Njëmijë lekëshi i sigurimit në diktaturë dhe milionat për McGonigal!

Njëmijë lekëshi i sigurimit në diktaturë dhe milionat për McGonigal!

Nga Enver Bytyçi - 16/12/2023

Dikush qe i pakëndshëm për operativin e sigurimit. Nuk e donte ai. Kishte refuzuar të bashkëpunonte e t’i sillte informacionet që atij i duheshin për karrierën e vet. Dhe si hakmarrje operativi shkruan një informacion për shefat e tij, ku thotë se ky dikushi po “zhvillonte veprimtari armiqësore”! Ishte rrënues i demokracisë proletare”. Pas kësaj duhej gjetur mënyra që ky person të merrej i pandehur. Skema ishte e gatshme. Ai do  të akuzohej se kishte vjedhur 1000 lekë të vjetra.

Historia e 1000 lekëve ishte e thjeshtë. Operativi kishte urdhëruar dikë, që këto para t’ia fuste viktimës së vet fshahurazi në xhep, e pas dhjetë minutash kishte organizuar kapjen në flagrancë, duke i kërkuar se “Ku I kishte gjetur atë 1000 lekë”! “I kapuri në flagrancë” u çorodit, u hutua fare, sepse nuk po dinte se çfarë po ndodhte. Ishte vonë kur e mori vesh kurthin e sigurimit të shtetit. Kur të fusnin në birucë, detyroheshe të pranoje se “edhe nëna jote ishte armike e pushtetit popullor”, se edhe ajo e kishte rrënuar demokracinë e diktaturës proletare dhe ishte hajdute ose e korruptuar”.

Kjo histori nuk është fantazi. Por se përsëritet në kushtet e asaj që ne e quajmë demokraci, këtë askush nuk e kishte çuar në mendje. Në fakt historia është përsëritja e ngjarjeve dhe fenomeneve në përshtatje me kushtet e rrethanat e reja të kohës kur ato zhvillohen. E sotmja prodhon të njëjtën histori si e djeshmja dhe madje projekton të djeshmen si të ardhme. Se ndodh ky fenomen tragji-komik, këtë na e provon veprimtaria e SPAK në Shqipëri, por edhe angazhimi i shefit të FBI-së, McGonigal, që kundrejt tre million eurove të hartojë dosje për shpalljen non-gratave të kundërshtarëve të Ramës. SPAK U krijua si shpresa e luftës kundër korrupsionit dhe e të ardhmes ndryshe të Shqipërisë dhe përfundoi si kopjim dhe mekanizëm i njëjtë me atë të sigurimit të shtetit. Ndërsa McGonigal e dëmtoi jo pak imazhin amerikan si vend i lirisë dhe i drejtësisë!

Ndërkohë filozofia është e njëjtë: - Fabrikimi i armiqve të popullit. Madje dhe ndëshkueshmëria është e të njëjti dimension. Për shkak të një pjestari të familjes, ndëshkimi i të gjithë anëtarëve të saj. Praktika gjithashtu e njëjtë: - Demaskimi publik i të projektuarit armik i partisë dhe i popullit. (Sot i Rilindjes dhe miqve të saj në vendet aleate të Shqipërisë)! Linçimi publik sot bëhet me televizor, atëherë bëhej me mbledhje fronti. Sot, kur arrestohet “armiku i popullit’, “rrënuesi i demokracisë” ose “i korruptuari”, thirren të gjitha kamerat e Rilindjes dhe në vendin më të urbanizuar të kryeqytetit i vihen hekurat. Pa ç’ka se këto hekura nuk i ke merituar dhe pas disa ditësh gjykata vendos të të çlirojë prej tyre! Asokohe nuk mund të flisje me kulakun. Sot kryeministri, madje dhe përfaqësues diplomatikë në Tiranë, thonë “Nuk flasim me e për non-gratën”! Përpjekje të tipit sigurim, UDB, KGB për linçim sa më të dhimbshëm. 

Rilindja është si sigurimi i shtetit. Fatkeqësisht si Rilindja janë edhe partnerët e saj të Sorosit në SHBA e kudo që ato gjenden. Operativi i sigurimit ishte shefi i FBI-së amerikane McGonigal. Por me një ndryshim: - Njësoj si ai operarivi që i futi 1000 lekëshin në xhep “armikut të popullit”, McGonigal fallsifikoi dosjen për një shumë parash, duke rrezikuar karrierën. Operativi e bënte këtë thjesht për karrierën e tij. Por në aktin e fallsifikimit nuk kanë asnjë ndryshim. Ata janë njësoj edhe në mendësi, edhe në metoda, edhe në koncepte. “Armiku duhet asgjësuar me çdo kusht”! Qëllimi justifikon mjetin! 

Operativi i sigurimit e kishte thirrur viktimën e tij për të bashkëpunuar. Viktima kishte refuzuar. Pasoi hakmarrja dhe u shpall armik i domkracisë proletare! McGonigal, kryeministri i vendit, dhe mekanizma të tjera vendimmarrëse i thanë “rrënuesit të demokracisë” ik, largohu prej politike! Ne nuk të duam në skenën publike në asnjë formë të mundshme”! Viktima e sotme, fatmirësisht personalitet me integritet, i tha “Jo, nuk largohem. Politika është pasioni im! I garantoi se nuk kthehej në krye të Partisë Demokratike, por ama u tha se nuk hesht! Ata i thanë “hesht, ose të bëjmë ne që të heshtësh”! Por kjo “viktima” e sotme qëlloi “arrë e fortë”! Atij asnjë stilolaps nuk mund t’ia marrësh me zor, ndërkohë që për humanizëm e jep edhe xhaketën e tij bashkë me stilolapsin”! 

Megjithatë kërcënimi e lëndoi në sedër! Dukej sikur po i thonin se “Ty të kemi peng”! Dhe kjo ishte gjëja e fundit që do ta pranonte “armiku I Rilindjes dhe demokracisë së SPAK-ut amerikan”! Ndaj dhe u kërcënua. U shpall non-grata! “Ti po na saboton politikat tona”, i thanë! “Ti po ndikon te Kosova, që ajo të mos pranojë kompromiset e dhimbshme që duam të imponojmë ne”! “Ti pra, nuk je partner i yni. Partner është vetëm ai që fal tokën e Kosovës ose së paku e rikthen Serbinë në Kosovë”! Pra, “ti po na pengon”. Për këtë arsye je jo vetëm non-grata, por edhe i korruptuar dhe rrënues i demokracisë”! Por nuk i thanë se ishte rrënues i paqes së projektuar nga Uroshi i Madh i shekullit XXI! 

Dhe hakmarrja nuk ndalon këtu. “Nëse nuk largohesh nga sytë tanë, do ta pësojnë njerëzit e familjes tënde”, i thanë! Sërishmi ai nuk u tërhoq dhe vërtet e pësuan njerëzit e familjes. Jo vetëm u shpallën non-grata, por edhe u arrestuan në mënyrën më brutale të mundshme. Arma e ekzekutimit të kësaj politike sot gjithashtu është sigurimi i sigurimsave të SPAK. Edhe ai sigurimsi i kohës së diktaturës e kërcënonte viktimën e vet me asgjësimin dhe pasojat e familjes. Internime, dhunime, izolime, shpallje si “familje armike” e kulake. Të gjitha përdoreshin me qëllim që viktima të dorëzohej. 

Por Sali Berisha vendosi të mos dorëzohet! Perandoria e sigurimit të rilindjes është ringjallur, jo më nën ombrellën e UDB-së jugosllave dhe KGB-së sovjetike, por nën ombrellën e kujtdo tjetër që garanton mbajtjen në pushtet të Rilindjes! Megjithatë, kjo perandori e madhe e asgjësimit të të pabindurve do të duhet të llogarisë dy gjëra: - Ose të asgjësojë faktet kompromentuese që Sali Berisha ka nën mëngë, ose ta asgjësojë vetë Sali Berishën fizikisht! Rrugë tjetër nuk ka për të dalë e fituar nga kjo betejë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco