Hello Albania! Rikthim në atdhe: Shkretëtirë, propagandë dhe arrestime

Hello Albania! Rikthim në atdhe: Shkretëtirë, propagandë dhe arrestime

Nga Pranvera Shehaj - 30/12/2023

30 Dhjetor 2023. Muaj pa e parë Vlorën time, të bukurën sa më s’bëhet. Përherë kam shmangur ta shoh rrugën prej aeroportit deri në Vlorë. Seç më jepte një ndjesi boshe ajo pjesë e Shqipërisë.

Godina të ngjitura në luftë me njëra-tjetrën, shtëpi të braktisura, gërmadha dy e tri katëshe, kodra të zhveshura, ajër i rëndë që as Adriatiku nuk ia del ta mundë, natyrë e vakët që çdo të huaji do t’i nxiste pyetjen: si ka mundësi këto zona të vakëta kaq pranë kryeqytetit, si ka mundësi në këto zona është vetë kryeqyteti?

Dhe kështu mezi prisja të fluturoja drejt kryeqytetit tim, të bukurës Vlorë, të lirës Vlorë, të kaltrës Vlorë, drejt ajrit të saj që gjithmonë në mendje më ka kujtuar lirinë, liri deti, krenari malesh, ajër që të mbush shpirtin.

30 Dhjetor 2023, në Vlorën time. Deti aty, qielli aty, aroma e qytetit tim po e njëjta, xhamia aty, Kanina si kurorë, Shashica, Sazani, Karaburuni po aty. Piktura e ZOTIT e njëjtë, e bukur sa vetë AI e di. Veç vepra të dorës së njeriut s’janë aty.

Qyteti i Sheshit të Flamurit pa shesh. Një kuti e stërmadhe betoni ia kishte zënë frymën sheshit e më kot e kërkoja me sy. Ngjasonte si qivur i hapur betoni në mes të qytetit. Vallë ç’kishte patur në mendje ai që e kishte ndërtuar?

Përballë shtizës së flamurit, një hotel simbol i shëmtisë që aty e lashë më 2013, e aty e gjeta të veshur me ca rrjeta punimesh. E kishte blerë vetë i madhi kisha dëgjuar, andaj dhe nuk kishte ndër mend ta kthente kush në gërmadha.

Një shatërvan që freskonte dikur godinën e stilit italian të Bashkisë, ishte zëvendësuar me gunga betoni të artit alla-socialist.

Pas Bashkisë, gjeta si çdo vit të njëjtin pirg plehrash derdhur në shesh që kutërbonin njësoj si dikur. Gjithmonë kisha menduar se Bashkia vetë i linte aty, mbase për t’u keqardhur se aq punonte sa nuk kishte kohë as të vetëpastrohej.

Tek i ashtuquajturi “Sahati”, një kaos shqiptaro-bangladesash me plehra, furgona të fshatrave, shitës lulesh e bananesh, ndërsa të gjitha bashkë rrethonin një bar me emër francez. Nje pamje sa komike aq edhe tragjike.

A ulej dot tek ai bar shitësi i bananeve? S’ma do mendja. Po ta provoja të ulesha e të gjerbja një espresso macchiato italiano, thua do ta ndjeja aromën e plehrave?

S’e di, refuzova ta provoj. Ndërkohë rrugica e shtëpisë sime më mirëpriti me gropat e saj që në ditë shiu më baltosnin rrobat. Kisha pyetur si ka mundësi kurrë nuk u prek ajo rrugicë? A thua kafshë stallësh jetonin?

Është zonë e djathtë më kishin thënë, nuk vënë dorë ata. Vërtet? – u habita.

Vlonjatët nuk bënin gafa të tilla zgjedhjeje. Epo mesa duket ajo zonë ishte çmendur. Si gjithmonë, pas pak minutave në shtëpi, shtëpia ime e dytë ishte deti. Më kishte mbytur mungesa e tij, më kishte lodhur mungesa e tij, më kishtë marrë malli për detin, lirinë që gjithmonë më ka falur. Shkova, deti ishte vetëm, veç unë dhe deti. Nuk e mohoj se u lumturova, deti duhej të ishte veç i imi, dhe unë veç e detit.

E famshmja Lungomare e të Madhit, ajo që të lodhte me zhurmat e verës, ishte bosh. Shkretëtirë dhjetori. Bare, restorante, biznese që gjatë verës i përdornin për të mirëpritur ata milionat e turistëve që paskishin zgjedhur Shqipërinë, ishin bosh, të vakët, të zbrazur.

M’u dhimbs ajo pamje. Hapa njeriu nuk dëgjoheshin. Pallate pa një dritë ndezur. Resortet që gjatë verës zaptonin vampirazi çdo grimcë rëre të detit, kishin lënë aty vetëm hunjtë, si simbol të forcës nën të Madhin.

E ulur fare pranë detit, nis „scrolling“ në telefon, si zakonisht në portale shqiptare. ²Shqipëria mirëpriti 10 milionë turistë²– çudi, se ne jetuam një kaos hotelerie edhe për një ndeshje futbolli të thjeshtë rajonale. Mendova mos gabimisht kanë numëruar shumë herë të moshuarit që shkojnë të mbyllen nga pak kohë në shtëpitë e fëmijve në Evropë e gjetkë. ²Kthehen shqiptarët në atdhe të festojnë me familjen² – pashë rrotull, këmbë njeriu nuk gjeta sërish. Çudi! ²Arrestohet lideri i opozitës² – në cilin shtet? Në Shqipëri.

Ndër gjithë lajmet, ishte i pari lajm i propagandës që besova. S’donte mendje, as shkollë si e imja në politikë, për të kuptuar se kishin shkelmuar fytyrën e demokracisë, të asaj që nuk erdhi kurrë në Shqipëri. Ngjarje e një vendi të NATO-s, ngjarje e një vendi kandidat për në BE, ngjarje e një vendi qytetarët e të cilit ushqeheshin lirisht nëpër Evropë. Arrestohej firmëtari i të gjitha këtyre atributeve. Kronikë e një vendi në mes të Evropës, kronikë e një vendi që zvarritej për demokraci.

E pata lënë vendin tim në 2013, dhe sot, dhjetë vite më pas, 30 dhjetor 2023, e gjej të shkretë, të izoluar, të gënjeshtërt, të errët. Për të parën herë, mbase tërthorazi, ndjeva aromën e atyre që kisha lexuar. Kështu ishte aroma e diktaturës? Në një tjetër lajm, i Madhi po flet.

Ishte ai që kishte asgjësuar qytetin tim, vendin tim, shpresën time. Bashkë me gjithcka, diktatori, asgjësoi dëshirën time për të më marrë sërish malli për vendin tim. Kishte punuar diktatori. Kishte shëmtuar Vlorën time, kishte zbrazur qytetin tim, kishte zhdukur ideologjinë time politike, kishte përmbushur nostalgjikët për diktaturë. Të urreja atë apo të verbrit patriotë të mitë? Ç’faj kishte diktatori? Po ç’faj kishin edhe patriotët e mi nostalgjikë.

30 dhjetor 2023, shqiptarët jashtë kufirit me sytë nga telefoni, shqiptarët brenda Shqipërisë të zënë me gjelin e detit në furrë, lideri i opozitës i mbërthyer në arrest, diktatori në ekran, unë tek deti.

30 dhjetor 2023, hello Albania, kam frikë se malli për ty më mashtroi sërish!

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco