Pse ministrat e Brendshëm nuk kanë ‘fat’ me Ramën?

Pse ministrat e Brendshëm nuk kanë ‘fat’ me Ramën?

Nga Alfred Lela - 10/07/2023

Taulant Balla do të jetë ministri i pestë i Brendshëm i Edi Ramës në 10 vite pushtet dhe në mandatin e tretë qeverisës. Askush nuk mund të thotë me siguri nëse ai do e mbyllë mandatin në vijim ose jo.

Qeveritë e Ramës kanë qenë të pasigurta për ministrat e Brendshëm dhe konvaleshencë për ministrat eksperimentalë, një lloj i ri përfaqësimi politik i tipit Gent Cakaj apo Bora Muzhaqi etj., që kryeministri i ka sjellë në kabinet për të plotësuar tekat, dhe në përpjekje për ta dezuzarizuar me sa të mundej qeverinë e tij.

Sa u takon ministrave të Brendshëm, të cilët janë të ngarkuar me punë për të kontrolluar zuzarët, por janë bërë jo rrallë vetë të tillë, shumica syresh kanë ikur si rrënues të piarit të qeverisë dhe të Ramës, dhe jo në pamundësi të luftës kundër krimit, dështim në përçimin e filozofisë qeveritare në raport me rendin dhe sigurinë, etj.

Në këtë kuptim, pyetja që mund të bëhet nuk është: pse nuk ka fat Rama me ministrat e Brendshëm, po pse nuk kanë ata fat me Ramën?

Përgjigja, mendoj unë, është e thjeshtë. Rama nuk i sheh dhe as i ngarkon ata me punët e rënda dhe fisnike të rojës së rendit, sigurisë dhe interesit publik, por si letër zmerile që sheshon thepat e marrëdhënieve publike.

Për Ramën ka më rëndësi uniforma, mungesa e barkut, yjet e të rënëve të ministria e Brendshme etj., se sa korrupsioni policor, policimi në komunitet, besimi i publikut. Madje ky i fundit, pjesë e operacionit të piarit, fitohet duke simuluar, jo duke punuar.

Për Ramën ka qëlluar të jetë e rëndësishme që ministrat e Brendshëm të jenë të ethshëm kundër aksionit opozitar, siç ishte Sandër Leshaj, apo forcë e verbër kundër ndërtesës së Teatrit Kombëtar dhe mbrojtësve të tij.

Për ata që e kërcënojnë njëmend sigurinë publike, filozofia e qeverisjes së PS përmblidhet në togfjalëshin e Kryeministrit ‘hëngshin kokat e njëri tjetrit’.

Megjithatë, nuk është kjo pengesa më e madhe që kryeministri ka hedhur në këmbët e atyre që ka shenjuar si ministra të Brendshëm. Një funksionar i tillë është i pamundur të veprojë apo artikulojë sa kohë që shteti dhe aparati i dhunës, pjesë e të cilit është, nuk ka qëllime etatiste (shtetërore) por politike (të pushtetit).

Në Fushë Krujë p.sh. nuk dështoi ministri i Brendshëm, por shefi i tij Rama dhe pasuesi në detyrë, Taulant Balla. Nëse Rama e 'licensoi' për të disatën herë Rrahman Rrajën dhe të ngjashmit, i cili u bë më pas ‘fenomeni Rraja’, Balla u kujdes që fenomeni të mos cenohej, por të zotëronte në zonën e Krujës, i papenguar. Rasti i Komisariatit të Fushë-Krujës, dhe ndërhyrja e deputetit Balla, që çoi në arratisjen jashtë vendit të oficerit të policisë, Nuhu, e tregon qartë këtë.

Kështuqë, në finale, dorëheqja e Rrajës, shkarkimi i Çuçit, ngarkimi i Ballës, janë marrëdhënie të brendshme dhe normale të qeverisë së Partisë Socialiste. Siç thotë populli ‘ky stan këtë bulmet ka’.

Si i tillë rasti nuk tregon krizën e qeverisjes, por mungesën e saj. Duke kaluar nga kriza në krizë kjo lloj qeverisjeje i ka anuluar të gjitha krizat dhe është bërë vetë kriza.

Në këtë kuptim ministrat e Brendshëm nuk kanë fat me Ramën, dhe as do të kenë. 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco