Në emisionin e sotëm do t’ju tregojmë që aferat korruptive dhe abuzimi me fondet shtetërore nuk kanë pasur për qëllim vetëm majmjen financiare të qeveritarëve, por bashkë me to edhe blerjen e influencave politike. Në vijim do t’ju njohim me profilin e një prej personazheve më të rëndësishme të së majtës, për të hedhur dritë më pas, me një prej këtyre qokave milionëshe, me prapavijë, efektet politike.
Fatmir Xhafaj, një figurë politike, që njihet nga opinioni publik për daljet e tij në podiumet krah ish-diktatorit Enver Hoxha. Pas rënies së komunizmit, Fatmir Xhafaj iu përkushtua profesionit, me ish-partinë e ristrukturuar në Partinë Socialiste, ku duket se për të nuk kishte një vend të garantuar. Para viteve 2000, Xhafaj u distancua nga drejtësia për t’u riangazhuar në politikë, me afrimin që ish-kryeministri i ndjerë Fatos Nano i bëri në Këshillin e Ministrave. Me gjithë përplasjet dhe lëvizjet e tij nga njëri grup në tjetrin brenda së majtës, në vitin 2001, Nano do e kandidonte për deputet në qytetin e Pogradecit.
Teksa Edi Rama vijonte ngjitjen në krye të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj sërish gjeti stacionin ku të zbriste nga lokomotiva politike e Nanos. Me besimin e kryetarit të ri të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj ishte një ndër të paktat figura, së bashku me Gramoz Ruçin, që Rama nuk e spastroi nga garda e vjetër e socialistëve.
Marrëdhënia vijoi e fortë mes tyre, deri sa një tjetër yll rilindas po ngjitej në skenë, e nuk fshehu pretendimet për fronin që mbante Edi Rama. Fatmir Xhafaj iu bashkangjit kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku siç rezulton, marrëdhëniet e tyre nuk ishin thjesht politike. Ky bashkëpunim bëri që Rama t’i jepte një tjetër goditje gardës së vjetër socialiste, me degdisjen e Fatmir Xhafajt në fund të listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.
Ndërsa Edi Rama po e nxirrte nga dera, Erion Veliaj me pushtetin maksimal që kishte siguruar në Tiranë sfidoi edhe kryeministrin, me kontributin për ta bërë Fatmir Xhafajn deputetin më të votuar në Tiranë. Kjo sfidë, ndërsa për sytë e opinionit publik anashkalohej, duket se brenda socialistëve zjente edhe më shumë. Hakmarrja politike e Ramës këtë herë nuk ra mbi Xhafajn, por mbi Veliajn, pozitat e të cilit nisën të dobësoheshin me heqjen e ekskluzivitetit të drejtimit politik të Tiranës, e deri te rënia e tij në rrjetën e drejtësisë. Ndërsa Erion Veliaj do të përballej me problemet e tij politike dhe ligjore, Xhafaj nuk nguroi t’i bëjë avokatin edhe në Kuvend.
Por fill pas kësaj, ish-ministri i Brendshëm bëri kthesën e radhës, për në stacionin e ri.
Ndërsa Erion Veliaj tashmë kishte rënë nga pozitat e duhet të përballet me drejtësinë, nga qelia e paraburgimit të Durrësit, Fatmir Xhafaj shihet të ketë një afrim me rivalen politike të kryebashkiakut, Belinda Balluku. Lëvizje e cila duket se u shpërblye menjëherë me katapultimin e tij në krye të Komisionit të Posaçëm që do të mbante nën presion drejtësinë e re, i cili sot është shndërruar në një komision të përhershëm, por nën petkun e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
© SYRI.net