Rama kaparos pazarin për reformën zgjedhore me Lulzim Bashën

Rama kaparos pazarin për reformën zgjedhore me Lulzim Bashën

Nga Hysni Gurra - 05/01/2024

Edi Rama nuk është mësuar të ketë opozitë të vërtetë përballë. Kjo e bën atë të radhitet përkrahë autokratëve të lindjes si Lukashenko, Putini, Vuçiç etj.

Rama është investuar që prej vitit 2017, kohë kur mori peng kreun e opozitës së asaj kohe, Lulzim Basha, që të mos kishte më rival të drejtpërdrejtë dhe të vërtetë në garat elektorale.

Vendimi i Bashës për djegien e mandateve dhe zëvendësimi i vendeve në Parlament nga Rama brenda ditës me opozitë Selami Jenishehrin e Kërpëratat, tregoi se kjo ishte një skemë e mirëmenduar.

Mospjesëmarrja më pas e Bashës në zgjedhjet lokale çertifikoi aleancën e “fake opozitës”.

Periudhën kur në Parlament kishte opozitë Jenishehrin, Gjuzin e Kërpëratën Edi Rama e shijoi shumë. Është një periudhë gjatë së cilës ai nuk mungoi asnjëherë në seancat plenare, siç bën zakonisht.

Me opozitën Jenishehri-1 Edi Rama miratoi ligjet për kapjen e plotë të reformës në drejtësi dhe prishi marrëveshjen e famshme të 5 qershorit, e cila u pasua nga një batërdi vjedhjeje në zgjedhjet e 21 prillit dhe 14-majit (lokalet).

I mësuar pa opozitë të vërtetë, dhe me dështimin e skemës për eliminimin politik të Sali Berishës, pengesa e vetme për ëndrrën e Ramës, të krijimit të një demokracie fasadë, me opozitë të emëruar, ai nuk e la pengun e tij. Rikthimi i fuqishëm i Sali Berishës, bashkimi i opozitës së vërtetë ka bërë që Rama të arrestojë pa asnjë provë e asnjë fakt liderin e opozitës dhe të avancojë agjendën e tij me opozitë Jenishehri-2, që është Lulzim Basha dhe disa deputetë që ndjekin ende axhendën e tij të gjobave, ose besojnë me naivitet se Luli po bën opozitë.

Me gjykata politike dhe me para nën dorë Rama konfiskoi simbolet e Partisë Demokratike për t’ia lënë në dorë një njeriu që nuk ka as grup parlamentar, a anëtarë partie, as vota.

Këto ditë në Tiranë, Rama ka shpërndarë një informacion nëpër klubet ku ulen gazetarë e diplomatë të huaj në Tiranë se, “marrëveshjen për reformën zgjedhore e kam mbyllur me Lulin”.

Pra, Lulzim Basha merr paratë dhe 6-7 deputetë ‘naivë’ që ndjekin atë dhe besojnë gënjeshtrat e tij duket se kanë marrë përsipër t’i vendosin dinamitin zgjedhjeve të vitit 2025 që këtë vit.

Kush është i blerë është i blerë, por ndonjë deputet që ka besuar me naivitet Lulzim Bashën për të dhënë votën për reformën zgjedhore duhet të dijë se po bën një krim të pafalshëm ndaj demokracisë, votuesve që i kanë besuar votën për të bërë opozitë Ramës dhe ç’është më e rëndësishmja është se duhet të kuptojë që me votën e tij po vret përfundimisht të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco