Filli dhe Feeling-u që bashkon Ramën me Vuçiç

Filli dhe Feeling-u që bashkon Ramën me Vuçiç

Nga Luçiano Boçi - 25/09/2023

Rama dhe Vuçiç përgjatë këtyre viteve kanë qenë në një sintoni të vazhdueshme.

Kanë harmonizuar mirë interesat e pushtetit personal në vendet respektive, qëndrimet dhe gati deri deklaratat.

Xhongla e tyre e përhershme mbetet Kosova. Justifikimi është feeling-u i gjetur si defiçencë rinore e të dyve.

Por nuk është kaq e thjeshtë.

Dhe ngjarja e fundit e aktit terrorist serb i bëri bashkë.

Vuçiç nuk hezitoi të akuzonte in persona Kurtin dhe kjo nuk është se ai nuk di diplomaci në ditë të vështira.

Por i duhej të përsëriste refrenin. Akuzën ndaj Kurtit. Akuzë që Rama e kishte formuluar muaj më parë dhe madje krahas akuzës kishte marrë përsipër dhe rolin e “magjistricës” që parashikonte trazira për shkak të qëndrimeve jo tolerante të Kurtit.

E këto nuk janë koincidenca, përpos vazhdim i lojës me mjete të tjera.

Gjithçka e tyre ndaj Kurtit ngjan kaq personale, por më së shumti është thjesht çështje politike dhe pushteti.

Nuk ka asgjë të përbashkët me nacionalizmin apo racionalizmin që i serviret publikut (serb sot më së shumti) si karrem pushteti.

Ata e dinë mirë që Kurti dhe çdo njeri pas Kurtit, nuk do të mund të marrë përsipër nënshkrimin e një Asociacioni që i jep pothuaj pavarësi komunave me shumicë serbe, të cilat dihet që menjëherë do kërkojnë bashkimin me Serbinë.

Është shumë i thjeshtë ky deduksion. Sepse askush nuk mund të marrë përsipër damkën e tradhtarit në breza e breza të tërë.

Po kështu dhe Vuçiç. Ai, siç e pohon vazhdimisht, as nuk pranon dhe as ka ndërmend të konsiderojë kërkesën për njohjen e Kosovës. Sepse dhe ai dhe Rama dhe Kurti dhe të gjithë e dinë mirë që në Serbinë e tij dhe të Ramës si vëlla i gjetur, njohja e Kosovës do ta bënte tradhtar të patolerueshëm politikisht.

Nisur dhe nga tradita jugosllave e politikës së jashtme ai njëherë i shkel syrin evropianëve, pa dashur asnjëherë të bëhet pjesë e BE-së, herë i shkel syrin rusëve dhe ia shkel të dy sytë nacionalistëve që për hir së vërtetës e mbajnë në pushtet.

Në këtë mes janë ndërkombëtarët, të cilët falë aftësisë e përvojës e dinë akoma më mirë që ne pjatë i kanë vënë drejtuesve të Kosovës dhe Serbisë ushqim të pakapërdishëm, ku asociacioni në raport me njohjen e Kosovës ngjan pak më i ëmbël. Prandaj dhe trysnia e tyre normal bëhet në pikën më të dobët. Megjithatë zgjatja dhe ruajtja e ekuilibrit larg konfliktit për to ngjan një arritje e mirë, në rrethanat kur Rusia shtyn përpara çdo përplasje të mundshme.

Po Rama?!

Pasi faktorizoi serbët në rajon duke i dhënë vend dhe prezencë Vuçiçit brenda shqiptarisë, dhe pasi dërrmoi procesin e Berlinit me Ballkanin e hapur, që i ngjante një treni serb që pushtonte tërë Ballkanin, Rama iu turr Kurtit. Iu turr për ta vënë poshtë, për ta paraqitur si “të vogël” dhe të paaftë për të negociuar fatin e Kosovës.

Rolin si faktor në shkëmbimin e territoreve e zëvendësoi me iniciatorin banal të tezës së Asociacionit pa kufi.

E gjithë kjo sjellje e tij e rrethuar dhe me faktorë të tjerë shkon vetëm drejt një investimi. Aspak kombëtar dhe aspak kosovar.

Ai kërkon ta shesë veten si njeriu që është kyç në zbutjen e Vuçiç dhe që stabilizon situatën.

Kjo jep e merr me Vuçiç është shndërruar tashmë në një dashuri me shkuesi pushtetin politik dhe gjasat janë të vazhdojë.

Qëllimi mbetet ruajtja e statukuosë së dominimit tek vetja dhe në Serbi, me pranueshmërinë e ndërkombëtarëve të cilët të trembur nga importimi i konfliktit ukrainas, e kanë jashtë vëmendjes standartin demokratik të sistemit politik.

Gjithçka që po ndodh në Kosovë bie mbi shpinën e qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe të Kurtit.

Rama dhe Vuçiç fërkojnë duar e gazmenden pas çdo jete të humbur.

Kjo i ndërton atyre rrugën e qëndrimit të pushtet.

Është filli që i mban bashkë!!!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco