'DASH denoncon sektin Rama për pastrim parash dhe korrupsion sistemik'

'DASH denoncon sektin Rama për pastrim parash dhe korrupsion sistemik'

Nga Bujar Leskaj - 28/07/2023

Nga Bujar Leskaj

Më 27 korrik 2023, Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) publikoi Raportin mbi Klimën e Investimeve për vitin 2023 në Shqipëri, duke ngritur një sërë problemesh të mprehta. Është ndoshta vrojtimi i DASH më denoncues dhe kritik i viteve të fundit.

Raporti cilëson se “Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin e vazhdueshëm në sektorin publik, gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe të shtrembëruar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe të bërit biznes në Shqipëri”

(https://www.state.gov/reports/2023-investment-climate-statements/albania/, paragrafi i tetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

Pse kemi rënë kaq fort në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit?

Departamenti Amerikan i Shtetit përmend se në vitin 2022, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Shqipëria renditej e 101-a nga 180 vende. Në vetëm shtatë vitet e fundit, Shqipëria ka zbritur 18 vende në klasifikimin e Transparency International.            

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit të perceptimit të korrupsionit, nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni. Në Raportin e tij, të publikuar gjatë këtij viti, Transparency International i jep vendit tonë vetëm 36 pikë, ose dy pikë larg vendit më të korruptuar të Evropës, që është Bosnje-Hercegovina me 34 pikë.

Sipas Transparency International, në 5 vitet e fundit(2017-2022), Shqipëria nuk ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit, duke u luhatur vazhdimisht mes 36 dhe 35 pikëve. Organizata prestigjoze konkludon se mos-përparimi nënkupton se vendi ka dështuar në luftën kundër korrupsionit.

Transparency International thekson se performanca e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit është dobësuar, veçanërisht kur flitet për rreziqe politike, përfshirë patronazhimin dhe nepotizmin, shkëmbimin e ndereve, vendet e përcaktuara të punës, mbajtjen sekret të financimit të partive publike dhe lidhje të ngushta e të dyshimta mes biznesmenëve dhe politikanëve.

Jo vetëm për DASH dhe Transparency International, por për të gjithë komunitetin ndërkombëtar që na vëzhgon, është e qartë pse ka ndodhur kjo rënie në klasifikim.

Cilesimet e Departamentit Amerikan te Shtetit jane dukshëm më pezhorative se cilesimet e një viti më parë, pasi këtë vit DASH ka përfshirë në raport pastrimin e parave dhe korrupsionin e vazhdueshëm e sistemik në sektorin publik.

Më tej në raport, DASH thekson se”Shqipëria ka një sektor të madh informal dhe aktivitete të pastrimit të parave. Task Forca e Veprimit Financiar për Pastrimin e Parave (FATF) e përfshiu Shqipërinë në listën e saj gri në vitin 2020 dhe vendi vazhdon të jetë në listën për vitin 2023 për shkak të mangësive strategjike në adresimin e shqetësimeve të pastrimit të parave. Komuniteti i biznesit raporton se fluksi i madh i të ardhurave të paligjshme nga trafiku i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembëron konkurrencën në treg” (https://www.state.gov/reports/2023-investment-climate-statements/albania/, paragrafi i nëndë i Përmbledhjes Ekzekutive). Paragrafi i nëndë është shtuar i gjithi këtë vit dhe nuk ka qenë më parë në raportet e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri.

Pastrimi i parave-njolla e turpit që sekti Rama vendosi mbi imazhin e Shqipërisë

Pastrimi i parave që kryhet intensiv në ekonominë tonë sot është njolla e zezë e turpit që ka vendosur sekti Rama në qeverisje, mbi imazhin e Shqipërisë. Ishte ky sekt që në vitin 2020 e përfshiu Shqipërinë në Listën Gri të pastrimit të parave të MONEYVAL. Vendi u klasifikua për risqet dhe pastrimin real të parave të pista në çdo renditje ndërkombëtare, nga Instituti i Basel-it, SELDI e deri tek raporti i DASH, duke theksuar tre sektorët kyçë ku pastrimi i parave ndodh, që janë :

Turizmi
Ndërtimi dhe
Lojërat e fatit

Me denoncimin e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e tij të këtij viti për klimën e investimeve në Shqipëri, tashmë pastrimi i parave në Shqipëri është zyrtar. DASH shkon edhe më larg. Thekson se edhe me fonde publike, me koncesione, me PPP, po pastrohen para në Shqipëri.

Sipas “Raportit të Tranzicionit për vitet 2022-2023”, të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH), cilësia e qeverisjes së Shqipërisë është në përkeqësim. Kapja e shtetit dhe pastrimi i parave u identifikuan nga raporti i BERZH si probleme serioze, që pengojne procesin e integrimit në BE. Sipas BERZH, pothuajse 3 % e vlerës së qarkullimit të firmave në Shqipëri (vlera më e lartë në rajonet e BERZH) shpenzohet për pagesa informale, në krahasim me më pak se 0,01 % në ekonomitë e përparuara, si Estonia dhe Letonia. Raporti kritik i BERZH vjen pas shumë gjetjesh dhe konkluzionesh kritike dhe alarmante nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Transparency International, SELDI, FMN dhe Banka Botërore, lidhur me nivelin e korrupsionit, të pastrimit të parave dhe të kapjes së shtetit tek ne.

Investuesit e huaj shantazhohen nga administrata, media dhe grupet kriminale

Asnjëherë më parë në Raportin e Deprtamentit Amerikan të Shtetit nuk ka patur një pasazh kaq të rëndë e problematik, sa në paragrafin e dhjetë të Përmbledhjes Ekzekutive të Raportit për Klimën e Investimeve në Shqipëri 2023.  “Akuzat për korrupsion janë të zakonshme dhe investitorët shpesh raportojnë se ata bëhen objektiv i zhvatjes si nga administrata publike, ashtu edhe nga media dhe grupet kriminale”. Nuk mund të denoncohet më qartë! Sipas DASH, investitorët në Shqipëri shantazhohen nga zyrtarët publikë, krimi dhe media. Ndryshe nga raportet e kaluara, kur e cilësonte korrupsionin në Shqipëri si endemik, këtë vit Depertamenti i Shtetit përdor fjalën sistemik, për të përshkruar korrupsionin në Shqipëri. Korrupsioni sistemik nënkupton se kjo dukuri është e përhapur gjerësisht në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare.

Ndërkohë një akuzë e drepërdrejtë ngrihet mbi qeverinë. “Investitorët raportojnë në mënyrë frekuente raste të korrupsionit të qeverisë, të cilat vonojnë dhe parandalojnë investimet në Shqipëri.” (https://www.state.gov/reports/2023-investment-climate-statements/albania/, paragrafi i dhjetë i Përmbledhjes Ekzekutive).

Edhe kjo fjali, e cila akuzon drejtëpërdrejtë qeverinë për korrupsion, është shtuar për herë të parë në raportin e këtij viti, pasi nuk ka qenë në vitet e kaluara. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe me cilësimet e DASH, pasi zyrtarët amerikanë që përgatisin raportin shohin se janë të panumurta denoncimet në median e pavarur shqiptare të shkeljeve të institucioneve kryesore prokuruese shqiptare, si Autoriteti Rrugor Shqiptar(ARRSH) dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit(FSHZH).  

Të gjitha të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave dhe nga ajo e Infrastrukturës flasin për kosto të rritura me herë për ndërtimin e një km rrugë gjatë dhjetë viteve të fundit. Kostot kanë një diferencë të lartë në rrugët e ndërtuara me para nga Buxheti i Shtetit, në krahasim me financimet dhe huatë e buta nga donatorët.

Në mënyrë sistematike, kostot për njësi (kilometër) me fonde të huaja janë shumë më të ulëta se ato me fonde buxhetore të brendshme për periudhën 2013-2022. Kështu, një kilometër rrugë e kategorisë C, me financim të brendshëm, kushtoi në vitin 2020 mesatarisht 667 milionë lekë, ndërsa një kategori e tillë me financim të huaj kushtoi 111 milionë lekë, ose 6 herë më pak. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në tenderat publikë për rrugët, me para të buxhetit të shtetit, përbën arësyen madhore pse Banka Botërore, një nga financueset kryesore të ndërtimit të rrugëve publike në vendin tonë në vitet 1996-2012, është larguar nga pjesëmarrja në projektet tona të infrastrukturës rrugore, pas vitit 2013. 

* * *

Krahas boshatisjes së vendit, kapjes së shtetit, ligjeve të qepura me porosi, masakrës me pronat e qytetareve dhe atyre publike, braktisjes së shtresave në nevojë dhe biznesit gjatë pandemisë dhe më tej periudhës së inflacionit të lartë, të shkaktuar nga agresioni i Putin në Ukrainë, pastrimi i parave dhe korrupsioni sistemik, të theksuara dukshëm më 27 korrik 2023 nga Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për klimën e investimeve në Shqipëri, përbëjnë denoncimin më të fuqishëm të paudhësive të sektit Rama në këto 10 vite të (keq)qeverisjes së Shqipërisë prej tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco