ChatGPT-ja apo pordhët që grisin brekët e pushtetit!

ChatGPT-ja apo pordhët që grisin brekët e pushtetit!

Nga Armand Maho - 16/12/2023

Një miku im po më tregonte: “Para ca kohësh u interesova të blej një shtëpi. Një shoku im më prezantoi me një ndërtues, dhe me idenë se mos më jepte ndonjë çmim preferencial, shkova ta takoja. I tregova se sapo më ishte aprovuar një kredi me terma të zbutur, nja 45 mijë euro, një pjesë tjetër prej 15 mijë eurosh ma kishte premtuar një i afërm i imi nga jashtë të ma jepte borxh pra 60 mijë euro ndërsa pjesën e fundit kur të dilte hipoteka do merrja një kredi në bankë për pjesën e mbetur të shtëpisë si dhe diçka për t'a mobiluar. Apartamenti kushtonte diku tek 90 mijë euro për 80 m2. E di si m’u përgjigj "ohu nuk i ke CASH në dorë, s’do rri të merrem unë me ty. Kam filluar gropën dhe paratë më duhen tani". E njëjta përgjigje më erdhi dhe kur iu adresova agjencive të real estate. "Nuk merremi me ata që blejnë me kredi, vetëm CASH”.

Pra, qartazi kemi të bëjmë me një krim të organizuar që zanafillën e ka nga qeveria. Ndërtues të tillë (që pas vitit 2019 sidomos dolën si krimbat pas shiut gjithandej) nuk kanë asnjë arsye të ulin çmimet. Kjo sepse betonin, hekurin, pagat e punëtorëve dhe çdo gjë tjetër që mbart objekti që ndërtojnë e ndërtojnë kryesisht me para krimi. Më pas objektin e shesin me çmime të denja për rekord Guiness.

Shqipëria ka dhe një veçori tjetër që e kthen atë në një vend parajsë për pastrimin e parave. Në rast se në botë, fjala vjen  për të pastruar paratë organizata kriminale sipas statistikave humbasin nga 20 deri në 40% të vlerës, Shqipëria është i vetmi vend ku paratë e drogës dhe krimit jo vetëm që nuk humbasin asgjë, por përkundrazi tre apo katërfishohen. Çmimi deri në 5 mijë euro për një metër katror në qendër të Tiranës është më i lartë se se në shumë vende të Evropës apo pjesës tjetër të botës. Me pak fjalë, një shqiptari mesatar i duhet të punojë 1 vit për të blerë një metër katror tek këto ndërtime! Në çfarë statistikash bazohet dhe ku ndodh tjetër kund në botë?

Krimi u vërtetua dhe në përgjimet që iu bënë organizatës mafioze Ndragheta, e cila ndërtimet në Tiranë i shihte si mundësi të artë për pastrimin e parave, ndërkohë që vetë Erjon Veliaj në një intervistë të dhënë në medie do pranonte se njihte italianë që kanë blerë dhe 25 apartamente në Tiranë. Kaq vështirë e ka SPAK goditjen e këtij rrjeti që ka përçudnuar qytetin? Po qeveria kaq vështirë e ka hartimin e një legjislacioni që dënon edhe atë që jep por edhe atë që merr para në mënyrë të tillë. Si ka mundësi që një objekt i tërë ndërtimi të mos ketë asnjë person që ka blerë me kredi. Ku është parë kjo? A lëvizi drejtësia e re në këtë drejtim?

Kjo histori mu kujtua teksa dëgjoja kryeministrin, i cili mburrej se legjislacionin me BE-në do ta përafronte me anë të ChatGPT ose inteligjencës artificiale. Nuk arrita në fakt të kuptoja se si do ia shpjegonte chatGPT të gjithë këtë megaskemë të pastrimit të parave liderëve të Europës, të cilët duket se  kanë ndërmend ta lenë për një kohë të gjatë shumë të gjatë Shqipërinë pas dere. Një skemë, e cila është ideuar dhe lejuar nga vetë shteti dhe organet e zbatimit të ligjeve, të cilët nuk merren me kullat që po i nxjerrin sytë përditë, me paratë jashtë bankave etj, por merren me histori që nuk i hyjnë në punë as dreqit. Ose, ose nuk e di se si një iPad apo Smartphone do mund të sqarojë Europën se si një megaskemë e vjedhjes së taksave në vlerën 430 milionë euro, siç është ajo e inceneratorëve që u ideua, u ngrit dhe u financua nga qeveria shqiptare nën kujdesin personal të Ramës dhe Veliajt. Si t’ia shpjegojë ChatGPT që Erion Veliajt megjithëse i del emri në çdo aferë nuk lëviz njeri që ta hetojë. Po vjedhjen e tokave në jug, po investitorët strategjikë, po mungesën e sigurisë, po vjedhjen e llahtarshme me shtrimin e rrugëve është në gjendje ta shpjegojë inteligjenca artificiale? Natyrisht që jo! Këto përgjigje kërkojnë inteligjencën njerëzore të organeve ligjzbatuese dhe vendosjen përpara përgjegjësisë së shkaktarëve . Mungesa e këtyre përgjigje bëri që roli i Ramës në samitin e fundit të BE-së të ishte ai i një klouni që dirigjonte foton zyrtare të mbajtur me këtë rast, ndërkohë që nga aeroporti i Rinasit dhe në atë moment vijonte largimi i qytetarëve të të tij.

Natyrisht, e parë në këtë prizëm, merret lehtë me mend se pse kërkojmë të kapemi pas fijes së barit. Të gjithë ne jemi viktima të një aksidenti historik të vitit 2013-të. Natyrisht në atë mot pa faj nuk ishte dhe pushteti i mëparshëm, i cili mbartte gjynahet e tij sidomos kur bëhet fjalë për segmente të caktuara të shtetit që drejtoheshin me arrogancë dhe mungesë vëmendjeje ndaj qytetarëve apo dhe përkrahësve të tij. Por me qeveritë Rama asgjë nuk krahasohet. Madje në shumë drejtime edhe qeveria e Adil çarçanit në fundvitet ‘80 të duket ku e ku më e mirë. Të tjerat pastaj, si fjala vjen ajo që ka bërë ky e ai, s’është bërë në 100 vjet apo elozhet e Elisës, Oltës e grave të tjera në kongrese për fatin e ndritur që na ra të kemi Ramën si kryeministër ngjasojnë me ato aromat e këqija të trupit që mundohemi t’i mbysim me parfum, po harrojmë se dushin nuk e zëvendëson asgjë. Ose "pordhë me rigon" siç thotë populli.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco