Berisha, faktori kryesor opozitar në Shqipëri dhe miqtë përtej oqeanit

Berisha, faktori kryesor opozitar në Shqipëri dhe miqtë përtej oqeanit

Nga Erion Dasho - 15/12/2023

Intensiteti me të cilin Ambasada Amerikane vazhdon të godasë Sali Berishën, i përforcuar së fundi nga deklarata e të ngarkuarit me punë të SHBA-ve në Shqipëri se "nuk i njohim dhe nuk u përgjigjemi non grata-ve", është shumë shqetësues për të ardhmen e demokracisë në Shqipëri.

Së pari, Berisha është konfirmuar në dy vitet e fundit si faktori kryesor opozitar në Shqipëri, që merr më shumë vota dhe ngjall më tepër besim si opozitë e pakompromis me rilindjen dhe Boratin.

Së dyti, afera McGonigal hodhi hije të forta dyshimi mbi mekanizmin se si mund të jetë shpallur Berisha non grata. Për shqiptarët erdhi i çuditshëm vendimi i majit 2021 për shpalljen non grata të një politikani në pension. Me daljen në dritë të kësaj afere dhe mënyrës se si u mbulua ajo nga sistemi amerikan i drejtësisë, shqiptarët kanë vënë seriozisht në pikëpyetje paanshmërinë e vendimit për shpalljen non grata të Sali Berishës dhe faktin nëse ky vendim është marrë i pandikuar nga rrjetet lobiste të lidhura me rilindjen.

Së treti, dhe më e rëndësishmja, Berisha është kthyer në pengesën e fundit për planet e Boratit dhe rilindjes drejt rivendosjes së diktaturës në Shqipëri.

Mungesa e rotacionit në vitin 2021 e lançoi Boratin drejt 12 viteve pushtet dhe një fitore sërish në 2025-ën do të ishte vrasëse për demokracinë shqiptare. 

Nëse Berisha del nga loja politike, asnjë faktor opozitar nuk mund të krijojë imazhin që nevojitet për të sfiduar Boratin dhe rilindjen në 2025-ën, ç'ka praktikisht e lë rilindjen në pushtet deri në 2029-ën.

Praktika botërore ka treguar se mungesa e rotacionit politik pjell diktaturat dhe diktaturat kthehen në fatkeqësinë e kombeve. Edhe sikur në pushtet të ishte një grupim engjëjsh dhe jo një sistem kleptokrat dhe i papërgjegjshëm si rilindja, shqiptarët do të ishin të humburit e mëdhenj. Kur mendon se rilindja ka grabitur miliarda euro nga taksat e shqiptarëve (askush para tyre nuk është akuzuar për vjedhje në këto përmasa), ka krijuar një aleancë me oligarkinë kriminale dhe narkotrafikun ndërkombëtar, gjë që ka sjellë si pasojë shpopullimin e vendit, situata bëhet që sot e pashpresë.

* * *
Për këto arsye, një aleat i fortë dhe përcaktues për fatet e Shqipërisë, si SHBA-të, duhet të analizojë me përgjegjshmëri situatën politike dhe të ndërmarrë masa strategjike dhe jo reaktive.

Retorika e sinkronizuar me Boratin dhe rilindjen është shërbimi më i keq që mund t'u bëhet shqiptarëve. As qeveria dhe as diplomatët e huaj nuk mund të zgjedhin partnerin në opozitë; atë e vendosin shqiptarët me votë.

Ndërsa qeveria e ka detyrim të punojë me opozitën e grumbulluar rreth Sali Berishës, as edhe trupi diplomatik nuk mund ta injorojë përfaqësuesin më të rëndësishëm të opozitës, pasi injorimi i shërben direkt forcimit të një diktatori hajdut.

Në fund, fatkeqësisht, ky qëndrim dëmton edhe besimin që shqiptarët kanë tek SHBA-të dhe politika amerikane dhe kjo nuk besoj se i shërben as interesave afatgjata amerikane në Shqipëri dhe rajon.

Shqiptarët kanë folur me votë dhe i kanë dërguar mesazhe me vlerë si Sali Berishës dhe rithemelimit, ashtu edhe qeverisë dhe miqve tanë ndërkombëtarë. Aksioma "kur flet sovrani, të tjerët dëgjojnë" nuk mund të anashkalohet nga askush, qofshin këta edhe miqtë tanë të mirë të përtej oqeanit...
 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco