Nga Ndriçim Kulla - 09:30, 23/07/2025
SPAK nga një institucion i ideuar nga shumë faktor të brendshëm dhe ndërkombëtar për të pastruar korrupsionin në Shqipëri dhe për të rikthyer besimin e tronditur tek drejtësia , mbas shumë vitesh përvojë duket se për fat të keq, përfundoi tek shumica e njerëzve me profilin e dados së keqes.
-Dado e së keqes !
-Çfarë thua?!
-Çfarë është ky gjykim!
Mund të quhet vallë kështu institucioni më i dizajnuar që është produkti i një reforme të tërë për të na çliruar nga korrupsioni shtetëror me një gjuhë të tillë të vrazhdë?!
Po qe se je pjesë e kastës, po qe se je patronazhist profesionist apo rruge, po qe se je i mbërthyer mbas fijeve të interesave që të lidhin me shtetin apo institucioneve të shumta që kanë vartësinë e tij, në të tilla paragjykime mund të përfundosh.. Por, në se e vërteta ka më shumë forcë në gjykimin tënd, atëherë gjykimin mbi SPAK-un dhe disa institucione të tjera që rrjedhin nga kjo reformë e shtrembër drejtësie, do ti kesh pa syve tashmë si varre të hapura.
Ndërsa në kongresin amerikan (institucionit më i madh i demokracisë botërore vlon debati mbi burgosjen politike të liderit të opozitës shqiptare mesazhi i këtyre dëgjesave në kongresin amerikan, jo vetëm që nuk dëgjohet nga regjimi shqiptar autor i kësaj përndjekje, por përkundrazi vazhdon sfidën e marrëzisë që ka nisur kundra demokracisë me alibinë e një procesi gjyqësor të zhvilluar nëpërmjet SPAK-ut.
SPAK-u ndonëse vazhdon lojën e inskenuar me regji të kreut të regjimit për të penguar drejtuesit e të gjithë opozitës shqiptare ,duke shkelur me këmbe ligje dhe norma etike që do shqetësonin çfarëdo demokraci minimale, në Komisionin Evropian, prej burokratëve të tij vazhdojnë konsideratat dhe kotësirat për njollën më të zezë të drejtësisë shqiptare me emrin SPAK, e cila sot është vetëm ajo dadoja e kësaj qeverisje të korruptuar.
Kongresi Amerikan thotë me zë dhe figurë përpara gjithë botës demokratike, se për burgosjen e Sali Berishës janë investuar plotë 270 milion dollarë për të ashtuquajturën reformë sorosiane në drejtësi, ku SPAK-u dhe Dumani ende vazhdojnë ti bëjnë nina - nina pushtetit të bandave. Po a mund të mbrohet përjetësisht e pa mbrojtura?!
Që Irena Gjoka vazhdon të jetë pjese e GJKKO dhe të jap ende vendime drejtësi në një kohë që është e kapur me presh në dorë si kontrabandë në sistemin e drejtësisë, shprehë më shumë se gjithçka, se çfarë është GJKOKO dhe SPAK dhe me çfarë kriteresh është ndërtuat reforma sorosiane e drejtësisë.
Me fakte,shifra dhe logjikë, krijon një perceptim më të qartë, se çfarë është sot SPAK dhe sistemi ynë i drejtësisë.
Rezultate më shkatërruese zor se gjen po të kërkosh edhe në nivel botërorë se kjo periudhë e shkurtër që përfshinë pak më shumë se një dekadë.
Sot të gjithë drejtuesit opozitarë i ke ose të burgosur, ose në përndjekje politike ose nën hetim e sipër me procese politike të modelit rusë, bjellorusë ose venezuelianë. Ndërsa dosjet e pa shqyrtuara të njerëzve që kërkojnë drejtësi, nga afërsisht 20 mijë që figuronin në 2013 kanë kapur shifra të pa imagjinueshme rekordi brenda 12 vjetëve, duke arritur sot në 170 mijë.
Ndërsa po të ndjekësh vetëm disa fakte banale si fakti i tmerrshëm i gjyqtares së famshme Irena Gjoka dhe të pyesësh se çfarë ndodh me drejtësinë, ndjehesh menjëherë në Tabil Saraj ku nga galeritë e errëta të kësaj humnere drejtësia ka labirintet më të frikshme.
Atë e morën nën kontroll hileqarët dhe duke i lënë përjashta si fasadë vetëm emrin e tij, i strukturuan ndryshe së gjërat, duke parashikuar në mënyrë inxhinierike zhvillimet e saj në përputhje me interesat e ruajtjes së pushtetit. SPAK-u u bë ngadalë ngadalë shërbëtori më i devotshëm i pushtetit që garanton me çdo mënyrë jetën e tij përball vdekjes së mundshme. Për vite me radhë pamë skandale korrupsioni ose akte të tjera penale pothuajse të pa administrueshme që kishin dhe kanë të bëjnë me shtetin e drogës dhe parave të pista dhe SPAK-u qëndroi gjithmonë në sfond të këtij kriminaliteti si alibia e drejtësisë. Koha na ndihmon me fakte dhe rivlerësime të pa numërta se ai ruajti normalitetin e këtij anormaliteti.
Mirëpo e vërteta kalon si drita e pastër e dritës dhe tashti ka arritur që ta zbuloj ngadalë ngadalë monumentin e nëndheshëm qe i kanë ngritur koha SPAK- ut.
Tashti ndryshe nga sa më parë, koha kundërmon me shumë ngjarje dhe po shohim të shpërdridhen shumë e më shumë dredhi e të kumbojmë të këqijat dhe ndyrësitë.
Avokatët e vetëm të apasionuar që flasin për sukseset e sistemit në drejtësisë, ku pjesa më kryesore e së cilës është Prokuroria e Posaçme janë tre kategori njerëzish; ata për të cilët është projektuar dhe realizuar kjo reformë, pra regjimi i sotëm, sponsorizuesit e kësaj strategjie me në krye rrjetin mediatik sorosian dhe ushtrinë propagandistike të kulturës Wokë me shtrirje të madhe në Shqipëri gati në çdo cep dhe një kategori ambasadorësh evropian të akredituar në Shqipëri si më konkretisht; Romana Vllahutin, Yuri Kim, Luigji Soreka, Gabriel Eskobar, Mathieu Palmer, Alastair King-Smthi, dhe tashti ambasador Silvio Gonzato.
Ndërkaq makina e propagandës vazhdon të amplifikojë lajme se gjoja do t’i dënojë me gjithë fuqinë këta imoralë dhe të korruptuar, e për më tepër do të shumëfishojë jehonën e pohimit të Ramës se drejtësia duhet të dënojë pa kursim këdo, se fajin s’e ka sistemi, por njerëzit. Madje shumë opinionistë të cilët frymëzim kanë vetëm paratë që iu jep pushteti do të pyesin, se përse vallë po dënohen vetëm nga një anë, sikur të kenë harruar se regjimi socialist ka mbi 12 vjet që sundon i pacenuar nga askush. Mirëpo kur mendon se çfarë aferash pret populli të përfundojë SPAK-u deri në fund, pra duke dënuar pikërisht kokat dhe drejtuesit kryesorë të tyre, të duket sikur jemi në një “lojë” mediatike të thurur me regjinë e propagandës, për të shfryrë urrejtjen dhe energjinë negative që ka populli me këtë regjim, nëpërmjet ca peshqve të vegjël apo ngjarjeve shumë të vogla e të papërfillshme përpara ngjarjeve vërtet të rëndësishme, tronditëse, për të cilat SPAK-u duhet të përgjigjet: afera e inceneratorëve, ajo e portit të Durrësit, e pastaj në vijim masakrën e tmerrshme të zgjedhjeve elektorale që realisht as ia ka prekur cipën. Ky është fokusi i madh që nuk duhet të ndryshohet, çdo gjë tjetër vërtet duhet të dënohet, por nuk duhet të zhvendosë dhe t’i bëjë hije këtyre aferave gjigante. Ne presim peshqit e mëdhenj, ministra e “kryeministër” të përfshirë në vjedhje kaq të papërfytyrueshme, që i bën këto korrupsione ala-beqiane ose ala giciane, të duken si barsoleta e dënimit të Nexhmije Hoxhës dikur. Të gjithë prisnin dënimin e saj për gjenocid, për themelimin e një diktature, e një regjimi dhe jo dënimin e saj për shpërdorim të pamasë kafeje. Këtë shije të lënë edhe këto “dënime aferash të vogla” përpara atyre aferave të mëdha që zvarriten me qëllim që të lihen në hije e të harrohen, me idenë se koha që kalon zhduk çdo gjurmë. Ne nuk kemi nevojë për karamele drejtësie, ne si popull kemi nevojë për barazi dhe drejtësi të vërtetë të të gjithëve para ligjit, cilët do qofshin, aq më shumë zyrtarë të lartë. Viriliteti i gjërave të vogla nuk na e fyen as inteligjencën dhe nuk na e rresht as durimin dhe as pritshmërinë se një ditë populli do t’i bëjë të përgjigjen për qindra milionat e eurove të harxhuara e të vjedhura në kurriz të tij.
© SYRI.net