Primaret/ Saimir Kola kandidon në Mirditë: Të bashkohemi më 6 dhjetor

Primaret/ Saimir Kola kandidon në Mirditë: Të bashkohemi më 6 dhjetor

11:45, 23/11/2022
A+ Aa A-

Saimir Kola prezantoi kandidaturën në primare për Bashkinë e Mirditës

DEKLARATA E PLOTE

Të nderuar demokratë dhe qytetarë mirditas, unë jam Saimir Kola dhe garoj në primaret e Partisë Demokratike.

Unë kërkoj votën e gjithsecilit prej jush për t’iu përfaqësuar në zgjedhjet lokale. Për të sjellë një frymë të re në institucionet vendore, ku parësore të jetë meritokracia dhe jo kalkulimi i votave.

Si ju, edhe unë e familja ime, i kemi hequr në kurriz të gjitha padrejtësitë, zvarritjet, nëpërkembjet. Edhe pse një nxënës shumë i mirë, për të fituar bursë duhet të kisha mik në Lezhë. Edhe unë si ju, e kam vuajtur mungesën e infrastrukturës, kushteve në shkollë, në spitale, e probleme të tjera pa fund.

Sot, pikërisht për shkak se gjërat kanë funksionuar me llogaritje votash dhe armiq të brendshëm e të jashtëm të partisë, gjysma e familjes time është në emigrim, ju nuk i keni afër fëmijët tuaj, apo sot jeni duke menduar si t’i nisni matanë detit. Kjo është katastrofa që jetojmë çdo dite dhe që është pasojë e njerëzve të zgjedhur për të qeverisur, por që na kanë sjellë në këtë gjendje.

Puna që bej, më ka dhënë mundësinë të shkel çdo cep të Mirditës dhe t’i njoh nga afër të gjitha problematikat tuaja. Unë e di problematiken e secilës njësi në Mirdite dhe jam duke punuar me njerëz të kualifikuar të fushave të ndryshme për të ofruar projektin tim për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Unë e kam seriozisht synimin për të ndryshuar gjërat dhe nuk kam synim për të pasur një rroge kryebashkiaku, nuk kam synim për një vend pune në administrate, dhe as që e dua. Unë dua që së bashku të ndryshojmë situatën ku jemi.

Besoj se kam gjithë përvojën e duhur të jem një përfaqësues dinjitoz i juaji.

Unë kam zgjedhur të jem në këto primare për të dhënë kontributin tim për ndryshimin e gjerave. Gjërat nuk ndryshojnë vetë. Halli jone, nuk është vetëm halli jone, po njësoj janë edhe socialistët, njësoj janë edhe familjarët tanë dhe të tyre.

Askush nuk është më mirë se ne, të gjithë jemi për ibret të Zotit.

Ky është një mesazh publik për të gjithë ju. Në ditët në vijim do të kemi mundësinë të takohemi nga afër me shumicën prej jush, të bisedojmë së bashku e ndoshta për disa gjera të gjejmë edhe zgjidhje më të shpejta.

Unë kërkoj votën tuaj në këto primare, që të kem mundësi që së bashku të bëjmë një kthese të madhe për menyrën se si po funksionojnë. Që në Mirdite të mos jenë vetëm 4 apo 5 veta që përfitojnë gjithçka prej 30 e kusur vitesh, por të gjithë ju.

Të bëjmë një kthesë të fortë, që në të ardhmen askush të mos mundet më t’i çojë gjërat për dreq siç i kanë çuar deri më sot.

Me këtë rast një thirrje që si shqiptarë dhe europianë, të bashkohemi më 6 dhjetor, dy ditë pas primareve demokratike e europeiste në PD, për të ngritur zërin për hatër të Shqipërisë në rrezik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco