Edhe burgosja e Belerit tregon se patriotizmi i Ramës është ruajtja e pushtetit

Edhe burgosja e Belerit tregon se patriotizmi i Ramës është ruajtja e pushtetit

Nga Ndriçim Kulla - 22/09/2023

Epo ndodhi edhe kjo. Nuk besonim se do te ndodhte ndonjëherë, po ja që ia arritëm kësaj dite të zezë, kësaj dite që një kryeministër i Shqipërisë sonë, i kësaj Shqipërie që e nisi udhëtimin e saj të lirisë dhe demokracisë me thirrjen “E duam atdheun si të gjithë Europën”, të veprojë e për më tepër të këmbëngulë në “kryeneçësinë” e vet, si e si ta ngadalësojë e deri dhe ta bllokojë aspiratën tonë europiane. 

Ka ardhur koha tani t’i themi disa të vërteta të dhimbshme, mbi të cilat ai ka abuzuar dhe ka bërë demagogji përgjatë gjithë këtyre viteve. 

"Po e kalon masën, zotëri,"- do të më thonë njerëzit mediatikë të Ramës, se njerëzit e mençur të popullit kanë kohë që e kanë kuptuar demagogjinë e tij - "Rama, mund të ketë bërë gabime në politikën e brendshme, por në politikën e jashtme ai shkëlqen me qëndrimet e tij!" 

Është katërcipërisht e kundërta! 

Në histori, injoranca e tij në çështjet ekonomike  është flagrante dhe e njohur, përderisa e pranon vetë me budallallëk se është krenar më shumë si piktor dhe degradimi i ekonomisë shqiptare, gjatë kësaj dekade është evident, por gjithsesi sofizmat dhe justifikimet me kriza, tërmete e pandemi, mund t’i ofrojnë një patericë virtuale.  

Përkundrazi, demagogjia e krijuar nga rrjeta sorosiane e mbrojtjes nëpër Evropë, me pjesëtarë të komisioneve europiane, ambasadorë apo kryetarë shtetesh të të njëjtit rrjet, që e mbrojnë dhe e mbështesin Ramën në çdo marrëdhënie, çështje të nxehtë, takim e deri dhe në zgjedhjet e skandalet e krijuar nga bëmat e tij korruptive dhe autoritare, as nuk kanë arritur kurrë t’ia lartësojnë figurën deri në konsiderimin lider, as ballkanik e asgjë tjetër të këtij lloji, siç  mëton ditë e natë propaganda e tij, por vetëm sa e kanë shpallur si vasal dhe mekanizëm që përdoret për të vajosur dhe pastruar mekanizmin e rrjetës sorosiane, sa herë që ajo ka nevojë dhe sa herë që i duhet të hedhë një nismë apo iniciativë për interes të saj. 

E kemi parë e provuar këtë në projektin e “Ballkanit të hapur” kur gjithë iniciatorët e kësaj nisme u përdorën dhe pastaj u flakën kur nuk u duhej më nisma e rrjetit dhe e interesave të rrjetit. 

Po kështu, retorika e tij nacionaliste kundër Europës, sado që mund t’u zgjojë shpirtin e krenarisë ca patriotëve dritë shkurtër e jo të kthjellët, e bën në sy të të gjithëve një dordolec të praktikave dhe synimeve të shtrembta sorosiane për Europën dhe nuk e ngre kurrsesi në sy të të tjerëve si largpamës. Por ajo që është më e tmerrshmja, kritikat e tij ndaj unitetit dhe problematikave që ka sot Europa, as nuk janë të ngritura në lartësinë e shpirtit të kohës, siç mund të referojë një mbështetës i tij i ditur, por as edhe nuk janë në lartësinë e shumicës dërmuese të shqiptarëve. 

Shpirti i tyre ka pakënaqësi e mendja e tyre e mprehtë i kupton dykuptueshmërtinë e qasjeve ndaj nesh dhe në përgjithësi ndaj Ballkanit, por kurrë nuk do t’i delegonte kryeministrit të vet ato fjalë e ato fyerje në sjellje e veprime që herë pas herë ai bën nëpër takime dhe fjalime me liderët europianë. 

Kjo injorancë historiko-diplomatike e qëndrimit që ai ka mbajtur gjatë gjithë këtyre viteve në raport me Europën, me gjuhën e tij të drunjtë herë pas here, nuk ka për ta shpëtuar kurrë të mbrohet si nacionalist, sepse dëmi i pallogaritshëm që një tejkalim i pamotivuar në këto marrëdhënie, në momentin, në kohën dhe situatën e gabuar, i sjell interesave dhe perspektivës sonë eurpiane, e bëjnë atë në një qasje afatgjatë një antinacionalist të rrezikshëm. 

Të njëjtën gjë, siç bën gjithmonë, përtej ligjeve, normave dhe diskursit ndërkombëtar, ai po bën edhe në rastin e çështjes “Beleri”. 

Unë jam një studiues prej vitesh i marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe qëndrimet e mia janë të njohura publikisht madje të shprehura dhe në libra, por megjithatë në një rast të tillë nuk mund të mos rri pa e dënuar mënyrën dhe qasjen se si Rama po i udhëheq marrëdhëniet me fqinjin tonë dhe ndikimin që kjo fqinjësi ka në perspektivën europiane. 

Nuk dua ta lidh këtë çështje të burgimit të Belerit për “korrupsion votash” me  të shkuarën dhe personalitetin e tij në rrjedhën historike, thjesht sepse nuk mund të lidhen bashkë. 

Nëse ai ka bërë diçka dikur duhej të ishte dënuar dikur, po që ta bësh atë shembull të shitblerjes së votës kur dihet se sa shumë fletë e fakte shtrëngimi, abuzimi, blerje dhe manipulimi votash ka dosja e trashë e voluminoze që opozita ka dërguar tek të gjithë ndërkombëtarët dhe organet e drejtësisë shqiptare për zgjedhjet e fundit, është përtej se e trashë si gjetje edhe shumë lakuriqe për llojin e diktaturës dhe arrogancës që kryeministri ynë ka instaluar tashmë edhe në gjuhën dhe diskursin shqiptar karshi europianëve. 

Të gjithë ata po e dënojnë mbajtjen e tij në burg, sepse të gjithë e kanë kuptuar prapaskenën që ajo ka, grabitjen e tokave të Himarës. 

Vetëm se një pyetje kam për të gjithë atdhetarët që ende besojnë te Edi Rama si atdhetar: vallë kaq e rëndësishme është të mbahet në burg Beleri për ato pak lekë që mund t’i kenë inskenuar se mund t’i jepte një votuesi, kur po prishet një marrëdhënie me europianët dhe po i jepet një rast i artë në pjatë propagandës dhe diplomacisë greke të kushtëzojë Shqipërinë në rrugën për në Europë?! 

Po sa dosje flagrante ka SPAK për korrupsion të dukshëm dhe të thellë në zgjedhje?! 

Sa dosje për manipulim e blerje masive votash janë përfolur në parlament për Dibrën, për Elbasanin dhe së fundi për Shkodrën dhe asnjë nuk është dënuar?! 

Po pse për kaq budallenj i merr shqiptarët ky palo kryeministër?! 

Jo, jo! Askush nuk është budalla, por është demagogjia ajo që ka ligjet e veta dhe duhet të përdoret në çdo rast, qoftë edhe më flagranti. E gjithë kjo histori ka një emër: Edi Rama i kapur nga të gjitha anët, e në rastin specifik, i kapur me interesat e tokave në Himarë, nuk pyet për asgjë: as për ligj e drejtësi, as për popullin e tij, e as për ndërkombëtarë dhe kjo është shenja më emblematike e një diktatori. 

Kjo është diçitura më e dukshme e tij, që edhe një skandali korruptiv nga më të tejdukshmit, do t’i vendosë si gjethe fiku një budallallëk me brirë, siç është alibia e blerjes së votave. 

Ai nuk pyet më as për fytyrë europiane të Shqipërisë, as për perspektivë diplomatike europiane, sepse patriotizmi i tij i vetëm është pushteti dhe ruajtja e tij me të gjitha forcat dhe interesat korruptive të bashkëpunëtorëve të vet. 

Një antinacionalizëm i tillë do të mbetet historik për Shqipërtinë dhe shqiptarët derisa ai të jetë në pushtet. 

Fqinjët tanë, të cilëve tani u ka ngecur sharra në gozhdë me veprimet e tij të paskrupullta, duhet ta kishin njohur dhe denoncuar shumë kohë më parë, në të gjithë ato herë kur ai rrënonte të ardhmen shqiptare me zgjedhje jo të lira, jo të drejta e të ndershme, dhe jo ta mbronin në heshtje se ashtu u interesonte. 

Duhej ta kishin denoncuar edhe atëherë kur skandalet miliona dollarëshe rridhnin e shkatërronin themelet e demokracisë shqiptare, sepse kështu i dhanë dorë e rrugë të lirë autoritarizmit të tij që, tashmë i ngjitur në zenitin e diktaturës, nuk pyet më as për ta. 

Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë, sidomos për njerëz të tillë.  Kjo që po ndodh le ta dërrmojë njëherë e mirë propagandën se Rama më mirë vepron në skenën ndërkombëtare se sa atë shqiptare. 

Tashmë fytyrën e tij të vërtetë po e njohin fqinjët dhe mbarë Europa. 

Tashmë një fytyrë të tillë nuk ka rrjet sorosian që e shpëlan dot, aq pis e katran me bojë sa është bërë. 

Tanimë ai duhet të zhduket e të mos e pengojë më Shqipërinë në ëndrrën europiane të bijve të vet se përndryshe do ta zërë mallkimi më i sinqertë dhe më i kobshëm në botë, mallkimi i një biri dhe një bije që sheh prindërit e vet të pafuqishëm e të pamundur për të reaguar. 

Mos e lënshim pra të ardhmen dhe situatën shqiptare në një gjendje të tillë! - Kjo le të jetë parulla e çdo qasjeje dhe veprimi opozitar nga sot e tutje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco