Koha e politikës ka mbaruar

Koha e politikës ka mbaruar

Nga Luçiano Boçi - 09/07/2023

Në vendin tonë koha e politikës ka mbaruar!

Nuk ndodhi thjesht dje. Dje u përshfaq dhe u pranua në opinion publik.

Dje vetëm ranë sirenat shumë fort!

Është iluzion të thuash që vendin e drejton një mazhorancë politike me politika, një kryeministër me kabinet, një qeverisje me mandat.

Vendi drejtohet nga një organizatë kriminale me logo politike e cila ka rekrutuar nën armë të gjitha segmentet e krimit dhe të fateve të mbrapshta dhe ndan me ta prej shumë vitesh pushtetin, paratë e pronat e tani dhe kabinetet.

Është iluzion të thuash që kemi një sistem demokratik pluripartiak.

Në një vend normal demokratik partitë politike ruajnë ekuilibrin social dhe rivalizojnë me vlera, programe e vizione.

Garojnë me votë dhe evoluojnë ideologjikisht.

Thelbi i politikës është konkurrenca e rivaliteti politik. Ky është sistemi demokratik. Por këto e ky sistem janë zhdukur.

Thelbi i luftës është eliminimi dhe sundimi i një pale në aleancë me çdo të keqe.

Kjo po ndodh. Kjo na është imponuar. Ky është regjim fund e krye.

Këtë ka bërë dhe i ka ofruar shoqërisë e politikës Rama me organizatën e tij!

I gjithë investimi i tij ka shkuar drejt qëllimit për të eliminuar opozitën dhe PD.

De facto kjo është lufta e ofruar të cilën duhet ta luftojmë si luftë dhe jo si garë politike.

Kjo nuk është lojë luftash.

Është e kotë të bëjmë sikur!

Është e kotë të presim zbritjen e arsyes politike!

Është e kotë të na bëjnë të fortë të tjerët!

Është e trishtë të shohësh marionetat e PS që duan të veshin kostumin e zyrtar-opozitës!

Është qesharake të dëgjosh fajkonjtë e organizatës të dalin me emfaza partish gjoja të reja!

Sot:

Shteti është i pushtuar.

Shoqëria e helmuar.

Politika e traumatizuar.

Vendi i shpopulluar.

Drejtësia e përdhunuar.

Ligji i poshtëruar.

Dhe që politikës t’i vijë koha ne duhet të bëjmë luftën tonë.

Vetëm kështu shpëtojmë politikën, familjen, shoqërinë e vendin!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco