Berisha: Do propozojmë votimin e detyruar, PD nuk e dorëzon flamurin

Berisha: Do propozojmë votimin e detyruar, PD nuk e dorëzon flamurin

13:04, 26/11/2022
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha tha sot në bashkëbisedimin online, se “Edi Rama po bën gjithçka të konfiskojë flamurin e PD”. “Por PD nuk e dorëzon flamurin e saj,” tha ai.

“Edi Rama i ka bërë llogaritë gabim. Hakmarrës primitiv, ai kërkon të fshijë partinë që përmbysin pushtetin e etërve të tij, që anëtarësoi Shqipërinë në NATO dhe shtroi rrugën e integrimit, që transformoi infrastrukturën e këtij vendi dhe realizoi projekte madhështore në Europë siç është TAP.

Rama ka një armiqësi të pashuar ndaj kësaj partie. Nuk e harron ai kurrë 20 shkurtin. Kjo betejë vazhdon. Ai kujton se do hakmerret, por i ka llogaritë gabim”.

I pyetur disa herë për mbrojtjen e votës nga blerja, Berisha tha se PD do propozojë votimin e detyruar.

“Ne do kërkojmë të vendoset me ligj votimi i detyruar. Kjo do të shmangë qëndrimin në shtëpi të atyre që nuk vijnë për të votuar. Një nga mekanizmat që përdor Rama dhe që përdoret nga klikat, është ekzekutimi i votës pa u hedhur në kuti.

Detyrimi për të marrë pjesë në votim është një detyrim pozitiv për të ushtruar një të drejtë themelore. Vendet që kanë pasur problem me blerjen e votës e kanë vendosur këtë ligj dhe ky ligj ka pasur sukses në eliminimin e këtij fenomeni,” tha Berisha.

Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama që të mos prekë votat në zgjedhjet vendore të majit. Ai iu drejtua kreut të qeverisë duke i thënë se “prite cunamin nëse bën cunam”, duke shtuar se “kurrë nuk do ta gëzojë”.

“Nuk dua të kem asnjë iluzion se Rama, siç e paralajmëroi në Peshkopi, e ka ndërmend të bëjë cunam. Do i them prite cunamin nëse bën cunam, të jetë i bindur se kurrë nuk do ta gëzojë”, u shpreh Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco