Rama-Veliaj, këta shenjtorë që po tradhtohen nga dishepujt e tyre

Rama-Veliaj, këta shenjtorë që po tradhtohen nga dishepujt e tyre

Nga Armand Shkullaku - 08/04/2024

Reagimi kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës, në lidhje me korrupsionin e frikshëm në qeverisjen e kryeqytetit, tregon se krerët e organizatës së Rilindjes kanë arritur në pikën ku nuk iu bëhet më vonë se sa të besueshëm mund të jenë në justifikimin e tyre dhe se çfarë mund të mendojnë ata që i votojnë. Rama dhe Veliaj këpusin të njëjtat kopaçe, pa e vrarë mendjen se qytetarët nuk janë dele që mund të përtypin broçkullat e tyre të pafajësisë, ndërsa sistemi i kalbur i një qeverisje mafioze është i qartë për të gjithë.

Nëse dikur Rilindja ishte përpjekur ta ruante një farë cipe të asaj që quhet përgjegjësi politike, tashmë ajo ka plasur fare. Pasi kanë bërë për budallenj “heronjtë” e SPAK-ut (kuptohet me dëshirën e plotë të tyre) Rama e Veliaj po i marrin dhe shqiptarët për budallenj me argumentin se “ç’punë kemi ne, me çfarë bëhet poshtë nesh”. Çështja është se në këtë vend të vogël, si prokurorët e SPAK ashtu dhe çdo qytetar i thjeshtë, e ka të qartë skemën me të cilën operon organizata e Rilindjes. Qindra milionë euro që rrjedhin nga tendera, konçensione e PPP dhe shkojnë për të pasuruar disa, për t’u përdorur në zgjedhje, për të blerë media e gazetarë, nuk lëvizin nga inisiativa e disa individëve që abuzojnë me postin, por janë mekanizmi, i cili garanton pushtetin e kupolës së Rilindjes.

Do të mjaftonte një logjikë fare e thjeshtë për të kuptuar se përse fjalimet patetike të Ramës apo Veliajt janë qesharake dhe nuk bindin askënd. Si njëri dhe tjetri nuk u gjendën përballë një skandali që shpërtheu papritur. Ata nuk u kapën në befasi nga një skemë e fshehtë dhe e sofistikuar korrupsioni, që vartësit e tyre kishin thurrur në konspiracion të plotë. Si në rastin e skandaleve të qeverisë, ashtu dhe në ato të bashkisë, prej vitesh ishte dhënë alarmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, opozita dhe media se miliona euro po abuzoheshin hapur ditën për diell. Por askush nuk mori mundimin t’i verifikojë këto akuza, madje përkundrazi bënë avokatinë e tyre, sepse sistemi dhe organizata nuk duhej të dekurajoheshin. Ndërsa kur ndonjë prej ushtarëve të Rilindjes binte në rrjetën e drejtësisë, formula magjike ishte: Partia Socialiste nuk është zyrë avokatie.

Mbledhja e asamblesë së PS tek inceneratori i Elbasanit, shëtitja e kryeministrit nëpër studio televizive e spitale me bisturi në dorë, mbrojtja publike nga Velia e drejtorëve që bënin tendera për kompaninë e tyre, ishin pikërisht strategjia për t’u dhënë zemër atyre që “vjedhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vjedhin vota për të vjedhur Shqipërinë”. Përndryshe si mund të shpjegohet që kryeministri dhe kryebashkiaku, këta njerëz të punës dhe me shije të lartë, nuk pyetën kush ishin biznesmenët që do të menaxhonin dhjetra milionë euro nga buxheti i një vendi të varfër.

Si ka mundësi që një projekt që shkonte deri në 430 milion euro (inceneratorët) iu besua disa individëve pa emër e përvojë në këtë fushë? Si doli një murator nga Italia që fitoi besimin e liderit sqimatar për koncesionin e sterilizimit apo një bukëpjekës i ngratë që mposhti gjithë kompanitë e mëdha për të trimfuar në tenderat disa milionëshe të Bashkisë? A nuk u befasuan ata njëherë të vetme për këtë sukses të papritur të shtresës modeste të shoqërisë që do habiste dhe baballarët e ekonomisë së tregut? Mirë Edi Rama, se ndoshta në atë kohë ka patur halle shumë më të mëdha mbi supe si fjala vjen kriza në Bjellorusi apo pajtimi i Greqisë me Turqinë, po ky i bashkisë si nuk e takoi njëherë bukëpjekësin për ta reklamuar si model suksesi të njeriut të punës?

Gjithësesi, Rama dhe Veliaj mund të thonë përsëri se ç’punë kanë ata se si prokurohen paratë publike, kush i merr dhe ku i çon. Prokurorët e SPAK mund të jenë të kënaqur me këtë shpjegim, por qytetarët sigurisht që nuk janë dele. Nëse dikur jepej 20 përqindshi si tarifë korrupsioni për tenderimet publike, Rilindja e ka çuar nivelin ma nalt: krijon kompanitë e veta për ta marrë të plotë llokmën nga taksat e qytetarëve. Nëse dikur bëheshin manovrime me letra për të përcaktuar një garë, tani privati merr kodet e komisionit të vlerësimit për të hyrë vetë në procedurë e për t’u vetëshpallur fitues. Por përsëri udhëheqësit nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Rama nuk ka përgjegjësi që ministrat hanë mollë e dardha. Zëvendëskryeministrja nuk ndjen asnjë barrë faji që drejtori i saj më i rëndësishëm i çonte paratë publike te kompania e tij. Ky i bashkisë është krenar që nuk ka ditur gjë që milionat e buxhetit shkonin tek biznesi i drejtorëve të tij. A mund të quhet shtet ky? Në mos për përgjegjësinë penale, por për atë politike, a do duhej të paktën të kërkonin falje dhe të ishin kokëulur?

T’ia faturosh rënien e shtetit disa vartësve, që janë thjesht ekzekutorët e organizatës, nuk është turp vetëm për ata që e bëjnë, por edhe për prokurorët e SPAK dhe për të gjithë ata që bëjnë sikur e besojnë. Është njësoj sikur një kumbar i mafias, që ndan punët dhe drejton organizatën, kur i kapen ushtarët, të dalë të thotë se përgjegjësia është individuale, se ai respekton ligjin dhe punon në shërbim të komunitetit. Këtu kemi arritur dhe s’kemi parë gjë akoma.

/Lapsi.al

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco