Mbi debatin pleq dhe të rinj në politikë, dje sot

Mbi debatin pleq dhe të rinj në politikë, dje sot

Nga Ndriçim Kulla - 09/07/2023

Për luftën e përhershme mes brezave në politikë dhe në mënyrën e të kuptuarit të koncepteve bazë të politikës ka patur gjithmonë debate. Tradita e e viteve 30-të, si shembull që vijon edhe sot, por në përmasa shumë më mediokre.

Në mjedisin shqiptar të viteve 30-të të shek. të kaluar, hynin të përkthyera nga dora e mprehtë dhe kultura e gjerë e një brezi intelektualësh, jo vetëm vepra të mirëfillta dhe origjinale nga Dyma, Majakovski, Tolstoi, Hajne, Gëte, Gorki etj., por edhe përkthime dhe referenca të shumta nga filozofë, sociologë dhe psikologë të shquar, si: Dekart, Kant, Bergson, Shopenhauer, Frojd, Niçe, Adler, Durkheim etj.

Kjo solli një proces të madh kulturor, që është i pakrahasueshëm për nga cilësia, me asnjë periudhë tjetër historike të zhvillimit të Shqipërisë. Gazetat më të mira që mblidhnin rreth tyre qarqet intelektuale në Shkodër, Tiranë, apo dhe Gjirokastër, funksionuan si shkolla të mëdha, që guxuan të trajtonin probleme të mprehta kombëtare, duke dhënë edhe zgjidhje që jo rrallë kaluan provën e suksesit.

Edhe pse ndonjëra prej tyre, si ‘LEKA’ dhe ‘Hylli i Dritës’, si instrumente ishin në duart e klerikëve të shkollës së Veriut, në realitetin e zymtë shqiptar, ato nuk trajtuan thjesht probleme mistike-fetare, por krejt ndryshe, u shndërruan në mësues të çështjes kombëtare dhe gjallërues të zjarrtë të një lëvizjeje të gjerë mendore. Që në artikujt e parë të ‘Hyllit’ të periudhës së tretë (1930), Anton Harapi në një sërë artikujsh, si p.sh. ‘Prej kahë do të nisemi e ku do të kapemi’, shpjegon se duhet ta përshpejtojmë trajtimin e shqiptarit , por pa i kapërcyer ligjet e evolucionit; duhet ta njohim mirë bazën shpirtërore mbi të cilën duhet të startojmë kulturën e vërtetë’.

Gjen ky përfundim një jehonë të qartë në konceptimin e Merxhanit ‘do të shpejtojmë, por jo shumë, sepse ngutja e prish shpesh rrënjosjen e një qytetërimi të ri’. Po çelësi dhe guri i themelit, nga ku duhet filluar puna mendore, është ngulitja e kolektivitetit në shpirtin e shqiptarit. Kjo do të qe edhe tema e parë që u rrah dhe u trajtua gjerësisht që në fillim nga mendimtarët cilësorë shqiptarë.

Shqiptari ka parime për jetën e tij vetjake, për jetën familjare, por nuk ka dhe nuk çmon parime për atë që quhet interesi i përgjithshëm. Në artikullin e famshëm ‘Krodha e bukës’, Vangjel Koça sqaron se ajo është sot puna e vetme e shqiptarit. Në këtë ‘krodhë’, qëndron sot tërë ideali i jetës. Një çikë sikur ajo të rrezikohet, shqiptari e ndjen veten të humbur.

Është gjëmë e madhe që ajo të humbë, ndaj interesi i përgjithshëm për shqiptarin, është një res nullius’. Por raporti antagonist midis pleqve dhe të rinjve, është një dilemë që karakterizon tërë fazat e ndryshimeve të shoqërisë shqiptare, por sidomos vitet 1930-1940, që e bënë tragjike këtë dilemë. Që në vitin 1933, Tajar Zavalani ishte njëri nga mendimtarët më të spikatur që e shtroi këtë temë në gazetat ‘Minerva’ dhe ‘Illyria’ (sidomos në artikullin ‘ Pleqtë s’mund t’i zgjidhin problemet tona të mëdha’).

Të vjetrit, shkruan ai, ishin produkt i një regjimi ku filozofia politike përmblidhej në sentenca. Në shumicën dërmuese, ata ishin të edukuar në Perandorinë Osmane, që ishte një teokraci absolute, ndërkohë që intelektualët e rinj sot gjenden në mes të monarkive kushtetuese dhe republikave demokratike. Sa qenë në fuqi, ata vepruan brenda një horizonti të ngushtë që nuk e ndiqte aspak lëvizjen e kohës.

Por nevoja më e madhe ishte të formohej ndërgjegjja kombëtare, të zhdukeshin plagët e krijuara në shekuj. Të vjetrit këtë nuk e bënë, ata nuk ditën t’i shëronin plagët tona historike. Ky ishte përfundimi në të cilin arrinte Zavalani. Kësaj pikëpamjeje iu përgjigjën mjaft nga intelektualët e veriut dhe ata të mbledhur rreth Illyrisë.

Por pamfletin më të bujshëm e kuptim-plotë, e shkroi më 1937, Krist Maloki në ‘Hyllin e dritës’. Duke vëzhguar me kujdes e mprehtësi një dekadë të rëndësishme të jetës kombëtare, ndryshimin midis pleqve dhe të rinjve, ai e trajtoi nga një këndvështrim i vlerësuar nga rrallëkush. Sipas tij, ‘brenda gjithë kësaj përplasjeje tragji-komike ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve, mund të dallohen nja dy-tri rryma pak a shumë karakteristike.

E para qe më fort me një ngjyrë thjesht politike dhe kishte për objekt sulmin ndaj kolltukëve qeveritarë. Bajraku i të Rinjve (neoshqiptarë të Tiranës!), kishte mbishkrimin e padukshëm: ‘Ulu, ti, të hypi unë!’… dhe flamuri i Pleqve ishte… ‘Besa!’.

-Rryma e dytë u kanalizua në një mënyrë misterioze nëpër fletët e revistës ‘Leka’. Koncepsioni i asaj reviste serioze-rreth temës përkatëse-u duk më fort se i çuditshëm dhe i pa vend, sepse ajo e vetmja, në të gjithë ‘miletin’ shqiptar, e kuptoi luftën ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve si një luftë ndërmjet generacioneve të ndryshme, d.m.th. ndërmjet pleqve dhe të rinjve nga mosha; a thue se s’e di gjithë bota se lufta ndërmjet generacioneve, se lufta ndërmjet atit e të birit (Filipit e Lekës!) s’është tjetër veçse një luftë e dhënë prej Zotit si një luftë e amshueme, për të cilën na flet me aq dramaticitet historia e letratura.

Problemi Pleqt apo të Rinjt s’ka punë me njat luftë e me generacione në pikëpamje biologjike-sociologjike! Rryma e tretë mandej qe e vetmja, e cila iu afrua pak a shumë thelbit të problemit, tuj e cilësue luftën ndërmjet Pleqve dhe të Rinjve, si një luftë mendsinash e botëkuptimesh, a ma mirë: Si një luftë ndërmjet Orientalizmës dhe Okcidentalizmës në vendin tonë -thotë autori. Në këtë kuptim, lufta midis pleqve dhe të rinjve nga mosha, ka për të vazhduar sipas ligjeve të amshueme, deri në mbarimin e botës. Dhe debati mbi këtë temë, sot ka një aktualitet të padiskutueshëm në ambientin e politikës shqiptare.

Sot këtë debat e përshkon kryesisht mediokriteti dhe politizimi i tepruar që kapërxen djallëzisht referencat e sotme dhe historike dhe jo kultura dhe arsyeja duke ngatërruar moshën me shëndetin mendor.

Ndërkoh që sot, kjo luftë duhet të dallohet qartësisht nga drejtimi që duhet të ketë si luftë kundra një armiku të padukshëm dhe të rrezikshëm për shpirtin e kombit. Kjo luftë duhet të bëhet si përpjekja e brezit të ri shqiptar kundra armikut të zemrës së vet, si lufta e një mendjeje krijuese kundra një mendjeje destruktive, si lufta e një botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errësire, si lufta e një ‘të gjalli’ kundra një të ‘vdekuri’, si lufta e një idealisti kundra një karrieristi si lufta e një demokrati kundra një autokrati, si lufta e një të afti kundra një gjumashi të pa aftë.

Dhe nuk duhet degraduar thjesht si zëvendësim i një brezi prej një brezi tjetër më të ri, në jetën tonë politiko-shoqërore.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco