Në skemë do të përfshihen edhe kompanitë e Adriatik Zotkajt dhe familjarëve të tij. Këtu situata rëndohet edhe më tej, e aq më shumë për mungesën e hetimeve nga ana e prokurorisë. Por përtej shkeljeve të rënda ligjore nga Adriatik Zotkaj, në skenë del një tjetër personazh i rëndësishëm, Deputeti socialist Vladimir Kosta. Asokohe deputeti i jep Adriatik Zotkajt 200 mijë euro borxh, por edhe sot pas 18 viteve, kur edhe vetë Kosta nuk është deputet, borxhi rezulton i pashlyer. Por për prokurorinë deklarimet e të akuzuarve ishin të mjaftueshme për të mbyllur hetimet.
Në analizimin e aktivitetit të kompanive të Adriatik Zotkajt, ekspertët shkruajnë se të dhënat për bilancet e kompanisë ABG i kanë marrë nga Tatimet, por aktivet, huatë dhe llogarinë e ortakut janë në total për çdo vit dhe nuk jepen të detajuara.
Një fjali skandaloze për të mbyllur këtë aferë, pasi nga një analizë e thjeshtë e bërë nga ekspertët e emisionit PLUG, rezulton se kjo kompani gjatë gjithë kohës, e deri në vitin 2016 ka depozituar të gjitha bilancet, dhe në formë të detajuar.
Sipas bilanceve, kjo kompani nga fillimi e deri më sot nuk ka të deklaruar si AKTIV apo thënë ndryshe si pronë, asnjë tokë. Ndërsa Adriatik Zotkaj dhe prokurori thonë se ka një pronë 5000 m2 e blerë në vlerën 100.000 euro.
Ndërsa ekspertët, po sipas akteve, kanë të dhënat e të gjitha kredive të marra ndër vite si dhe likuidimet e tyre. Dhe nga këto pasqyra të detajuara financiare, por që ekspertët nuk i shohin, rezulton se për periudhën 2009–2014 ka një xhiro totale prej 186 milionë lekësh dhe ka si detyrim për të shlyer një kredi mbi 200 milionë lekë pa përfshirë interesat e këtyre kredive. E nëse do të hetonte siç duhet ky prokuror, do zbulonte dhe ndonjë skemë tjetër sesi kjo kompani ka marrë dhe 720 mijë euro kredi e quajtur e humbur nga banka, pasi nuk kishte kolateral dhe mbeti e pashlyer mbi 400.000 euro.
Por thelbi i kësaj pike të akt-ekspertimit është: kush është pronari i tokës 100.000 euro mbi të cilën është fabrika e Ujit Bora dhe hoteli luksoz Perla e Tomorrit...
Më tej, ekspertët marrin përsipër që të justifikojnë edhe të ardhurat e Zotkajt. Ekspertët shprehen se ai ka pasuri në vlerën 7.3 milionë lekë dhe të ardhura në vlerën 10.7 milionë lekë. Për të justifikuar këto të ardhura, ekspertët citojnë Adriatik Zotkaj se ka marrë kredi personale për biznesin, por kur vjen puna të përgjigjen për burimin e ligjshëm të të ardhurave, thonë se nuk arrijnë të provojnë burimin e kësteve të kredisë.
EKSPERTËT E PROKURORISË
Nga ana tjetër nuk provohet dot nëse shumat e disbursuara të kredive janë pasqyruar në pasqyrat financiare të shoqërisë dhe as nuk konkludohet se cili është burimi i pagesave të kësteve të kredisë.
Këtu ekspertët mundohen të hedhin gurin e të fshehin dorën, pasi është shumë e thjeshtë të faktojnë nëpërmjet llogarive bankare nëse paratë që punonjësit e Bashkisë Poliçan depozitonin në llogarinë e kredive të shefit vinin nga llogaritë e kompanisë. Por ishte mëse e qartë që këto nuk janë para të atij biznesi dhe mundohen ta fshehin me fjali të tilla.
Pasi thonë se nuk konkludojnë dot për burimin e pagesave të kësteve të kredisë, në faqen 17 të vendimit ekspertët për pasurinë e Adriatik Zotkaj thonë:
EKSPERTËT
Nga sa më sipër rezulton se të ardhurat justifikojnë pasurinë në emër të shtetasit Adriatik Zotkaj dhe familjarëve të tij.
Kjo fjali skandaloze do të ishte pikërisht fjalia që do të përdorte Olgert Rumnici në faqen 24 të hetimit për ta pushuar çështjen penale.
PROKURORI RUMNICI
Në rastin konkret nuk rezulton që nga ana e shtetasit Adriatik Zotkaj të jenë kryer veprime të tilla aktive që nga pikëpamja objektive dhe subjektive të cilësohen sipas nenit 287 të Kodit Penal. Për të arritur në këtë përfundim, organi i akuzës mban në konsideratë aktin e ekspertimit kontabël të kryer nga zyra e ekspertëve në Prokurorinë e Përgjithshme. Bazuar në aktin e ekspertimit kontabël, rezulton se të ardhurat e fituara e justifikojnë pasurinë në emër të shtetasit Adriatik Zotkaj dhe të familjarëve të tij.
Hetimet dhe skandalet e këtij prokurori në këtë dosje nuk mbarojnë me kaq.
Adriatik Zotkaj ka deklaruar se në vitin 2008 ka marrë një borxh te ish-deputeti i Partisë Socialiste Vladimir Kosta në shumën 19.7 milionë lekë. Borxh i cili ende sot, në vitin 2025, nuk është kthyer. Prokurori ka vendosur të marrë në pyetje deputetin Kosta, deklarata e të cilit është përdorur për të justifikuar pasurinë e Zotkajt, por duke rënduar pozitat e vetë deputetit, që po ashtu u amnistua me këtë dosje.
PROKURORIA PËR DEKLARATËN E VLADIMIR KOSTËS
Lidhur me huanë prej 200.000 euro, akorduar shtetasit Adriatik Zotkaj, deklaruesi ka shpjeguar se kjo shumë i është dhënë Adriatikut në formë huaje me afat shlyerje, por që ende nuk është shlyer. Deklaruesi ka shpjeguar se që prej vitit 1991 ka qenë administrator i firmës LANI shpk dhe shuma prej 200.000 euro nuk është tërhequr nga ndonjë institucion bankar, por është akumulim i dividentëve të kësaj kompanie, të cilat deklaruesi i ka zotëruar cash. Deklaruesi ka konfirmuar se aktualisht huaja nuk është shlyer nga Adriatiku dhe, pavarësisht afatit 5-vjeçar, ai do të presë deri kur Adriatiku të jetë në gjendje të shlyejë huanë.
Duket se prokurori është mallëngjyer nga bamirësia e Vladimir Kostës dhe ka harruar të kryejë disa veprime të thjeshta hetimore, për vërtetësinë e kësaj deklarate. Vladimir Kosta ishte deputet i Kuvendit dhe, njësoj si shoku i tij Adriatiku, kishte kryer deklarimin e pasurisë disa herë. Në asnjë nga ato deklarata nuk është pasqyruar borxhi i dhënë ndaj Adriatik Zotkaj.
E dyta, shuma që thotë Vladimir Kosta deklaron është 200 mijë euro e konvertuar me kursin e Bankës së Shqipërisë në qershor 2008 janë 24.5 milionë lekë dhe jo 19 milionë, siç e deklaron Adriatiku.
E treta dhe më e rëndësishmja, Vladimir Kosta deklaron se këto para ishin të ardhura nga dividentët e shpërndarë nga kompania LANI shpk që nga viti 1995 dhe i mbante cash në shtëpi. Nga të dhënat e depozituara në QKB, kompania LANI shpk në vitin 2005 ka kryer një rritje të kapitalit duke përfshirë fitimet nga viti 1995–2004, pra nuk ka shpërndarë divident.
Po i njëjti veprim bëhet edhe në vitin 2008 dhe në vitin 2012, kur kjo kompani bën rritjen e kapitalit me fitimet e vitit dhe fitimet e mbartura. Pra, nga sa ne mund të konstatojmë nga QKB, kjo kompani nuk ka kryer shpërndarje dividenti.
E nëse prokurori nuk dëshironte të lodhej, do të mjaftonte një kërkesë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të faktuar nëse kompania LANI shpk ka kryer pagesë dividenti, në cilat vite, dhe sa është shuma.
Por jo vetëm që nuk është verifikuar origjina e shumës 200 mijë euro të deputetit, por as është vijuar më tej hetimi për mosdeklarimin e kësaj shume nga ana e një zyrtari që kishte për detyrë deklarimin periodik në ILDKP.
Shihet qartë se kjo kontratë e panoterizuar është vetëm një letër bakalli e përdorur nga Adriatik Zotkaj për të justifikuar paratë e padeklaruara, ndërsa Vladimir Kosta rezulton i përfshirë në një tjetër rast justifikimi pasurish të kryebashkiakëve socialistë.
Kujtojmë që kompania LANI, e përdorur për të justifikuar pasurinë e kryebashkiakut të Poliçanit Adriatik Zotkaj, tashmë është në bankën e të akuzuarve, si e përdorur nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj për të fshehur shpenzimet për qiratë e zyrave të SKY TOWER në emër të shoqatave të Ajola Xoxes.
Tashmë skema është e qartë! Provat janë aty, por për sa kohë këta zyrtarë do të vijojnë të mbajnë pushtetin së bashku me Edi Ramën, drejtësia ose është e pafuqishme, ose palë, ose bashkëpunëtore në vjedhjen dhe në ligjërimin e këtyre krimeve ndaj pasurisë kombëtare.
Adriatik Zotkaj është vetëm një rast, por në vijim do të mësoni se kjo skemë është identike në pjesën më të madhe të bashkive dhe kryebashkiakëve të Rilindjes Socialiste!
Përballë këtyre krimeve, jo vetëm prokuroritë e rretheve, por edhe SPAK po shndërrohet në noter të amnistisë së aferave korruptive.
© SYRI.net