- 13:09, 27/07/2026
Shprehja “llogje Kavaje” është sinonim i fjalëve boshe, thashethemeve dhe muhabeteve “korr e mos lidh” që nuk të çojnë askund.
Për vite e vite me radhë, fatkeqësisht, “debati mediatik” konkurroi dhe fitoi me “llogjet e Kavajës”.
“Emisionet” u reduktuan në një arenë propagande kundër antipropagandës. Në studio diskutohej 99% opozita dhe 1% qeverisja! “Non grata, sherret e brendshme, vula dhe e shkuara” - ushqimi i preferuar në menynë e darkës televizive. Aq shumë vend në ekran zunë figurat e opozitës, saqë të krijohej përshtypja se është opozita që po keqqeveris vendin. Ndërkohë, qeveria u mbyll në “kullën e fildishtë” dhe i braktisi “kazanët mediatikë”.
Lajmet e paketuara nga zyrat e marrëdhënieve me publikun mbusheshin me inspektime kantierësh, inaugurime të fazës së parë, të segmentit të dytë, të etapës së tretë,... postime me regji në Facebook dhe gara se cili ministër kishte marrë më shumë like. Argumenti që i vinte vulën debatit për “vulën” ishte gjithmonë i njëjti: “krahasuar me 2013-ën?” ose “nuk ka alternativë?”
Por, ndërsa jeta virtuale kalonte nga njëri sukses në tjetrin, jeta reale i bënte hallet kapicë dhe herët a vonë, kapica duhej të rrëzohej.
Protesta e flamingove e ndryshoi boshtin e debatit. Për herë të parë pas shumë kohësh, në qendër të diskursit nuk janë më “llogjet”, por hallet e përditshme.
Sot flitet për mjedisin, pronën publike dhe llogaridhënien; për korrupsionin dhe krimet pa ndëshkim; për çmimin e ushqimeve, ujit, karburantit, qirave dhe banesave; për pagat, pensionet e taksat; për “shëndetësinë falas” dhe rezultatet e testit të PISA-s. Me një fjalë, “debati” ka zbritur nga lartësitë hyjnore të propagandës direkt te frigoriferi, portofoli dhe jeta e përditshme e njerëzve.
Janë shpenzuar qindra mijëra orë emisionesh dhe mijëra komente për të mbajtur “Kullën e Pizës” që të mos rrëzohej. Tani debati është konkret, te themelet dhe çatia e shtëpisë.
Ndoshta prandaj po shohim gjithnjë e më shumë ministra e deputetë të shumicës të dalin në ekrane për të mbrojtur “arritjet”. Nuk besoj se dalin ngaqë befas u është zgjuar dëshira për debat.
Ky është ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm që po sjell reagimi i njerëzve. Ajo po u kujton qytetarëve një të vërtetë të thjeshtë: qeveria nuk ka para të veta. Çdo rrugë, çdo koncesion, çdo tender, çdo koncert dhe çdo shërbim publik financohet vetëm nga paratë e taksapaguesve! Ndaj nuk ka arsye pse të këndojmë këngë për udhëheqësin dhe partinë në çdo segment rruge. Mjafton që kënga dhe tam-tamet të zëvendësohen me një tabelë: “Kjo vepër u ndërtua me paratë e taksapaguesve”.
Taksat nuk i paguajnë vetëm bizneset e mëdha. I paguan çdo qytetar, sa herë blen bukë, qumësht apo ilaçe përmes TVSH-së. Dhe TVSH-ja është 20%! Prandaj pyetja nuk është më nëse po bëhen punë - pyetja është si po administrohen paratë tona. Dhe ndoshta fushatat e ardhshme nuk do përqendrohen më te temat e mëdha “BE, NATO, samite”, por te kostoja e jetesës, përpunimi i plehrave apo mjedisi.
Ndoshta ky është vërtet fillimi i fundit të epokës së “llogjeve të Kavajës”. Sepse kur debati prek xhepin, qeverisë i rri shumë i ngushtë kostumi i propagandës.
© SYRI.net