Kronikë e paplotë për pushtetin e Edi Ramës

Kronikë e paplotë për pushtetin e Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj - 13/01/2024

Në 10 janar 2024 Edi Rama i dha vetes një tjetër të drejtë që ia mori opozitës, ta bëjë Kodin Zgjedhor vetëm. Konferenca e shtypit nga Shëngjini, ku u shpall ky vendim, ndodhi dje, por raportimi nuk mund të bëhet më pa data. Janë momentet historike të rikthimit në diktaturë prandaj çdo vendim që i shërben, duhet të ketë datën.

Ndodhi në 2017, që, në marrëveshje më Lulzim Bashën, pas 5 orësh bisedime jotransparente, të bëheshin zgjedhjet në një afat më të shkurtër se 40 ditët që Kodi Zgjedhor kërkonte për regjistrimin e Koalicioneve. Pasoja ishte që Edi Rama, për herë të parë fitoi pa aleatë, vetëm 1 vit pas kanabizimit të plotë të vendit. Ishte 17 maj 2017, kur Lulzim Basha me shtrëngimin e dorës përpara kryesisë së Kuvendit, i hapi rrugën Edi Ramës për të ndërtuar pushtetin personal.

Ndodhi në shkurt të 2019 kur opozita dorëzoi mandatet, për të lënë një parlament njëpartiak dhe për ta shtuar pushtetin personal të Edi Ramës. Dukej sikur Lulzim Basha kishte marrë vendimin të mos ndiqte më farsën institucionale të një pushteti që ishte kapur në përgjime, duke vjedhur zgjedhjet, duke mohuar të drejtën bazë që një vend të quhet demokratik. U duk sikur opozita do të bashkohej me qytetarët për të rikthyer votën e lirë, si parakusht për zgjedhjet e ardshme. Ishte 16 shkurt 2019, kur Edi Ramës iu dorëzua pushteti legjislativ.

Ndodhi në qershor të 2019, kur i njëjti Lulzim Basha, bojkotoi zgjedhjet vendore, për t'i hapur rrugën një pushteti njëpartiak lokal. Ende dukej sikur rruga e bashkimit me qytetarët po bëhej e pashmangshme, ndërkohë që PD po dorëzonte çdo pushtet tek Edi Rama. Dukej sikur aleanca e qytetarëve me opozitën do të përplasej me pushtetin e uzurpuar nga një njeri, edhe pse kishte mbështetjen perëndimore. Por, pas zgjedhjeve lokale, lideri i opozitës u zhduk, për t’u shfaqur disa muaj më vonë, për t’u ulur me Damian Gjiknurin në tryezën e reformës zgjedhore. Ishte 30 qershor 2019 kur Edi Rama mori në dorë gjithë pushtetin lokal.

Ndodhi në 2020, që pasi bëri disa ndryshime konsensuale, të diktuara nga SHBA dhe BE, në Kodin Zgjedhor, Edi Rama e prishi marrëveshjen duke prishur koalicionet me ligj. Ai ishte një hap i rëndësishëm për instalimin e pushtetit personal, pasojat e të cilit po i vuan opozita sot. Ishte 30 korrik 2020, kur marionetat e Edi Ramës dhe mbetjet e opozitës votuan kundër barazisë në zgjedhje.

Ndodhi në 2021, që rezultati i zgjedhjeve të përcaktohej nga blerja masive e votës, në një operacion special të partisë në pushtet në bashkëpunim me policinë, kriminelët më të njohur dhe biznesmenët më të mëdhenj. Edi Rama fitoi mandatin e tretë. Përballë një opozite që në vend të pushtonte institucionet pas manipulimit, zgjodhi farsën e dorëzimit të fakteve në zyrat e manipulimit, kishte mbështetjen e pashpjegueshme të SHBA dhe BE, ndërkohë që raportet e vëzhguesve perëndimorë vlerësuan se partia -shtet përdori çdo mjet, edhe blerjen e votave. Ishte 25 prill 2021 kur Edi Rama fitoi i vetëm për herë të dytë pasi kishte shpallur ambicien për të qeverisur jo më pak se 16 vjet.

Ndodhi në maj - shtator 2021, më pak se 1 muaj pas zgjedhjeve, kur, në vend të tentonin kufizimin e pushtetit të Edi Ramës, SHBA-të i dhanë një goditje opozitës. Lideri historik i PD-së u shpall non grata, ndërsa liderit në detyrë iu kërkua përjashtimi i tij. Në vend që të përqëndrohej te reagimi pas vjedhjes së zgjedhjeve, opozita u përqëndrua në sherrin brenda vetes. Kryetari në detyrë vendosi të përjashtojë Sali Berishën, duke i hapur rrugën përçarjes përfundimtare të partisë më të madhe të opozitës. Ishte 9 shtator 2021, kur Lulzim Basha, për të disatën herë, dha një dorë në instalimin e pushtetit personal të Edi Ramës.

Data të tjera para, ndërmjet apo pas këtyre mund të ketë. Të gjitha shenjojnë momentet historike të kalimit nga një shtet kaotik-demokratik, në një shtet personal, autokratik që po bëhet çdo ditë e më shumë totalitar.

Nuk janë vetëm datat, janë edhe njerëzit që e mbështesin që duhet të shenjohen, për të mos u harruar këtë herë, për të mos përsëritur të njëjtin faj, për të mos e zhytur edhe një herë vendin në errësirën ku po zhytet me shpejtësi.

Nëse një ditë do të dalë nga errësira.

Sot është 11 janar, 78 vjet nga dita kur Enver Hoxha e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, pasi fitoi zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, nën akuza për manipulime.

/Dosja.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco