Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, një 'colpo di grazia' për rendin kushtetues

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, një 'colpo di grazia' për rendin kushtetues

Nga Sali Berisha - 22/12/2023

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të datës 20. 12. 2023 për të justifikuar hedhjen poshtë të kërkesës së 1/5 së deputetëve për shqyrtimin e marrjes me urdhër politik nga prokuroria dhe gjykata të kompetencave të Kuvendit që rrjedhin nga neni 73 pika 2 e kushtetutës në rastin e vendosjes së masave të sigurisë pa miratimin e kuvendit ndaj kryetarit të PD, deputetit Sali Berisha, shkruan se “Kushtetuta ka mirëpërcaktuar rastet kur grupeve të deputetëve u janë njohur të drejta si entitete dhe në këtë drejtim, 1/5 e deputetëve dhe Kuvendi janë subjekte kushtetuese të ndryshme, që nuk mund të barazohen me njëri tjetrin”.

Ky pretendim është një trillim i turpshëm dhe i pashembullt pasi sipas nenit 131 të Kushtetutës që përcakton subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e tij drejtuese nuk janë subjekte që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Kjo pra është një shpikje, një trillim primitiv dhe i turpshëm. Atentat i vërtetë ndaj Kushtetutës.

Me këtë skandal të paimagjinueshëm që ka bërë dje me urdhër politik Gjykata Kushtetuese ka përdhosur Kushtetutën, jurisprudencën e sotme të Gjykatës Kushtetuese, e deri tek vet gjykatën dhe ligjin e saj organik.

Ajo, nga një mbrojtëse e Kushtetutës, është shndërruar në një seksion mjeran i Rilindjes së Edi Ramës.

Për të kuptuar më mirë këtë super-skandal të individëve pa ligj dhe moral profesional duhet t’ju referohemi neneve të kushtetutës që kanë të bëjnë me këtë çështje.

Së pari është e domosdoshme të njihemi me nenin 7 të Kushtetutës i cili sanksionon se “sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.”

Pra ky nen flet për pushtet ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor. Siç shikoni neni nuk bën fjalë për pushtet të Kuvendit, të organeve të tij drejtuese, por vetëm pushtet ligjvënës.

Tani le të shohim se kush ka të drejtën kushtetuese të vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese domethënë t’i paraqesë ankesa për shqyrtim kësaj gjykate, Kuvendi apo 1/5 e deputetëve.

Sipas nenit 134, (Ndryshuar me ligjin nr. 76/2016, datë 22.7.2016), 

1. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje me kërkesë të:

a) Presidentit të Republikës;

b) Kryeministrit;

c) jo më pak se një të pestës së deputetëve;

ç) Avokatit të Popullit;

d) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;

dh) çdo gjykatë, sipas nenit 145, pika 2, të kësaj Kushtetute;

e) çdo komisioneri të krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta;

ë) Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë;

f) organeve të qeverisjes vendore;

g) organeve të bashkësive fetare;

gj) partive politike;

h) organizatave;

i) individëve.

2. Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe

“i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Nga leximi i këtij neni del se kushtetuta në paragrafin 1 pika “c” ia ka dhënë këtë të drejtë jo më pak se 1/5 së deputetëve dhe në asnjë pikë apo germë të tij në mbi 100 fjalë të këtij nenit nuk ekziston fjala “Kuvend”.

Pra, qartë Kushtetuta nuk ia ka dhënë këtë të drejtë Kuvendit të Shqipërisë, i cili përbëhet nga deputetët, organet drejtuese dhe stafet i tij. Kushtetuta nuk i ka njohur të drejtën për vënien në lëvizje asnjërit prej organeve drejtuese të tij si të tilla, domethënë Kryesisë, Byrosë, komisioneve apo kryesisë së grupeve parlamentare, ndonëse ajo i njeh këto organe si organe kushtetuese.

Ajo nuk ja jep këtë të drejtë Kryetares/ Kryetarit të Kuvendit ndonëse në hierarkinë shtetërore ai apo ajo është Numri 2 i shtetit dhe sigurisht kurrë nuk mund ta harronte.

Këtë të drejtë pra, Kryetari/ja e Kuvendit e ka, por vetëm si një ligjvënëse dhe vetëm në rast se ai ose ajo firmosin si të barabartë së bashku me 1/5 e deputetëve të kuvendit.

Për të kuptuar më mirë këtë përjashtim që i bën Kushtetuta, Kuvendit në kuptimin e organeve drejtuese të tij le t’i referohemi përsëri nenit 134 i cili thotë në pikën dh: “këtë të drejtë ja njeh çdo gjykate, sipas nenit 134 pika 2, të kësaj Kushtetute”.

Po të rikthehemi tek neni 7 i Kushtetues aty flitet për pushtet ligjvënës dhe gjyqësore kurse në nenin 134 në pikën c nuk flitet për Kuvend por për 1/5 e deputetëve ( ligjvënësve) ndërsa në pikën ‘dh’ të këtij neni flitet për gjykatë si institucion dhe jo për pushtet gjyqësor.

Kushtetuta duke njohur të drejtën e 1/5 së deputetëve para se gjithash ka respektuar një parim universal atë të respektimit të së drejtës së pakicës natyrisht jo të çdo pakice por të asaj që grupon së paku 1/5 e deputetëve. Kjo natyrisht nuk përjashton që këta mund të jenë edhe më shumë madje mundet edhe të gjithë deputet.

Duke mohuar me vendimin e saj të drejtën, kushtetuese të pakushtëzuar të pakicës dhe duke e transferuar këtë të drejtë “de facto: tek Kuvendi, Gjykata Kushtetuese ka përmbysur Kushtetutën, pluralizmin demokratik parlamentar, pra kryen një akt të rëndë puçist ndaj rendit kushtetues dhe është shndërruar në një vegël të vendosjes së regjimit monist të Edi Ramës në Shqipëri.

Përveç kësaj Gjykata Kushtetuese në zbatim të urdhrit politik dhunon rëndë Kushtetutën, mashtron në amoralitet të plotë ligjor kur paraqet 1/5 e deputetëve si subjekt me të drejtë të kushtëzuar në paraqitjen e kërkesave ndaj saj.

Ajo me këtë pohim skandaloz del qartazi kundër nenit 134 të Kushtetutës dhe në vendimin e saj thotë të kundërtën e asaj çka sanksionon Kushtetuta në nenin 134. Ky nen nuk ia ka lënë Gjykatës të caktoj se cilat janë subjektet që mund të venë në lëvizje Gjykatën me të drejtë të kushtëzuar domethënë që mund të vë në lëvizje atë për interesa të aktiviteteve të tyre dhe cilat subjekte kanë të drejtë të pakushtëzuar domethënë që nuk kanë kufizime të lidhura me interesa të aktivitetit të tyre, por mund ta vënë në lëvizje për çështje me rëndësi shoqërore që ata vetë e vlerësojnë se duhet t’i paraqesin në Gjykatën Kushtetuese.

Për të dalluar këto subjekte Kushtetuta në paragrafin 2 të nenit 134 sanksionon se:

“Subjektet e parashikuara nga nënparagrafët “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h” dhe “i”, të paragrafit 1, të këtij neni, mund të bëjnë kërkesë vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre. Kurse subjekteve të tjera si Presidentit të Republikës, Kryeministrit, 1/5 së grupit të deputetëve dhe Avokatit të Popullit, Kushtetuta përjashton nga kushtëzimi i të drejtës kushtetuese të paraqitjes të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese ‘vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.

Këto subjekte kanë të drejtën kushtetuese të pa pakushtëzuar për t’iu drejtuar gjykatës.

Kështu gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese me vendimin e tyre kanë shkelmuar jo vetëm mbi Kushtetutën, por edhe mbi të gjithë jurisprudencën e kësaj gjykate, mbi veten e tyre por edhe mbi vet vendimin e tyre që pranuan dy javë më parë në përputhje me nenin 134/1c kërkesën e grupit të 1/5 të deputetëve për protokollin midis qeverisë shqiptare dhe qeverisë Italiane për emigracionin.

Ky standart i përdorur në vendimin e djeshëm nuk mund të quhet ndryshe veçse më së paku mashtrim, pafytyrësi ligjore me pasoja dramatike per vendin.

Por tani le të ndalemi në aktin tjetër puçist të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në të cilin thuhet: “Për rrjedhojë, kërkuesi, grupi i deputetëve, nuk legjitimohet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, pasi referuar mosmarrëveshjes së pretenduar të kompetencave, ai nuk është subjekt në konflikt.

Pra, nuk rezulton t’i jetë marrë ndonjë kompetencë, apo të jetë cenuar drejtpërdrejtë në ndonjë kompetencë. Grupi i 1/5 të deputetëve, pavarësisht se është pjesë e ushtrimit të veprimtarisë legjislative të Kuvendit, nuk nënkupton që ai është subjekti kushtetues për të cilin bën fjalë neni 73, pika 2 i Kushtetutës. Pra, ai nuk mund të veprojë në emër dhe me tagrat e kuvendit.

E vërteta është krejt tjetër.

Por kush e vë në lëvizje gjykatën për këtë konflikt midis pushteteve? 

Sipas Kushtetutës nenit 134/ç kjo e drejtë i njihet nga kushtetuta 1/5 se deputetëve dhe jo Kuvendit apo drejtueseve te tij. Sipas këtij vendimi, meqenëse gjykata i heq të drejtën 1/5 së deputetëve për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese dhe sipas vetë Kushtetutës, Kuvendi nuk e ka këtë të drejtë të ankohet në Gjykatën Kushtetuese del se pushtetin ligjvënës domethënë të drejtat kushtetuese të deputetëve mund t’i marrë kushdo dhe askush të mos mund të ankohet.

Sipas nenit 131 të kushtetutës pika ç, Gjykata Kushtetuese vendos për: mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore;

E njëjta gjë konfirmohet edhe në ligjin organik të Gjykatës Kushtetuese. Kështu, në nenin 54 të këtij ligji thuhet se: “Në mbështetje të nenit 131 pika ç të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese shqyrton mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore dhe kur mosmarrëveshja ka lidhje të drejtë për drejtë me ushtrimin e veprimtarisë së tyre”

Ajo që shkruan gjykata se këto kompetenca i janë cenuar Kuvendit dhe jo deputetëve kjo është një dhunë logjike dhe ligjore.

Janë cenuar nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata kompetencat kushtetuese të deputetëve për t’u shprehur dhe ushtruar pushtetin e tyre sipas procedurës që ka përcaktuar ligji për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit të deputetit. Po në këtë linjë komisioni monist i mandateve për motive politike vendosi të legjitimojë një vendim të paligjshëm të motivuar politikisht gjykatës dhe prokurorisë speciale. Për më tepër, ky komision nuk shqyrtoi asnjë provë, fakt apo dokument, mbasi prokurorët në komision paraqitën vetëm vendimin e Gjykatës dhe prokuroria një dokument 6-7 faqesh, ndërkohë që në çdo rast tjetër para këtij rasti janë paraqitur qindra e madje mijëra faqe.

Si përfundim mund të themi se me vendimin e fundit të saj politik, Gjykata Kushtetuese i dha një “colpo di gracia”, rendit kushtetues të vendit dhe firmosi vendosjen e monizmit të plotë të Edi Ramës në Shqipëri.

Ajo mbylli vitin 2023 si një seksion juridik i Partisë Socialiste dhe faktoi në mënyrë përfundimtare se reforma në drejtësi e shndërroi këtë sistem në një degë të ekzekutivit të Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco