë se arrestimi i Pantiqit po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve.

Grupet kriminale serbe të maskuar kanë sulmuar Policinë e Kosovës, gazetarët dhe misionin e BE-së, EULEX, ku për pasojë, një polic i Kosovës është lënduar, për çka ka marrë edhe trajtim mjekësor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco