Faktet janë me Berishën...aq më keq për faktet!?

Faktet janë me Berishën...aq më keq për faktet!?

Nga Alfred Lela - 21/12/2023

Dje takova në shtëpinë e tij në Uestford, një ish-kritik të Sali Berishës, gazetarin amerikan me origjinë shqiptare, Peter Lucas. Ndër gjërat e para që më tha ishte se, mes rasteve të Donald Trump dhe Sali Berishës, shihte ngjashmëri të theksuara, pra një përndjekje politike.

Pasi u largova, rrugës për në Boston, më shumë se për ngjashmëritë e roleve që gjykatat e dy vendeve kanë në procesin politik dhe elektoral në Uashington dhe Tiranë, po mendoja se pse njerëzit si Peter Lucas janë të rrallë.

Të tillë në kuptimin e lirisë, apo cfarë zgjedhin të bëjnë me të. Lucas më tregoi se ndonje mik i tij në Tiranë ishte habitur me qëndrimet e tij pro Berishës kohët e fundit.

Atë që 'të habiturit' nuk kapin te kjo 'kthesë' është se faktet mund të jenë edhe pro Berishës. Të mësuar të jenë robër të qendrimeve anti-Berishë dhe përpunues të tyre për rreth tri dekada, ata nuk e ndajnë dot sentimentin anti-berishian nga pozitat e Berishës si njeri dhe politikan në raport me faktet, dhe në kohë të ndryshme.

Në këtë kuptim ata bien në një onanizëm të mendjes, një lloj masturbimi psiko-emocional që, duke dashur të shohë si viktimë subjektin e përzgjedhur të hakmarrjes, bën viktimë edhe të vërtetën.

Peter Lucas arrin ta bëjë këtë ndarje, pra kritikën e tij për "Berishën e parë'' në pushtet në vitin 1992-1996, arrin ta ndajë nga proceset dhe zhvillimet a tashme politiko-gjyqësore. Këtë ia mundëson liria e brendshme. Ai nuk ka nevojë të vetëafirmohet nëpërmjet urrejtjes dhe shpagimit permanent ndaj Berishës.

Thënë këtë, ka nevojë të shpjegohet se cilat janë faktet që urrejtësit profesionistë të Berishës shpërfillin:

-Sali Berisha është sot politikani më popullor i së djathtës, dhe këtë e ka dëshmuar në dy zgjedhjet e fundit, pavarësisht të gjitha ngulmimeve për ta dëmtuar.

-Sali Berishës dhe demokratëve u mbahet peng në gjykatat e Shqipërisë vula, sigla dhe përfaqëimi politik.

-Sali Berishës dhe opozitës u janë refuzuar e drejta kushtetuese e 8 komisioneve parlamentare.

-Sali Berishës, iu refuzua nominimi nga pjesëtarët e koalicionit "Bashkë fitojmë", që të jetë kryesues i listës së opozitës në zgjedhjet e 14 majit.

-Sali Berishës dhe parlamentarëve demokratë u refuzohet e drejta për të zgjedhur kreun e grupit në Kuvend.

-Sali Berishës dhe grupit parlamentar demokrat u refuzoeht e drejta që të kenë përfaqësues në komisionet parlamentare, një ndër ta i Reformës Zgjedhore.

-Sali Berishës dhe 28 deputetëve demokratë, iu refuzua nga Gjykata Kushtetuese tagri për ta ftuar këtë gjykatë të bëjë interpretimin e Kushtetutës. Një vendim jo vetëm antikushtetues, por edhe alogjik sepse Gykata Kushtetuese ekziston pikërisht për të interpretuar Kushtetutën, sic sugjeron vetë emri.

-Sali Berisha, Partia Dmokratike dhe përfaqësuesit e saj në Kuvend, këshilla bashkiakë, parti, etj., kanë paraqitur me dhjetra padi në SPAK. Në shumë prej tyre subjekt është kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj. Prokuroria refuzon të nisë cështje kundër secilit prej tyre.

-Sali Berisha, tre vjet pas padisë së Taulant Ballës, nuk është thirrur asnjëherë për tu pyetur për "kompleksin Partizani" dhe është ende sot 'person nën hetim'.

-Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, jo i emëruar por i zgjedhur, dhe kryetar i opozitës, si i tillë cdo masë kundër tij merr më parë lejen e Parlamentit dhe kjo bazohet në kushtetutë, neni 73/2.

Refuzimi i SPAK për të respektuar si Kushtetutën dhe Parlamentin, ashtu dhe Berishën hapi një spirale që e shtyu cështjen në ekstremitet politik.

Paraqitja në Kuvend e SPAK-ut një kohë me vonesë, nuk e ndryshon shkeljen fillestare. Ngulmimi i Prokurorisë për të dënuar subjektin për një shkelje të prodhuar nga ata jo subjekti, pra rritur masën ndaj Sali Berishës ndërkohë që nuk ka ndryshuar asgjë as në raportet cilësore as sasiore, e shquan instiucionin, në rastin më të mirë për joprofesionalizëm, dhe në rastin më te keq për politizëm.

-Ndryshimi i njëanshëm i rregullores së Kuvendit, për të dënuar deputetët e opozitës me deri 2 muaj përjashtim është heqje e përkohshme e mandatit, pra një gjymtim tjetër i mundësive të opozitës për të vepruar.

E gjithë kjo pasqyrë, jo shterruese, e peizazhit politik përreth Sali Berishës dhe opozitës, demonstron përpjekjet për ta asgjësuar Partinë Demokratike dhe aleatët e saj duke bërë atë që funksionon që nga homo sapiens e këtej: prerë kokën!

Këto janë faktet dhe vetëm pasi të kemi rënë dakord për to mund të spekulojmë me opinionet.

Peter Lucas, duke qenë njeri i lirë që mund t'i ndajë faktet nga qëndrimet personale, e shquan persekucionin ndaj Sali Berishës. Fakti që dje shkruante për përndjekjen që Berisha president akuzohej se u bënte kundërshtarëve politikë, nuk e pengon sot që të ngrihet kundër përndjekjes dhe politizimit të gjykatave.

Dhe ky është dallimi i tij me të tjerët: anti-berishizmin nuk e ka mënyrë jetese. Nuk paguhet për të. Nuk është gati të dënojë dikë se këtë i kërkojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco