Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Në Shqipërinë (koloninë) ndëshkimore

Në Shqipërinë (koloninë) ndëshkimore

Nga Luçiano Boçi - 01/01/2024

Rreziku i mbylljes së ciklit demokratik të Shqipërisë dhe rënies së saj në autokraci është i dukshëm.

Shenjat tashmë janë fakte dhe dyshimet janë prova.

Formulat e së kaluarës janë rikthyer jo si fantazma më, por si sisteme e institucione të zbukuruara me terma impresionantë.

Shoqëria është e mpirë nga propaganda dhe e zhveshur nga ndjeshmëria e po shkon me shpejtësi drejt një dehumanizmi konvencional.

Protokollet e diktuara politikisht janë strikte dhe synimet janë të qarta: Opozita duhet të ekzekutohet me çdo çmim.

Gjithçka tjetër përtej kësaj i përket një teatri të mbushur me hipokrizi.

Shqipëria tashmë i ngjason një kolonie ndëshkimore e stilit kafkian.

Ajo ka humbur çdo ekuilibër, jetik për një shtet të së drejtës, midis Drejtësisë dhe të drejtave njerëzore dhe politike.

Sot Drejtësia është thjesht një ndëshkim si hakmarrje oreksesh politike dhe përputhet me thënien e  personazhit të Franc Kafkës, Oficerit të paemër i cili krenohet me pompozitet: “Parimi sipas të cilit unë gjykoj është ky: fajësia është gjithnjë jashtë çdo dyshimi. Ka gjykata që nuk puqen me këtë parim, pasi janë të përbëra nga disa koka e kanë mbi vete edhe gjykata më të larta. Kjo nuk ndodh këtu….”

Kjo nuk ndodh as në Shqipëri. Superstruktura juridike e sajuar impononon çdo shkallë, qoftë dhe parlamentare,  nuk konsideron asnjë ankimim dhe përjashton çdo mbrojtje juridike. Sipas urdhërit politik qëllimi justifikon çdo lloj drejtësie.

Thelbi i saj nuk është as e drejta dhe as procedura.

Superstruktura i ngjason makinerisë ekzekutuese që përshkruan Kafka, në zemër të së cilës qëndron Aparati ose Makineria. Makineria për koincidencë përputhëse ka tre pjesë.

Shtratin, Vizatuesin dhe Lesën, e cila është e aftë të shkruajë dënimin mbi trupin e të akuzuarit para se procesi të ndodhë, madje ai nuk ekziston fare, sepse është zëvendësuar nga urdhëri.

I akuzuari nuk ka asnjë faj apo bindje për faj, por makineria nuk konsideron asgjë.

Oficeri vetë është shndërruar në një shtojcë të makinerisë, i përkushtuar me zjarr dhe që mendon se është mishërim i drejtësisë, por në fakt është mishërimi i urdhërit të verbër politik.

Në Shqipërinë ndëshkimore, sikurse në koloninë e Kafkës, opozitën duan ta eleminojnë me një Aparat të ngjashëm tre pjesësh të krijuar posaçërisht dhe në pothuaj të njëjtën mënyrë.

Me “oficerë” që kanë humbur dimensionin human të ligjit për shkak të politikës, që hetojnë me opinion dhe qëllime krejtësisht politike e që i binden vetëm “komandantit” dhe sidomos “ish-komandantit”, idem si tek Kafka.

E pra e gjitha kjo nuk është drejtësi.

Ky është një revansh politik i pështirë, i cili kërkon të realizohet me shpirtrat e ftohtë të makinerisë së propagandës dhe aparatit politik të drejtësisë.

Por ndryshe nga Kolonia ndëshkimore e Kafkës në Shqipërinë hakmarrëse

Opozita nuk mund të ulet në shtratin e vizatimit me anë të lesës.

Ajo nuk mund të arrestohet dhe as të eleminohet, sepse atë e mban gjallë e në këmbë karakteri dhe misioni i saj për të shpëtuar ato parime e vlera që na bëjnë të jemi  në përballje për mos të dorëzuar në duart e ekzekutorëve majtistë qeverisës që fshihen pas makinerisë së propagandës e drejtësisë, pluralizmin e demokracinë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco