Miqësia Rama - Meloni nuk lindi nga një takim vlerash, por një takim frikërash

Miqësia Rama - Meloni nuk lindi nga një takim vlerash, por një takim frikërash

Nga Ndriçim Kulla - 22/04/2026

Edi Rama e di mirë se çfarë abuzimesh ka kryer me pushtetin e tij . Ai e di se pushteti i tij nuk ka qenë kurrë i pastër nga kërkesa e llogaridhënia , sepse që në hapat e parë të qeverisjes, pushteti i tij u ndërtua mbi shmangien e saj. Dhe kur presioni i përgjegjësisë filloi t’i trokasë në mendje , jo si ndërgjegje morale, por si rrezik politik , Rama kërkoi gjithmonë jo përballjen, por rrugën e daljes pa u lagur.

Një nga këto rrugë ka qenë shpikja e vetvetes si figurë “përtej së majtës dhe së djathtës”, një pozicion i paqartë ideologjik, por shumë i dobishëm politikisht. Një lloj varke shpëtimi që i lejoi të largohej nga qerthulli i radikalizmit të majtë, brenda të cilit vetë kishte qenë eksponent, dhe të shfaqej si figurë e pranueshme për këdo që kërkonte stabilitet, jo demokraci.

Në këtë logjikë duhet lexuar edhe miqësia e beftë me kryeministren italiane Giorgia Meloni. Një miqësi që ra si rrufe në qiell të pastër, jo sepse ishte e papritur në diplomaci, por sepse ishte ideologjikisht e pamundur. Një kryeministër që prej vitesh shitet si progresist global, i kapur përdore me një udhëheqëse të djathtë radikale evropiane. Kjo nuk ishte afri vlerash ,por ishte afri nevojash.

Marrëveshja e kampit të refugjatëve në Gjadër ishte pika ku ky pakt i panatyrshëm mori formë konkrete. Për Melonin, ishte një zgjidhje që premtonte të qetësonte ankthet e brendshme politike, presionin elektoral dhe frikën nga migracioni. Për Ramën, ishte një tjetër mundësi për t’u shfaqur si lojtar ndërkombëtar, si njeri i domosdoshëm për Evropën, pavarësisht gjendjes reale të tmerrshme  të demokracisë në vendin e tij.

Por projekti ishte i dënuar të dështonte që në lindje, sepse nuk u ndërtua mbi parime, por mbi shkëmbim interesash. Nuk u mendua si zgjidhje humane, as si mekanizëm ligjor i qëndrueshëm, por si spektakël politik: një skenografi ku secili do të fitonte kohë.

Sot, marrëveshja ka mbetur në mes të rrugës. Jo thjesht për arsye juridike, teknike apo administrative, por sepse realiteti ka filluar të çajë propagandën. Dy bashkautorët e saj duken gati t’i thonë lamtumirë njëri-tjetrit, por pa guxuar të thonë publikisht se zhgënjimi erdhi nga vetë natyra e projektit. Asnjëri nuk pranon përgjegjësinë, sepse pranim do të thotë rrëzim historish politike .

Dështimi i Gjadrit nuk është dështim infrastrukture; është dështim moral dhe politik. Është prova se marrëveshjet që ndërtohen mbi cinizëm, mbi përdorimin e njerëzve si mall negocimi dhe mbi nevojën për imazh, nuk mbijetojnë përballë ligjit, shoqërisë dhe historisë.

Në fund, ajo që mbetet nuk është kampi që nuk u bë, por pyetja që vazhdon të rëndojë:

a mund të ndërtohet Evropa mbi marrëveshje të tilla, apo thjesht po shtyhet kriza nga një kufi në tjetrin?

 Në një zyrë pa dritare, ku orët nuk matin më kohën, por frikën, Edi Rama e di mirë çfarë ka bërë. Jo sepse ka pendesë, por sepse kujtesa e pushtetit është e pamëshirshme: ajo nuk harron asnjë abuzim, vetëm i shtyn ata në sirtarë gjithnjë e më të thellë. Që në ditët e para të qeverisjes, ai e kuptoi se pushteti nuk mbahet me të vërtetën, por me shtyrjen e saj për më vonë.

Sa herë që kërkesa e llogarisë i trokiste në mendje, ai nuk hapte derën. Ndërtonte një korridor tjetër. Një dalje emergjente. Një fjalë të re për të njëjtën gënjeshtër. Dhe kështu lindi figura e njeriut “përtej së majtës dhe së djathtës”, një formulë pa kuptim, por shumë funksionale, ku ideologjia vdes dhe mbijeton vetëm pushteti.

Miqësia me Giorgia Melonin nuk ishte takim vlerash, por takim frikërash. Ajo kishte frikë nga turmat që vinin nga deti. Ai kishte frikë nga turmat që nuk iknin dot nga vendi. Dhe kur dy frikë takohen, lind një marrëveshje që nuk guxon të quhet marrëveshje, por “zgjidhje”.

Gjadri u shfaq si një vend që nuk ekzistonte ende në hartë, por ekzistonte në gjuhën e propagandës. Një hapësirë ku refugjatët do të zhdukeshin përkohësisht, njësoj si fjalët e pakëndshme në konferencat për shtyp. Nuk ishte kamp, ishte harresë e organizuar. Një Pallat i Ëndrrave për trupat, jo për ëndrrat.

Në fillim, gjithçka u tha me zë të ulët, si sekret shtetëror që nuk ka nevojë për miratim. Ligji u përkul, morali u shty, gjuha u pastrua nga çdo ndjeshmëri. Njerëzit u quajtën “fluks”, “ngarkesë”, “dosje”. Sepse kur njeriu humb emrin, bëhet i transportueshëm.

Por makina filloi të kërcasë. Dokumentet nuk përputheshin. Gjykatat u zgjuan. Realiteti refuzoi të sillej sipas skenarit. Dhe projekti mbeti pezull, si një fjali e papërfunduar në një aktakuzë që askush nuk do ta firmosë.

Sot, dy bashkautorët e kësaj skeme sillen rreth njëri-tjetrit si dy funksionarë në një korridor të errët administrate, duke shmangur shikimin. Askush nuk flet për dështim. Fjala është ndaluar. Thuhet vetëm se “procedurat po rishikohen”. Sepse në botën e tyre, dështimi nuk ekziston , ekziston vetëm shtyrja e pafundme.

Dhe kështu, Gjadri nuk u ndërtua, por ideja mbeti. Ideja se njerëzit mund të zhvendosen si gabime. Se demokracia mund të pezullohet përkohësisht. Se miqësitë politike janë vetëm kontrata frike me afat të shkurtër.

Në fund, nuk ka kamp refugjatësh, nuk ka zgjidhje, nuk ka lamtumirë publike. Ka vetëm një heshtje të trashë, ku secili pret që tjetri të marrë fajin. Dhe mbi këtë heshtje, pushteti vazhdon të flasë  jo për të vërtetën, por për nevojën që ajo të mos thuhet ende.

Në këtë teatër të heshtur ku marrëveshjet nuk shkruhen për t’u zbatuar, por për t’u përdorur, marrëdhënia midis Edi Rama dhe Giorgia Meloni merr një kuptim më të thellë se sa ai i një episodi diplomatik. Ajo bëhet shprehje  e një epoke politike ku aleancat nuk ndërtohen mbi vizione të përbashkëta, por mbi dobësi të përbashkëta, mbi nevojën për të shtyrë një krizë që nuk guxohet të përballet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco