'Prindi 1 dhe Prindi 2'/ E vërteta e formularit që zemëroi opinionin

'Prindi 1 dhe Prindi 2'/ E vërteta e formularit që zemëroi opinionin

10:37, 29/10/2021
A+ Aa A-

Një formular i pazakontë që po shpërndahet në kopshtet dhe çerdhet publike të Tiranës ka rindezur edhe një herë debatin e nxehtë për relativizimin e amësisë dhe atësisë, që në dokumente zyrtare është kërkuar të shënohen me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”.

Teksa dokumenti po bën xhiro në institucionet publike të edukimit parashkollor, asnjë institucion nuk di/do të thotë asgjë më tepër se sa aq sa kanë parë të gjithë të shpërndarë në rrjete sociale.

Formulari “Mbi sjelljen e fëmijëve të moshës, 1.5-5 vjeç”, i ndarë nga një subjekt “fantazmë” në të cilin kur pyetet profesioni i prindërve të fëmijës, shënohen respektivisht me “prindi 1” dhe “prindi 2”.

Duke siguruar që dokumenti nuk ka marrë “OK” nga Bashkia e Tiranës, kryetari e heq përgjegjësinë nga vetja duke ia kaluar topin Ministrisë së Arsimit. Ndërsa burime zyrtare brenda dikasterit të arsimit nënvizojnë se MAS nuk ka lidhje me menaxhimin e kopshteve dhe çerdheve. Kjo situatë e paprecedent ose provokim nuk ka ardhur nga hiçi dhe me gjasë, jo e papaqëllimtë, shkruan Panorama.

Debati për termat e lartpërmendur ka nisur një vit më parë me kërkesën e komunitetit LGBTIQ dhe ka hasur në kundërshti të forta. Përballë tyre është krijuar Koalicioni Shqiptar për Mbrojtjen e Familjes.

Pikëpyetja e madhe që ngrihet pas këtij formulari që qarkullon në institucione publike është se kush e ka shpërndarë dhe se çfarë synon të mbledhë, gjë që duhet ta verifikojnë autoritetet përkatëse.

Ishte pastori Akil Pano që denoncoi shpërndarjen e dokumentit, pa dijeninë e prindërve, e me sa duket, edhe të institucioneve. Pastori e përkthen këtë veprim si “axhenda gay në aksion”.

Por si ra në duart e prindërve dokumenti i pazakontë brenda institucionit publik?

Përpara dy javësh, në 14 tetor, në mjediset e brendshme të një kopshti në afërsi të Xhamllikut, me t’i besuar fëmijën për atë ditë kopshtit, është hasur me një zonjë që kërkonte plotësimin e një formulari krejt të pazakontë. Është gazetarja Ermelinda Hoxhaj ajo që ka bërë publik episodin me zonjën, e cila pretendon se ka marrë leje në Ministrinë e Shëndetësisë për të kryer anketimin me prindërit, duke iu ofruar madje edhe fleksibilitet.

“Ky formular ka ardhur në kopshtin e fëmijës tim. Nuk ka të bëjë me edukatoret dhe asnjë person tjetër përgjegjës aty. Ishte një zonjë, që më tha se ishte mjeke dhe se formulari kishte si synim matjen e stresit dhe gjendjen spiko-emocioanle të fëmijës, ndoshta ndikuar edhe nga pandemia. Zonjës i thashë që refuzoj të plotësoj këtë formular, më tha që mund ta merrni me vete, ta shikoni dhe ta sillni ditën e nesërme”, shprehet ajo duke artikuluar edhe qëndrimin e saj kundër nocioneve “prind 1” dhe “prind 2”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

sedi01/11/2021 17:06

Ministria e Arsimit ,LGBT-te i ka futut te plani edukativ i shkollave 9-vjeçare. Si ka mundesi qe nuk e di ministria kur vete ka filluar implementimin e kesaj "kulture".

Luli29/10/2021 10:56

Po jepni pra emrin e zonjes..vk me kto artikuj gjysmake

Shto koment

Denonco