Vuçiç nxjerr blof Thaçin: Po ju gënjen, nuk e njohim Kosovën shtet

Vuçiç nxjerr blof Thaçin: Po ju gënjen, nuk e njohim Kosovën shtet

15:13, 09/09/2018
A+ Aa A-

‘Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë’.

Këto ishin mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i tha para qytetarëve serbë të mbledhur në Mitrovicën Veriore.

Fjalimin e tij, Vuçiç e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty, u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiçit.

‘Ju them se ata që e thonë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër’, tha Vuçiç. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore.

‘Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën’, tha Vuçiç, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plotë dilema, ku është kufiri sot?’.

‘Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar’, nënvizoi ai.

Vuçiç tha se ka sjellë me vete plane konkrete për investime në dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Se kur do të arrihet marrëveshja me shqiptarët, theksoi ai, kjo nuk mund të dihet. Por, nuk e përjashtoi mundësinë që diku pas një kohë, qoftë edhe pas 50 vjetësh, serbët dhe shqiptarët të jetojnë në fqinjësi dhe miqësi me njëri-tjetrin.

‘Nuk është vizioni im për një Kosovë pa shqiptarë apo edhe më keq, një Kosovë pa serbë’, tha Vuçiç, duke tërhequr vërejtjen se vizioni i tij nuk mbështetet në mite, por në realitet.

Ai rikujtoi edhe fundvitet e 80-ta dhe vitet e 90-ta kur kishte nisur dhe më pas ishte shpartalluar ish-Federata Jugosllave dhe fjalimet e zjarrta të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

‘Kënduam, kush po thotë e kush po rren, që Serbia është e vogël’, tha Vuçiç.

Kjo këngë dhe plotë mitingje, sipas tij, u mbajtën në Knin të Kroacisë, në Sarajevë apo edhe në Prishtinë. Por, sot, si në Knin, ashtu edhe në Sarajevë e Prishtinë, nga një numër i konsiderueshëm, jetojnë vetëm qindra apo mijëra serbë.

Para 30 vjetësh, theksoi ai, në Kosovë kishte tri herë më shumë serbë, sesa që ka sot. Andaj, ai tha se angazhohet për paqe dhe në asnjë mënyrë për luftë.

Ndryshe, dita e dytë e vizitës së presidentit serb, ka nisur ditën e dytë të vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës, me një shëtitje në lagjen e quajtur ‘Lugina e Diellit’, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur. /Express

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco