KAFE SHQETO/ Gjokutaj replikon ashpër me Korreshin: Ç'kërkoni nga gjykata ju?! Ju jeni kukullat e Ramës!

KAFE SHQETO/ Gjokutaj replikon ashpër me Korreshin: Ç'kërkoni nga gjykata ju?! Ju jeni kukullat e Ramës!

12:46, 05/10/2022
A+ Aa A-

“Ju firmosni ligje për të nxjerrë Sali Berishën dhe Ilir Metën nga politika dhe tani shkoni e kërkoni në gjykatë, drejtësi?! Dhe, keni "merakun" e madh, nuk doni as Lul Bashën e asnjë?! Ore, po kush i ha këto?!”- Me të tillë ton iu drejtua sot gjatë një debati, juristi i njohur Genc Gjokutaj, njohës i mirë i politikës, deputetit të PD-së Saimir Korreshi, që iu drejtua dje Gjykatës së Apelit për të marrë zyrtarisht vendimin se kujt i përket PD-ja.

Interesant në përballjen e tyre në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV ishte fakti se deputeti që priste përgjigje nga gjykata, Saimir Korreshi, u deklarua hapur se “Sali Berisha është ai që ka votat e PD-së, se ne jemi bërë demokratë prej Sali Berishës” dhe se ai nuk ishte për rikthimin e Lulzim Bashës e megjithatë…

Por, avokat Gjokutaj nuk kishte asnjë mëdyshje dhe që i prerë në gjykimin e tij mbi këtë qendrim luhatës dhe e akuzoi hapur Korreshin me përkrahësit e tij të paktë brenda PD-së se po tallej me një vullnet mazhoritar.

“Po bëni shëtitje në gjykatë, ndërkohë që ju jeni “kukulla” e Ramës, e matrioshkës së 11 Dhjetorit! - iu drejtua Gjokutaj dhe i bëri thirrje publikisht: - “Dilni e thoni përpara se të veni në gjykatë, unë Saimir Korreshi , unë Dashnor Sula jam me Grupin e Themelimit sepse është vullnet mazhoritar i kësaj partie, pastaj të shikosh ti se çfarë bëhet. Po ju dorëzoni, ju firmosi ligje për të nxjerrë Sali Berishën nga politika dhe ilir Metën dhe tani shkoni e kërkoni në gjykatë, drejtësi??? Dhe keni merakun e madh, nuk doni as Lul Bashën e asnjë??? Ore , kush i ha këto?!” theksoi me forcë avokati.

Ndiqni një pjesë nga debati midis tyre që shpërtheu këtë mëngjes në praninë e moderatorit Flavio Qarri në SYRI TV.

Flavio: Orët po kërcasin për zgjedhjet vendore.  Çështja e kandidatëve të përbashkët është diskutuar edhe nga një grupim deputetësh, që çuditërisht nuk kanë shkuar në dyer partish, por kanë shkuar në dyer gjykatash. Saimir Korreshi, deputeti nga një grup që nuk është fort simpatik, madje mund të them se janë vërtetë antipatikë, po ky është më simpatiku i atij grupit.

Saimir Korreshi (buzëqesh): Nga e keqja më e madhe, zgjedh të keqen më të vogël.

Flavio: Jo, nuk të futëm fare te të këqinjtë, thjesht jemi të paqartë për përkatësinë tuaj tek ai grup. Ju zgjodhët derën e një gjykate.

Korreshi: E thënë kështu të tremb pak që zgjodhën “derën e një gjykate” dhe jo të partisë. Realisht, kjo është artifica e fundit kur brenda PD,  kur unë e dikush tjetër  jemi etiketuar si “dordolecë, të shitur” pavarësisht se gjatë ditës flasim më shumë kundër Qeverisë se të tjerë që i bien gjoksit si opozitarë të vërtetë.

Flavio: Ju nuk e keni të qartë pas  gjithçkaje që ka ndodhur se me kë është baza e partisë? Se e kujt është partia? Keni nevojë për përgjigjen e një ankimimi, të një artifice që e keni bërë po ju vetë?

Saimir Korreshi: Unë asnjëherë s’e kam kundërshtuar këtë pjesë. Unë nuk kam diskutim fare që Sali Berisha kundër kujtdo që të kandidojë, fiton. Nuk kam asnjë lloj dyzimi tek kjo pjesë. Nuk kam asnjë lloj dyzimi që Sali Berisha deri më 6 mars kishte kurbën më të lartë dhe realisht të gjithëve demokratëve u dha shpresën pas nëntë vjetësh, që do të rikthehen në pushtet, kur PD-së nuk i takonte të rrinte në opozitë, përpos gjithë këtyre që ka bërë.

Çfarë mendoj unë dhe çfarë thotë baza ka një ndasi shumë të madhe. Nëse do të flasim për bazën atje ku rrimë përditë, mendoj dhe 6 marsi e dha verdiktin e tij, por  Sali Berisha e ka mbështetjen dhe jo Grupi i Rithemelimit. Sali Berisha e ka mbështetjen dhe të flasim qartë fare.

Flavio: Çfarë dallimi ka Grupi i Rithemelimit? Se tani po bëni ju një diversion tjetër më duket.

Saimir Korreshi: Më dëgjo. Sali Berisha është ai që ka votat e PD-së, sepse ne jemi bërë demokratë prej Sali Berishës, që të flasim realisht. Kush tha që nuk e mbështes Sali Berishën?! Por ka disa gjëra që i kam kërkuar pas ikjes së zotit Basha, në grupin parlamentar, kur kemi bërë takim me zotin Berisha, që procesi që duhet të përvijonte tani që iku zoti Basha duhet të ishte përbashkues dhe kam dhënë dhe piketat se si arrihej në bashkim...

...Unë bëj atë që ndiej. Unë nuk i shoh këto zgjedhje që të hyjmë me dy kandidatë, nuk do të pranoj kurrë që të hyjmë me dy kandidatë.  Do të mbështes atë që do anëtarësia e PD-së. Njëherë gabim e bëmë më 6 mars.

Zoti Korreshi, çfarë do të presim nga grupi juaj pas kësaj shëtitjej te dera e gjykatës?

Saimir Korreshi: Shëtitje….Në fakt nuk ishte shëtitje se na kapi pak dielli. Duke qenë se ne e quajmë aset kombëtar, PD-në, tre gjyqtarë nuk mund të mbajnë varur. Ne nuk diskutojmë fare për vendimin, të jetë ashtu siç e gjykojnë gjyqtarët, por duhet ta japin me shpejtësi një vendim, qoftë në faktor të Komisionit të Rithemelimit, qoftë në favor të të tjerëve. Kjo është pak e rëndësishme për mua që edhe ata demokratë që mendojnë ndryshe ta dinë.

Flavio: Z. Gjokutaj na e shpjego ligjërisht atë që po bën grupi “Alibeaj, Basha etj”, sa e qenësishme është ajo dhe sa e sinqertë ju duket juve?

Genc Gjokutaj: E ndoqa zotin Korreshi. Problemi këtu nuk është teknikaliteti ligjor dhe ajo që në të gjithë ligjërimin e tij të tërheq vëmendjen, të bën që të lindin disa pyetje, të tilla si “çfarë përfaqëson zoti Korreshi, zoti Sula? Përfaqësojnë nominalisht zonat e tyre apo përfaqësojnë pjesën e grupit parlamentar të zotit Alibeaj?” Se kjo është shumë e rëndësishme pasi e gjithë kjo sjellje e çuditshme e tyre duhet dekriptuar tashmë. Përfaqësojnë nominalisht veten apo grupin e zotit Alibeaj?

Saimir Korreshi: Unë përfaqësoj veten time, nuk kam mandat që të përfaqësoj dikë dhe përfaqësoj veten time. Nuk kam marrë përsipër të jem as përfaqësues i grupit, as kryetar grupi.

Genc Gjokutaj: E qartë. Nëse do të jetë kështu, zoti Korreshi ka të drejtë sepse këta rrezikojnë të mbeten jashtë garës, kështu që këtyre vërtet iu duhet një vendim. Këta nuk kanë problem me kë do të bëhen, këta kanë problem kush do ta fitojë këtë gjyq që ne të dimë thotë se me kë të merremi.

Flavio: Z. Korreshi, domethënë ju nuk e keni një bindje tuajën personale përderisa përfaqësoni veten se me kë jeni dhe keni nevojë për një artific të tillë?

Saimir Korreshi: Unë po të flas si jurist tani dhe jo si politikan. Ligjërisht sot PD-ja përfaqësohet nga zoti Alibeaj, ligjërisht. Pra, po të vesh të marrë në gjykatë, merr prapë Lulzim Basha atje. Pra, sot po të  vemi te Grupi i Rithemelimit, a regjistron dot pa dëshirën e zotit Alibeaj, kandidatët nën siglën e Partisë Demokratike? Jo! Atëherë, a është një artificë ligjore që duhet zgjidhur me urgjencë?! A ka kosto PD ose kandidatët e saj të mos regjistrohen nën siglën e PD-së? Pra, kjo duhet zgjidhur. Po marr rastin tim konkret. Në rast se unë kam papajtueshmëri ose gjykoj se vija politike që po ndjek zoti Berisha nuk është ajo e duhura, jam brenda PD-së dhe argumentet,  ato që kam për t’i thënë zotit Berisha nuk kam pse t’i bëj nëpërmjet televizionit, por i bëj atje ku janë institucionet e PD-së. Atë shqetësim që kam pasur dhe si të bëhej PD-ja e kam thënë zotit Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar në dy takimet e para. A mund të zgjidhet për demokratët që të dinë që edhe këta kandidatët që do të hyjnë në primare, nën çfarë sigle do të hyjnë? Pra, kur themi se ne do të hyjmë me një kandidat, bie fjala zoti Alibeaj nesër nuk na jep firmën, del e rri vetëm në grup, çfarë do të bëjmë ne tani? I regjistrojmë dot kandidatët në emër të Partisë Demokratike? Jo. Prandaj duhet ky vendimi i gjykatës, ky artific i fundit për t’i dhënë dhe rrugë ligjore kësaj pjese.

Flavio: Po nëse vendos gjykata pro Bashës, çfarë do të bëni?

Genc Gjokutaj: Do të venë me Bashën!

Saimir Korreshi: Çfarë Bashe, mor burrë! Nuk jam për rikthimin e z. Basha. Saimir Korreshi flet për veten e vet. Unë nuk jam më  për rikthimin e atyre që japin dorëheqjen dhe ikin. Pikë. Nuk kthehemi atje ku ishim. Ka mbaruar kjo pjesë. Për mua, as nuk e votoj kurrë një gjë të tillë, do të jem kundër me gjithë forcën. Nëse do ta marrë zoti Berisha, të dimë të gjithë se është ai Kryetar. Nëse do ta marrë Enkelejd Alibeaj, në mbledhjen e fundit kam thënë se ne duhet të konsistojmë të ngrihet një grup pune që të negociojë me palën tjetër me urgjencë, pa dalë dekreti i Presidentit dhe pa filluar primaret, se kjo pjesë e vogël që themi ne, 30% do të ngelet përsëri e papërfaqësuar dhe pa marrë pjesë dhe do të jetë problematikë që do t’i peshojë kandidatëve në zgjedhje.

Në vazhdim replikon avokat Gjokutaj.

Genc Gjokutaj:  Çfarë kërkohet nga gjykata?! Nuk e dinin këta deputetë cili ishte vullneti i demokratëve? Dhe statuti është një akt formal. Statuti për 3-4 ditë regjistrohet në gjykatë.  Se ka një gjë. Këta kanë bërë një ankim, që e dimë më mirë se ne se çfarë do me thënë ky ankim. Atëherë, çfarë synojnë këta me këtë ankim të provojnë?! Se ankimi do të provojë diçka. Të provojë faktin që Jemini me 1500 karrige bëri 5004 delegatë! Çfarë synojnë të provojnë? Ky është problemi.

Saimir Korreshi: Unë po mendoja se kishin kaluar këto të 11 dhe 18 Dhjetorit dhe i kam dhënë opinionet e mia, por meqenëse …

Genc Gjokutaj: Po nëse mendoni se kanë kaluar,atëherë çfarë doni para gjykatës ju? Prandaj, ose e keni memorien të shkurtër ose jua kanë shkurtuar memorien. Kush bën shaka me këtë hyn te killerat e pluralizmit politik.

Saimir Korreshi: Zoti Gjokutaj, unë…

Genc Gjokutaj: Po ti çfarë kërkon në Gjykatën e Apelit? A kërkon të ndahet muhabeti i 11 Dhjetorit apo s’kërkon këtë ti që thua “unë kujtova se kanë kaluar këto”?! Ç’kujton ti se bëhet atje? Kujton se do të ndahen parcela bujqësore? Çfarë mendon ti se bëhet në Apel? Unë kërkoj pak seriozitet në këtë punë, se....

Saimir Korreshi: Mirë, ku të mbarosh te qetësohesh…Mirë do të ishte të qetësohesh.

Genc Gjokutaj: Unë jam shumë i qetë personalisht. Po s’mund të jem i qetë kur juve, nuk mund të jem i qetë,  kur ju vini në lojë principin mbi të cilin mbështesni performancën tuaj, sepse ju po talleni me një vullnet mazhoritar dhe po bëni shëtitje në gjykatë. Ju shikon mileti dhe thonë “këta qenkan vërtet meraklinj”! Ndërkohë që ju jeni “kukulla” e Ramës, e matrioshkës së 11 Dhjetorit.

Unë e di në themel problemin.  Po dilni e thoni përpara se të veni në gjykatë, unë Saimir Korreshi, unë Dashnor Sula jam me Grupin e Themelimit sepse është vullnet mazhoritar i kësaj partie, pastaj të shikosh ti se çfarë bëhet. Po ju dorëzoni, ju firmosni ligje për të nxjerrë Sali Berishën nga politika dhe ilir Metën dhe tani shkoni e kërkoni në gjykatë, drejtësi??? Dhe keni merakun e madh, nuk doni as Lul Bashën e asnjë??? Ore, kush i ha këto?!”- Ndiqni në vazhdim debatin e plotë në videon e Kafe Shqeto/ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

DEMOKRATI I BAZS05/10/2022 13:43

Gjykata e Tiranës, Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata Evropiane, Gjykata e Hagës dhe Gjykata e Strasburgut që vendos se kujt i takon PARTIA DEMOKRATIKE, janë vetëm baza sovrane dhe antarësia e saj!!! Pronarët e PARTISË DEMOKRATIKE janë antarët e saj dhe askush tjetër nuk mund të vendosë për këtë!!! Nuk ka turp më të rëndë dhe gafë më idiote se sa të shkosh dhe të kërkosh "pronësinë" e partisë tënde në gjykatë, kur në çdo rast votat do t'i kërkosh tek antërësia e saj!!! Po ja ta supozojmë se Edvin Rama, ashtu siç në të vërtetë pritet që të ndodhë, ia dha vulën e PD alibashëve dhe alibardhëve dhe këtyre këlyshëve të vet. Çfarë do të bëjnë këta vulëhumbur me një vulë partie?? Pse u duhet vula e partisë këtyre vulëhumburve kur nuk kanë asnjë anëtar që t'i votojë???!!!!

Shto koment

Denonco