Kur drejtësia i nënshtrohet urdhërave të Ramës dhe Ballës: Një shembull skandaloz, por i zakonshëm, i katandisjes së Reformës në Drejtësi

Kur drejtësia i nënshtrohet urdhërave të Ramës dhe Ballës: Një shembull skandaloz, por i zakonshëm, i katandisjes së Reformës në Drejtësi

Nga Jamarbër Malltezi - 03/04/2024

Nga Jamarbër Malltezi

Ka mbi 6 vjet që në Shqipëri askush nuk fiton asnjë çështje nëse bie ndesh me dëshirat e Edi Ramës.

Nënshtrimi i plotë dhe kthimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve në figurina butaforike shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese që mori vendim kundër ligjit të vetë Gjykatës Kushtetuese në injorimin e të drejtës së 1/5 së deputetëve për të vënë në lëvizje GJK.

Ja një shembull i thjeshtë personal për të treguar shumë mbi groteskun e degjenerimit të drejtësisë.

Në 2012 hodha në gjyq civil Taulant Ballën për shpifje, pasi gënjeu publikisht duke pretenduar sikur Jamarbër Malltezi kishte vjedhur tokën ku ishte ish-Klubi i Ministrisë së Mbrojtjes Partizani, apo sikur ajo tokë (që hajdutët komunistë ia grabiten familjeve të nderuara themeluese të Tiranës si Begeja, Llagami, Vaqaqi, Alimehmeti e Saliaga) të ishte shpronësuar nga Italia.

Z. Balla si i paditur (ndonëse me doktoraturë me plagjiaturë-vjedhje) kishte shkruar se toka ishte shpronësuar nga Shefqet Vërlaci dhe Jako Mane (mesa duket e kujton Mekëmbësin e Italisë Jakomoni për ndonjë fshatar me emrin Jako Mane).

Gjykata civile e shkallës së parë e ftoi të paraqiste fakte apo prova, por ai nuk paraqiti dot gjë. Për pasojë ai u gjet fajtor për shpifje e u dënua me gjobë.

Në 2014, ndonëse Taulanti nuk paraqiti dot asnjë fakt, një gjyqtar “hallexhi” në Gjykatën e Apelit e rrezon vendimin pasi deklaroi se Balla ka të drejtën e shprehjes së lirë dhe se “shpifja mund të jete civile ose penale dhe meqë është kështu, le të vlerësohet si penale dhe barrën e provës ta këtë i dëmtuari e jo shpifësi!”

Pra gjyqtari me mbi 35 vjet eksperiencë kinse nuk kuptonte dallimin mes një çeshtje civile dhe një çështje penale. Gjyqtari iku me dorëheqje kur filloi vetting, se këta i keqpërdorin e pastaj i tallin.

2014-2022 dosja mbeti në Gjykatë të Lartë dhe u kërcënuan gjyqtarët për të mos e trajtuar. Për pasojë mbeti 8 vjet pasi askush nuk guxoi kush t’a prekë me dorë.

2021-2022 Soros dhe Delina Fico (gruaja e ministrit Çuçi dhe ish-gruaja e kryeministrit) marrin përsipër të shqyrtojnë dosjet që janë në Gjykatë të Lartë për të lehtesuar (!) punët.

2022: Gjykata e Lartë njofton në ëebsite se më 25 Maj 2022 do shqyrtojë dosjen. Në të njëjtin njoftim thuhet se seanca e datës 25 maj 2022 nuk do mbahej dhe do shtyhej për një datë tjetër.

Asnjë njoftim i mëtejshëm nuk u bë.

Në mes të Shtatorit 2022 avokati im shkon në Gjykatë të Lartë të interesohet se kur do mbahet seanca dhe i thonë se seanca u mbajt më 09 qershor 2022, pa njoftuar fare as mbajtjen e seancës dhe as vendimin e marrë.

Avokatit ju tha se Gjykata vendosi rrezimin e rekursit pasi kanë hyrë dispozita të reja të kodit të procedurës civile, ndonëse kjo çështje kishte 8 vjet pritje dhe vetë ligji e kishte përcaktuar se, për dosjet që janë në shqyrtim do vijohet të gjykohen me procedurën që ishte në fuqi kur kish nisur çështja!

Asnjë shpjegim se pse, as nuk u njoftua se kur do mbahej dhe as nuk u njoftua zyrtarisht pala për vendimin e gjykatës!

Për më tepër, kur avokati kërkon dosjen që ta çojë për ankim në Gjykatë Kushtetuese, i thuhet se “dosjen e çështjes civile e ka sekuestruar SPAK“!

Pse do duhej SPAK të sekuestrojë dosje civile? Pse mos bënte ndonjë fotokopje nëse kishte nevojë?

Në fakt prokurorja ishte pjesë e grupit të prokurorëve nga Elbasani që u katapultuan në SPAK nga sponsorizimi i Taulant Ballës dhe Qazim Sejdinit.

Nëse nuk depoziton dosjen Gjykata Kushtetuese nuk të shqyrton ankimin, ndaj avokati im priti 2-3 muaj që të merrte dosjen. Në Dhjetor 2022 avokati im çoi ankimin në Gjykatë Kushtetuese.

Më 8 Mars 2023 Gjykata Kushtetuese më nisi një zarf me vendimin për mosshqyrtimin e dosjes pasi ka kaluar afati 4 mujor i ankimimit që e nisnin nga data 9 qershor 2022 kur Gjykata e Lartë kishte marrë vendimin, e jo nga data (mesi shtatorit 2022) kur pala u njoftua për vendimin! Ka të paktën 3 vendime të Gjykatës së Strasburgut që njofton Gjyqsorin Shqiptar se llogaritja e afatit fillon nga data e njoftimit të palës e jo nga dalja e nxjerrjes së vendimit. Vendimi i gjykatës kushtetuese ishte firmosur nga skifterët e Soros përfshirë kunatin e Mimi Kodhelit.

Ndaj këtë çështje e depozitova pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ka shumë shkelje, duke filluar qysh me proces të padrejtë dhe shkeljet e procedurave në mënyrë të padenjë nga gjithë zinxhiri i gjyqsorit, vetëm që mos i cënohet një qime floku nga interesat Taulant Ballës së PS.

Disa pyetje për drejtesinë me rregji të Edi Ramës dhe Soros reformës:

Mos vallë nuk e dinte dallimin mes çështjes civile dhe asaj penale ish-gjykatësi i apelit me eksperiencë mbi 35 vjeçare?

Pse mbi 8 vjet Gjykata e Lartë nuk guxoi të shqyrtonte çështjen?

A ka ndonjë vend tjetër në botë ku Soros reforma, ish-gruaja e kryeministrit dhe gruaja e ministrit të Brendshëm të vendosë për çështjet gjyqsore?

Cila është baza ligjore mbi të cilën Gjykata e Lartë vendosi t‘a shqyrtojë dosjen sipas Procedurës Civile të re, ndërsa kjo çështje kishte 8 vite në pritje dhe vetë ligji i ri për Proceduren Civile shprehet se çështjet në trajtim do vijojnë me procedurën që ka nisur?

A mos vallë janë kaq të paaftë Gjykatësit e GJL sa të mos lexojnë nenin e ligjit apo u detyruan? Apo ju dha e gatshme nga Delina dhe Edi Rama?

Pse Gjykata e Lartë nuk njoftoi palën me shkrim as për seancën, e as për vendimin?

Pse Gjykata Kushtetuese injoron 3 vendime të Gjykatës së Strasburgut lidhur me afatet?

Pse SPAK shkeli të drejta Kushtetuese të njeriut duke sekuestruar dosje civile dhe mbajtur për mbi 1 vit?

Për të mos prekur një qime floku nga interesat e mashtruesit bashkëpunëtor me trafikantët Balla, gjyqtarët në të gjithë nivelet e gjyqsorit zgjodhën të nëpërkëmben dhe të bëjnë idiotin e dobishëm pavarësisht se bien ndesh me ligjet e shkruara dhe me vendime të Gjykatës Evropiane.

Grotesku vijon me Taulant Ballën që shpifjen që kreu dhe që nuk u dënua në proces civil e dergon tek prokurorja e promovuar prej vetë Ballës në SPAK në 2020. Pra depozitoi Kallzim Penal të rremë me të paktën 3 gënjeshtra dhe vijonte të deklaronte në media se, “kam sjelle dokumente se toka është shpronësuar nga Shefqet Vërlaci dhe Jako Mane”.

Taulanti kallzimin e kishte për gjithë qeverinë Berisha si edhe për persona të tjerë që nuk janë fare subjekti i ligjit, por SPAK e rregjistroi kinse pa emër në 2020.

Edi Rama i urdhëroi prokurorët në Kongresin e PS më 09 Prill 2022 dhe në Asamblenë e PS më 07 Maj 2022 të procedonin Sali Berishën pasi, “po deligjitimohet SPAK-u dhe gjithë reforma në drejtësi”, dhe prokurorët e nënshtruar nisën brenda pak ditësh 6 kërkesa hetimi pasuror për Jamarbër Malltezin, gruan dhe fëmijët dhe tij, duke hetuar deri mbesat e Berishës qysh kur nuk kishin lindur ende.

Keqpërdorimi politik i SPAK vijon edhe sot:

Gjetën që Taulant Balla kish bërë kallzim të rremë, por nuk guxojnë të shprehen.

Gjetën që Edi Rama kish shpërdorurar detyrën duke sjellë dëm të vërtetuar me vendim gjykate prej mbi 320.000 eurosh, por nuk guxojnë të shprehen.

Fshehën qindra dokumente që nuk ju volisnin përfshi mbi 20 kontrata të blerjeve të tokës së bashkëpronarëve nga Malltezi, si edhe mbi 350 kontrata të shitjeve në gropë që siguruan investimin.

Gënjyen duke paraqitur ndërrimin e destinacionit të zonës, nga sportive në banimi sikur e kish kryer Berisha, kur në fakt ishte kryer nga 10 drejtorët e Edi Ramës (Këshilli Teknik i Bashkisë) në 2006 pa pasur fare kërkesë të pronarëve të tokës. Më pas këtë vendim të Këshillit Teknik, po Edi Rama e miratoi në KRT-n e Tiranës dhe e çoi në KRRTRSH për miratim së bashku me një dyzinë tjetër vendimesh që ju miratuan të gjitha.

Gënjejnë sikur ndryshimin e destinacionit e kreu Berisha kur ju del që e ka kryer Edi Rama me Keshillin Teknik të tij, qoftë në 2006 dhe qoftë në 2008 me kompaninë Urbaplan dhe vendimin 238 të datës 27.12.2008 të KKRT Tiranë. Këto vendime Edi Rama i ka marrë pa kërkesë të palës pronare të tokës dhe pa përfunduar procesin e privatizimit të objekteve të rrënuara.

Genjyen lidhur me qënien apo jo në planin e përhapjes së ushtrisë, kur dokumenti zyrtar tregonte se nuk ishte, e për më tepër as nuk posedoheshin, pasi objektet e rrënuara ishin të uzurpuara nga 42 familje informale dhe dy biznese pa asnjë tagër ligjor, ndërsa zyrtarët shtetërorë paguheshin nga shteti e mbyllnin sytë ndaj zaptimit mesa duket përkundrejt  rryshfetit.

Qindra pronarëve – pinjollë të 5 familjeve pronare themeluese të Tiranës – ju kthye prona e tyre private pasi shteti jua vodhi për 65 vjet dhe në fund i detyroi të paguajnë 800,000 $ për disa objekte të rrënuara dhe të uzurpuara dhe SPAK ka dyshime për korrupsion pse ju kthye këtyre 100 familjeve toka e vet! Por po këta prokurorë nuk bëzajnë kur Edi Rama me firmën e tij vendos të bëjë milioner vëllain e tij duke i dhuruar 37,000 m2 tokë, përfshi 5,160 m2 ndërtesa për vetëm 1 euro! Për më tepër repart ushtarak në planin e përhapjes.

Mbi bazën e korrupsionit të pretenduar, pse qindra familjeve ju kthye prona dhe e zhvilluan siç deshën vetë, prokurorët politikë urdhëruan menjëherë sekuestrimin e pasurive të Jamarbër Malltezit pa treguar se si dhe pse këto prona dyshon se lidhen, pasi përfshin deri tokë të blerë në Priskë në vitin 2003 me çmim 8-9 herë më të lartë sesa deklarimi i Edi Ramës që kinse e bleu tokën në Surrel me 2 usd/m2, ose apartament të blerë me kontrate porosie qysh në 2005. Ligji detyron të tregohet si lidhet secila pronë me veprat e dyshuara, por ligji është një teknikalitet i parëndësishëm në qeverisjen e PS dhe reformën e Soros. Ndaj edhe gjyqtarët e GJL kthehen në lolo e vendosin në kundërshtim me vendimet e njëhsuara që kanë nxjerrë po vetë.

Kapja e drejtësisë dhe keqperdorimi politik nga Edi Rama ka bërë që këto 6 vitet e fundit të mos ketë asnjë vendim që bie ndesh me dëshirat e Edi Ramës. Në fillimet e qeverisjes, Edi Rama telefononte personalisht gjyqtarët dhe i kërcënonte “do të këpus këmbët” nëse nuk burgos X për mos pagesën e dritave. Sot i ka të nënshtruar tërësisht prokurorët dhe gjyqtarët dhe i ka kthyer në lolo që presin mesazhin nga Agaçi që të marrin urdhrin për të vepruar. Pikërisht nga Agaçi që duhej të përgjigjej për rolin e tij në batërdinë me inceneratorët inekzistentë, e që SPAK nuk guxon as t’i permendë emrin në dosje.

Ndërkohe që asnjë gjykatë Shqiptare nuk ka dhënë një vendim kundër qeverisë këto 6 vitet e fundit falë mender Soros-reformës, Shqipëria është dënuar dhe gjobitur më shumë se kurrë në histori në arbitrazhet ndërkombëtare, dëmime që i paguajnë të gjithë Shqiptarët.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco