Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Veliaj takon shokët në SPAK

Byrek, gjumë dhe mosmirënjohje

Byrek, gjumë dhe mosmirënjohje

Nga Luçiano Boçi - 10/01/2024

Sa herë dëgjoj vargjet e këngës popullore “byrek, byrek o usta Murat….”, krahas entuziazmit popullor të këngës, më vjen një një buzëshje cinike dhe e hidhur!

Së pari pjesën cinike e kam me veten.

Dikur kur e dëgjoja mendoja se çfarë poetizimi apo dhe kuptimi mund të kishin këto fjalë?!

Por ja që qenkam jam gabuar!

Usta Murati dhe autori paskan qenë filozofë popullorë të jetës. Byreku paska qenë mall me vlerë e kuptim. Bukë edhe gjellë që konkuronte dhe pataten e Hoxhës madje.

Dhe t’i këndosh byrekut nuk qenka mungesë arti.

E kjo sepse vitet kanë kaluar, por byreku ama se ka humbur vlerën e tij e efektin e tij poetiko-politik.

Pjesën e hidhur e kam me realitetin sepse më dhemb.

Më qëllon shpesh tek lëviz me makinë të shoh grupet e fëmijëve e nxënësve të gëzuar të cilët në pushim të gjatë rradhiten para dyqaneve përballë shkollave të tyre, për të blerë një byrek 50 lekësh për të shuar urinë. Më fatlumët marrin dy.

Kaq është mundësia maksimale e prindërve të shumë familjeve shqiptare, të cilët në mëngjes, kur munden t’i sigurojnë fëmijëve 100 lekëshin e ditës, së paku janë të qetë.

E në qytetin tim e jo vetëm, kudo në Shqipëri, pas kafeneve, byrektoret mbajnë rekord e furnizojnë njerëzit me brumë, yndyrë, gjizë e kripë të mjaftueshme për të shuar urinë e mbajtur gjatë ngopjen.

Shenjë e një varfërie totale e mbjellë me kujdes!

Shitësit e palodhur marrin atë kënaqësinë e atij fitimi minimal, për të pasur dhe ata mundësinë e jetës dhe të ushqyerit, megjithëse në trysninë e rreptë e të pandarë të taksidarëve të shtetit që duan “të nxjerrin dhjamë nga byreku” , se me të mëdhenjtë nuk ia mban.

Jo vetëm fëmijët!

Shumë të tjerë zgjidhjen e detyruar të ushqimit kanë byrekun. I lirë dhe efektiv.

Deri në ketë pikë i ka cuar qeverisja turistike e Ramës.

Ulen ashtu me qesen e tyre me byrek e kafen e mëngjezit para e përtypin mendimet për të gjetur zgjidhjen për të nesërmen, sepse shteti i ka lënë në mëshirë të byrekut.

E maksimumi nga dreka vjen në tryezë ndonjë panine me qofte, kushedi me çfarë mishi që të bie në stomak e që të mbush ditën.

E pas kësaj byreku e paninja me efektin e tyre “magjik” të çojnë drej gjumit këndellës, shoqëruar me ndonje debat politik, apo ndeshje futbolli që nuk mbarojnë asnjëherë. As natën e vitit të ndërrimit të viteve.

E tram-trami i jetës pa dalje me mbikqyerje shtetërore përsërit veten çdo ditë.

Tamam sipas shprehjes romake, që për të mbajtur në kontroll masën duhet “Panem et circenses", Bukë dhe cirk.

Ndërsa cinizmin dhe hidhërimin bashkë e kam për politikën e byrekut.

Politikën që kur ha byrek për qejf, për të ndryshuar veljen nga frutat e detit apo ushqimet ekzotike, bën nje vrap deri në Lushnje, ose ikën me grup xhirimi tek byrektorja e lagjes për t’u dukur popullore e madhe.

Dhe luftën për të shqyer byrekun e rradhës më pas e shet si luftë me qeverisjen, luftë të paepur me Ramën.

Sidomos këtë e bëjnë ata që “vdesin” për pak like fb-je e nuk lenë rastin t’i humbasë.

Vdesin, sepse thonë që byreku ka efekt e të jep gjumë të thellë. Dhe thonë madje që të jep gjumë me ëndrra. Ëndrra jo dosido. Po ëndrra sikur ke pushtet, sikur je “Luan” me krifë që ha byrek, sikur je “meteor” që ndriçon.

Biles, biles tregojnë që politikanët pas gjumit të byrekut, bëjnë deklarata të mëdha politike.

Thënë shkurt prodhojnë politikë “të madhe”. E nuk pyesin për askënd nën efektin e byrekut e gjumit.

Dhe produkti themelor i tyre është mosmirënjohja njerëzore, arrivizmi politik dhe vetëkënaqja e fërkimit të sharjeve të veta (si fërkimi i barkut pas byrekut) pa kufi në deklarata “zyrtare” të lyrosura me yndyrë byreku, jargë gjumi, e ëndrra në sirtar.

Byrek, byrek o usta Murat!!!!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco