Justicialismi: Drejtësi e re apo drejtësi e Rilindur?

Justicialismi: Drejtësi e re apo drejtësi e Rilindur?

Nga Alfred Lela - 08/04/2024

Skandali i radhës-janë bërë aq të shumtë sa nuk i lënë as radhë njëri-tjetrit-, zbuloi të njëjtin problem sistemik, si në qeveri ashtu edhe në bashkinë më të madhe në vend që drejtohet nga Erion Veliaj.

Një duzinë drejtorësh të lartë, të grumbulluar rreth një korporate privato-bashkiake të emërtuar 5D, shërbenin si manovratorë të aktiviteteve të dyshimta në qeverinë e Tiranës.

Për krahasim, mund të thuhet se, siç ka rënë qeveria pas implikimit në korrupsion të disa ministrave, edhe bashkia ra, pikërisht nëpërmjet rënies së ‘ministrave’ të saj, drejtorë të lartë.

E gjithë kjo që ndodh risjell, për të satën herë në ligjëratën publike, qëndrimin e qeverisë dhe bashkisë, të pagëzuar në shkrime të mërpashme si justicialismo. Përmbledhtazi, ky term shenjon këmbimin e qeverisjes politike, pas rënie së saj qoftë edhe simbolike, me një lloj të ri guvernance ku prin drejtësia me aparatin e saj të prokurori-gjykatave.

Tek dëgjoje kryebashkiakun Veliaj të përballej, më në fund, me trysninë publike ndaj përfshirjes së bashkëpunëtorëve të afërt në korrupsion të dyshuar, të vriste veshin pikërisht ky ‘dorëzim’ i çelsave të publikes te një trupë për të cilën shqiptarët nuk votojnë, drejtësia.

Po ta përqendrosh ligjëratën e Ramës dhe Veliajt në një frazë të shkurtër do të ishte ‘ne vjedhim, por drejtësia është e fortë’.

Ky është, pra, justicialismi dhe është i rrezikshëm fort.

Së pari, sepse nuk kryen atë që demokracitë parlamentare kanë në themel, ndarjen e pushteteve, por mbivendos një pushtet kundër tjetrit, sipas nevojave të çastit. Në këtë rast ekzekutivi është i lumtur të qeverisë pa ndërprerje duke lëshuar në golletë e drejtësisë disa eksponentë të saj. Kjo duket si rivendikim i publikut-ata vjedhin, por edhe dënohen-, por çka nuk prodhon është përgjegjësia. Ku është përgjegjësia politike në këtë rast? Kush e mban? Kush e reflekton?

Së dyti, politika, nëpërmjet qeverisë dhe bashkisë, nuk mund t’u nxjerrë përpara votuesve shqiptarë drejtësinë si mburojë. Sikur për asgjë tjetër, për atë se në Shqipëri, ndryshe nga sa në Amerikë, nuk votohet drejtpërdrejt për prokurorët dhe gjykatësit. Pra, nuk lahen duart e Ponc Pilatit qeverisës duke thënë se e zgjidh trupa juridike hebreje dënimin e Krishtit, se nuk është çështje e Romës politike, por punë banditësh dhe gjykatash.

Kjo bëhet, sigurisht, për të zhveshur qeverinë/bashkinë nga përgjegjësitë dhe për ta zhvendsour debatin publik drejt gërmushjeve të tipit “Krishti apo Baraba?”. Në fund shpëton Baraba, sigurisht, edhe pse në këtë lojën tonë nuk asnjë Krisht.

Duhet shtuar se, drejtësisë së re i shkon për shtat ky shtet i ri jolegjitim i bazuar në justicialismo, qoftë edhe për faktin banal se i motivon të kërkojnë rritje rrogash dhe benefite të tjera nga qeveria (siç edhe kanë bërë). Pa harruar idealizimin e tyre nëpërmjet sondazhesh që heroizojnë ata dhe ndihmojnë qeverinë.

Ky pakt mefistofelian mes qeverisë dhe drejtësisë, për të lejuar një justicialismo ad hoc zhbën përpjekjet shtetndërtuese të 32 viteve e disa qeverive. Ekzekutivi nuk mund të fshihet pas gjyqësorit dhe as të zgjidhë kriza politike nëpërmjet tij. Gjyqësori nuk mund të luajë rolin e parzmores së qeverisë, duke ruajtur krerët e saj dhe duke rrokullisur ‘koka turku’. Kush i prin fushatave politike duhet ta mbajë edhe barrën e fajit për ekipin që ndërton dhe zgjedh për të qeverisur pas fitores.

Futja e drejtësisë në mes kësaj aksiome demokratike, publikut dhe interesit të tij, është asgjë më pak se trupa juridike që ekzekuton Krishtin dhe lë në qarkullim Barabën (Krishti në këtë rast është një sistem i drejtë i shtetit ligjor dhe demokratik)./POLITIKO

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco