Sjellja arrogante e Dumanit, servilët e KLP-së dhe shifrat shqetësuese!

Sjellja arrogante e Dumanit, servilët e KLP-së dhe shifrat shqetësuese!

Nga Flamur Vezaj - 08/04/2024

Altin Dumani lexoi raportin vjetor të institucionit të SPAK-ut pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke i përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të këtij këshilli!

Kishte nga ata që flisnin me superlativa e servilizëm deri sa dukeshin të pështirë, sidomos lajkat, furçat apo fjalët “faleminderit që erdhe”, “raport brilant” etj. Disa dukeshin shumë qesharake! Për një moment po prisja të thoshin edhe “Altin, faleminderit që ekziston”, fiks si shprehjet e pastorit të asaj “kishe” që i dhuroi shtëpinë Dumanit!

Por ky i fundit nuk e fshehu nervozizmin, fjalori, toni i zërit, gjuha e trupit e sidomos kur u pyet në lidhje me ndikimin e qeverisë tek vendimmarrjet e tij apo edhe tek përgjigjet me arrogancë deri në delir për pyetjet e z. Bazaj!

Si nuk i vrau veshin askujt ato përgjigjet me prepotencë që i mbyllte me shprehjet “dakord, dakord”, “ç’janë këto mo, se i kemi mësuar në fillore”, “janë elementare për një jurist”, “janë në Kushtetuese, nuk i nxora nga xhepi” etj.!

Po si nuk i tha njeri prej atyre “këtu je për të përgjigjur dhe për të dhënë llogari për punën njëvjeçare dhe jo për të bërë komente mbi pyetjet”! Para KLP-së, Dumani duhet të jepte shpjegime dhe të matet dy herë për përgjigjen! Por ishte e kundërta, aty pashë disa anëtarë të KLP-së të tredhur dhe që nuk kishin guxim ta kritikonin apo të pyesnin për shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë punës së tij, si për shembull në rastin e gazetarit Qyno, që e mbajtën peng mbi 10 orë të mbyllur në zyrë me çelës, i kontrolluan makinën si dhe lokalin ku kishte telefonat celularë në 1 pas mesnatës pa vendim gjykate etj, etj.!

Gjithsesi, me atë nivel përfaqësimi në KLP, nuk u surprizova, bile për disa të tjerë u zhgënjeva! Ai ka kopjuar keq ish-shefin e tij A.Kosova për takimet me gazetarët “off record” duke u mburrur se ka marrëdhënie të mira! “Të mira” duke u terrorizuar fëmijët dhe familjen e gazetarëve!? Kjo është e mira?! Po nuk ke faj ti jo, fajin e kanë ata që të servilosen për një lajm apo mesazh!!

Por të kthehem te shifrat, të cilat për mendimin tim janë shqetësuese!

Kreu i SPAK-ut përmendi se për një vit kishte nisur hetimet me iniciativën e institucionit vetëm në 67 raste! Pra, për 365 ditë vetëm 67 raste! Shumë, shumë pak për sa denoncime publike dalin çdo ditë në media apo rrjetet sociale dhe jo vetëm! Arsyet e tjera i di vetë ai!

Fakti që ishin shumë të ngarkuar si “punëtor krahu” dhe nga ana tjetër thoshte se nuk dua prokuror, por hetues, tregon se do “ushtar” të bindur, jo prokuror, që mund të kundërshtojnë! Sepse nëse një prokuror ka mbi 150 dosje në vit, normale që është shqetësuese edhe fakti se SPAK-u ka probleme të theksuara me “mbartjen e dosjeve” tashmë ndër vite. Thënë ndryshe, zvarritje me hetimet, dosje të pa përfunduara, e dosje që flenë në prokurori me vite!

Ai theksoi një shqetësim se kishte kërkuar izolimin në sistemin BIS të 5 të dënuarve dhe ministria kishte zbatuar vetëm 2!?

Ndërkaq, gjyqtarët tha Dumani, vendosin çfarë prokuroria kërkon, pra, gjyqtarët nuk janë mbi palët, por palë me prokurorinë, pasi ndihen edhe ata të shantazhuar nga SPAK-u!

Ai ngriti edhe një shqetësim për oficerët e BKH-së, për profesionalizmin dhe ngarkesën, ku nga 60 që janë, gati 40 merren me përgjime dhe aspekti profesional i disa prej tyre lë për të dëshirua,r tha Dumani, duke njoftuar se kishin filluar vlerësimin profesional të hetuesve të BKH-së, kuptohet për t’i hequr ata që “nuk dëgjojnë”!

Shqetësues është edhe fakti që shumë zyrtarë të policisë janë të përfshirë me grupet kriminale, për të cilët Dumani tha se nuk mund të bashkëpunojmë dhe vetëm 15% e dosjeve hetohen me policinë! Me këtë deklarata, bie propaganda e Ballës se “ne kemi pastruar zyrtarët e korruptuar nga radhët e policisë”!

Për të vendosur vulën të atyre që u thanë, ishte fakti që për 365 ditë vetëm 12 raste, institucionet shtetërore kanë bërë kallëzim në SPAK!!! Kaq!

Kjo tregon se ka një vendim të pashkruar nga qeveria, e cila e ka udhëzuar administratën mos të referojë asnjë material kallëzues, për kundër korrupsionit në shesh! Mendoj se ky “vendim” i qeverisë për të mos kallëzuar është një tregues i qartë se kjo qeveri gënjen kur thotë që “ne donim dhe e krijuam këtë institucion”! Refuzimi për të kallëzuar e bashkëpunuar tregon të kundërtën e asaj që thonë! Pra, KM e thotë vetëm për propagandë militantësh në publik, sepse në rrugë zyrtare këta nuk e duan këtë institucion dhe kanë ndërprerë bashkëpunimin.

Në fund, Dumani “pranoi” se me “pengmarrjen” dhe terrorizimin e gazetarit Qyno ka ndaluar rrjedhën e informacioneve nga burimet, duke bërë publike vetëm ato që ai miraton dhe dëshiron të dalin në publik nëpërmjet zyrës së shtypit!

Pra, gazetarët e kronikës fatkeqësisht janë në zhdukje!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco