Intrigat Ramamerikane

Intrigat Ramamerikane

Nga Isa Zymberi - 02/01/2024

Një ditë, në një seancë parlamentare, ER i drejtohet SB, "Provo e kaloje Atlantikun". SB, përafërsisht, thotë, "Ka vite që nuk kam udhëtuar jashtë shtetit, por nuk kam asnjë indikacion se kam ndonjë pëngesë udhëtimi".

Rreth dy vite më vonë, AB, Sekretar i shtetit të SHBA-së, shpall SB dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij 'PERSONAE NON GRATAE'.

U realizua profecia e ER! Ky ose është i mbërrijshëm (në kuptimin 'evlia'), një Nostradamus apo Gjyshe-Vanda, ose një individ me aftësi të veçanta parashikuese të mbështetura mbi intrigat e tij korruptueseapo lidhjet e tij të ndryshme.

SB u shpall non grata për 'korrupsion sinjifikativ' dhe për këtë Departamenti i Shtetit amerikan deklaroi se kishte prova (mbase, pa qenë në dijeni se ato prova i ishin servirur nga FBI-stë tashmë të korruptuar).

Provat u kërkuan nga vetë SB si dhe nga zyrtarë amerikanë shumë herë, por nuk u paraqitën asnjëherë.

Ç'është e vërteta, shteti që shpall dikë non grata nuk ka detyrim të japë asnjë shpjegim për vendimin. Përkrahësit e SB e pranuan këtë vendim me një fije të theksuar dyshimi, kurse kundërshtatrëve të tij as që u interesonin faktet - mjaftonte se kishte folur Amerika.

Kryetari i atëhershëm i PD-së, LB, i nxitur apo i vetofruar, zgjodhi që personalisht ta izolonte SB nga PD, duke e nisur kështu një fragmentarizim të pakthyeshëm dhe pothuaj me pasoja që mund të ishin fatalepër këtë forcë politike.

Fragmentarizimi i opozitës përbën sigurinë më të fortë të pozitës për të qëndruar në pushtet.

Për pozitën çdo gjë po shkonte si është më së miri...

I gjendur në këtë situatë, SB nisi odiseadën e tij personale duke u bërë një rast unik i kundërshtimit të një mase të ardhur nga një supërfuqi. SB insistonte se integritetin personal nuk do t'ia dorëzonte asnjë force në botë dhe se, qoftë dhe para një fakti të vetëm të dëshmuar kundër tij, ai do të tërhiqej.

Situata me kundërshtime të ashpra 'alla shqiptarçe' kryesisht brenda PD-së, por edhe midis PD-së e PS-së, vazhdoi dhe vazhdon edhe sot, por pati një kthesë të rëndësishme në janar 2023, kur shpërtheu afera McGonigal duke prodhuar dy dosje, njërën ruse dhe tjetrën shqiptare, me pretendime të një interferimi nga ER dhe ca zyrtarë të tij me veprime korruptive në të dyja rastet, sidomos në dosjen shqiptare.

Tani filloi dalja e fakteve, por për palën tjetër, të cilat patjetër ndërlidhen me aferën 'non grata', dhe jo vetëm me atë të SB-së.

'Non grata' në rastin SB po del qartë se është rezultat i intrigave të ER dhe rrethit të tij.

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se non grata ishte shndërruar në një formë biznesi ku (ish)zyrtarë të FBI-së shpërbleheshin me shuma të majme parash, që mbase ende nuk i dimë saktësisht, qoftë për t'u vendosur individëve këtë damkë apo me premtimin për t'ua hequr atyre që tashmë u ishte vendosur.

Të shpresojmë që pala amerikave ta vlerësojë drejt këtë situatë dhe ta rivizitojë çështjen e rasteve të dyshuara të shpallura non grata në këtë mënyrë, edhe pse një gjë e tillë nuk është në praktikën amerikane.

SHBA mund të ndihet krenare për non gratat e arsyetuara, por shihet qartë se nuk mund të krenohet me rastin SB, prandaj do të bënin mirë që, së paku, sa më pak ta zënë ngoje këtë veprim të Sekretarit AB. Ndërkaq, sa herë që ER dhe rrethi e tij ua përplasin në fytyrë shqiptarëve 'faktin' se SB është non grata, këta thjeshtë proklamojnë aftësitë korruptuese të ER, që ka arritur, me këto aftësi dhe me mbështetjen sorosiane, ta prekë institucionin më të rëndësishëm të sigurisë amerikane.

* * *

Kundërshtitë politike janë kushti themelor në demokraci dhe, kur rrugëtojnë në mënyrë të mirëfilltë, ato janë të shëndetshme dhe sjellin progres.

Kundërshtitë ER-SB janë kthyer krejtësisht në personale. Kjo mënyrë konfrontimi, për më se dy dekada, ka qenë zgjedhja e ER dhe i ka bërë punë atij.

ER, duke qenë në krye të një partie pasardhëse të Partisë së Punës, e ka shfrytëzuar faktin se më së paku 30% e elektoratit shqiptar vazhdojnë ta ruajnë ADN-në politike të Enver Hoxhës. Për pjesën tjetër të elektoratit, ka përdorur, pa asnjë kriter, çdo intrigë e lidhje të mundshme joparimore për tëqendruar në pushtet.

Edhe kur SB nuk ishte në krye te PD-së, ER preferonte që kundërshtar ta kishte SB dhe shpesh i drejtohej LB duke i thënë se ky ishte vetëm kopja.

Edhe po të kishte qenë SB i vdekur gjatë kësaj kohe, ER do të kishte vazhduar të pretendonte se LB po i merrte udhëzimet nga bota tjetër prej SB. Ishte kjo mënyra e ER për ta minimizuar rolin e LB si "lider" i opozitës para se ta fuste plotësisht në kthetrat e veta me metodat e tij.

Kështu, eliminimi politik, dhe jo vetëm, i SB është konsideruar si eliminim i PD-së dhe i opozitës.

I mbështetur për muri, Berishës i dolën këmbët e reja. Me një energji të jashtëzakonshme ia doli ta rikthente vetën në krye të PD-së edhe pse LB me ca parlamentarë, të mbështetur nga ER dhe ndonjë zyrtar amerikan (edhe pse në kohën e fundit me më pak entuziazëm) vazhdon t'i mbajë gjallë konfrontimet brenda PD-së.

Në politikë duhet të evitohen inatet personale. ER, aleatin më të mirë e kishte moshën e SB. Ka mundur lehtë ta linte SB të qetë në tërheqjen e tij të natyrshme nga politika, të cilën e kishte nisur me dorëheqjen nga pozita e kryetarit të PD pas humbjeve të zgjedhjeve më 2013.Por  ER konsideronte se kishte arritur në shkallën ku asnjë kritikë nga cilado palë brenda apo jashtë Shqipërisë nuk mund ta dëmtonte. Kishte radhitur skandale të pafund, aq sa edhe vetë fjala skandal e kishte humbur kuptimin, por ER s'i bënin përshtypje, i kapërcente me teatralitetin e tij absurd dhe me mjeshtritë e tij të tjera që u përmendën më sipër. Në Shqipëri ndihej i paprekshëm. Dalëngadalë filloi të ndihej i madh edhe jashtë Shqipërisë, sidomos para shpërthimit të aferës McGonigal. Në Rugovën e Kosovës thonë: "Rrit'tu menja, theft'tu qafa".

Madhështia e ER shfaqej si kombinim i madhësisë së tij fizike me atë të autoritetit të tij të pretenduar në arenën ndërkombëtare. Të dyja këto së bashku mund të jenë aleati kryesor i PD-së. Lartësia e çfarëdo natyre, nëse nuk kujdesesh si duhet për të, mund të të sigurojë plandosje fatale.

ER ia ka krijuar vetës të gjitha mundësitë që ta shkatërrojë SB në disa aspekte, por, me këto veprime, edhe mund ta lartësojë tejmase dhe ta bëjë edhe më të fortë në aspektre të tjera. Kështu, ai mund ta sjellë vetën në pozicionin që masat që po i ndërmerr ndaj tij, t'i shijojë edhe vetë. Mos ta përjashtojë mundësinë që t'i vijë dita kur do të klithë 'ik mendere se të lashë'. Karma ndonjëherë është 'a bitch' (lavire), por mund të jetë edhe 'a ditch' (hendek).

Natyrisht, përmbysjet nuk ndodhin kur mbrapa ke një popull të vakët e politikisht të përgjumur, megjithatë, situata mund të ndryshojë në mënyra të paparashikueshme.

Koha do të tregojë nëse ER i ka bërë llogaritë mirë.

* * *

Nga ndonjë zyrtar amerikanë ndonjëherë thuhej edhe publikisht, përafërsisht, 'hetoni dhe ne do t'ju ndihmojmë me faktet'. Kjo hidhej si nxitje e hapur për ER dhe drejtësinë e tij të reformuar sipas modelit ameriko-sorosian të kërkonte prova qoftë edhe nga ndonjë planet jashtëtokësor dhe, pa asnjë respektim të administrimit të drejtësisë, ta izolonte SB.

U gjetën provat duke u mbështetur te një denoncim i para tri vitesh nga TB. U shpall se SB ishte nën hetim për korrupsion pasiv (jo sinjifikativ!), pasi që ia kishin izoluar dhëndrrin. SB i drejtuan masën e paraqitjes dy herë në muaj në polici si dhe ndalimin e udhëtimit jashtë shtetit. SB e refuzoi këtë masë duke e konsideruar si antikushtetuese. Një grup deputetësh iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, por kjo zgjodhi të mos shprehej me një arsyetim të paqëndrueshëm.

Refuzimi i Gjykatës Kushtetuese për t'u shprehur nëse detyrimi i paraqitjes dhe ndalimi i udhëtimit jashtë vendit përbënin kufizim lirie ose jo për një anëtar parlamenti, dhe nëse për këtë kërkohej paraprakisht aprovimi nga Parlamenti, përbën tani çështjen kryesore që e përligj ose e përmbys (keq)administrimin e drejtësisë nga SPAK dhe Gjykatat shqiptare.

Përgjigjen në këtë pyetje do të mund ta jepte qartë madje dhe një fëmijë dhjetë vjeç. GJK u tregua 'e zgjuar' - më mirë të mos përgjigjej fare sesa të diskreditohej duke dhënë një përgjigje që i përshtatej ER.

ER, me gjasë, kishte planifikuar që ta kryqëzonte SB ditën e Krishtlindjes, por meqë nuk e arriti këtë, iu desh të kënaqej duke ua bërë izolimin e tij dhuratë për Vitin e Ri 2024 adhuruesve të vet.

Me këtë veprim, ai jep shumë porosi, si: kur e ke mbështetjen ameriko-sorosiane, nuk të duhen faktet, apo se edhe mund t'i sajosh ato si të duash; porosia tjetër është që ta kuptojnë shqiptarët njëherë e mirë se "might is right" (me një përkthim të lirë, forca bën drejtësinë), dhe, e fundit, që ta vlerësojnë si duhet shqiptarët pushtetin e parasë.

ER ndihet aq i fuqishëm sa mund ta akuzojë këdo madje edhe kur bëhet fjalë për shkeljet që i ka bërë me dorën e vet.

Por ai e ka dhe një hall. Në të vërtetë, ka shumë halle, por e ka një që mund t'i djegë keq - rastin McGonigal.

Nga shqyrtimi përfundimtar i këtij rast do të dalë pyetja: "A mund të vazhdojë SHBA të gratifikohet me ER?".

SHBA e ka në dorë fatin e pjesës më të madhe të botës demokratike. Nga qendrimet amerikave varet madje dhe ekzistenca apo shuarja e shumë kombeve. Prandaj është për tu brengosur kur konstatojmë se politka e brendshme amerikane mund të krahasohet, ta zëmë, me politikën e brendshme të Shqipërisë apo Kosovës.

Shqipëria dhe Kosova gabojnë kur i qasen SHBA-së duke i varur shpresat në njërën apo tjetrën parti politike amerikave.

Shqipëria ekziston falë qendrimit të një presidenti amerikan në një kohë kur kishte plane lehtë të realizueshme për copëtimin e saj, kurse Kosovës presidenti nga njëra parti ia ka sjellë lirinë, e presidenti nga partiatjetër pavarësinë.

Udhëheqjet e Shqipërisë dhe Kosovës duhet gjithmonë t'i qasen SHBA-së me shumë kujdes, me butësi dhe kërkesa për mbështetje e mirëkuptim pa u involvuar shumë në politikat e brendshme partiake amerikane.

Mos të mendojnë as Shqipëria as Kosova se me qendrimet e tyre mund ta dëmtojnë Amerikën, përveç se mund ta bëjnë ndonjë devijim të vockël gjeopolitik, që SHBA mund ta korrektojë me lehtësi. Të dyja, si Shqipëria ashtu dhe Kosova, si dhe liderët e tyre, duhet ta mësojnë artin e 'refuzimit estetik', të mospajtimit pa e prekur miqësinë, dhe të përfilljes së kërkesave amerikane pa zbritur në pozicionin e vasalit. Për shembull, insistimi amerikan që të izolohet SB duke ia shkëputur edhe kontaktet me parti e liderë partish të ndryshme në Kosovë, është një kërkesë e tepruar, dhe nuk duhet pranuar (për çudi, asnjë lider kosovar deri më tani nuk ka marrë guximin të reagojë lidhur me izolimin e SB).

Pa miqësinë tonë Amerika mund t'ia dalë, kurse ne nuk kemi gjasë pa miqësinë amerikane dhe mbështetjen perëndimore në përgjithësi.

Fatkeqësisht, në këtë fushë kanë bërë gabime edhe Shqipëria edhe Kosova.Pasojat mund t'i vuajnë heret a vonë.

Partitë e majta shqiptare apo kosovare kanë shumë pak të përbashkët me të majtën amerikane, anise edhe SHBA po përjeton një shkëputje nga vlerat tradicionale të dy partive kryesore politike. Të majtët në Shqipëri e Kosovë e kanë zanafillën në Lindje dhe do të duhet edhe shumë kohë që të mund të shpërlahen definitivisht prej saj.

Shqiptarët në Ballkan duhet të gjejnë mënyrë të shpëtojnë nga mallkimi i të majtës. Momentalisht e kemi një të majtë në pushtet në Kosovë që po përballet keqas me një të majtë në Serbi. Kemi një të majtë në Shqipëri që ndihet më e afërt me të majtën në Serbi sesa me të majtën në Kosovë. Serbinë nuk ka forcë që e shkëput nga Rusia. Ajo e kercënon përditë Kosovën me luftë. Lideri i të majtës shqiptare naivisht pretendon se ai është duke e evituar luftën. Fatkeqësisht, këtë po e bën pa pasur asnjë vizion të qartë.

Naiviteti i të majtëve, qoftë i tipit lindor apo perëndimor, e ka përfshirë dhe një pjesë të madhe të Europës derisa rreziku nga Lindja vetëm sa po shtohet.

Për çudi, inicialet e Kurtit, Ramës dhe Vuçiqit e prodhojnë fjalën serbe KRV (gjak) - kërkohet kujdes maksimal!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco