Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi në seancë plenare

Ku ndryshojnë mesazhet e Bush të vitit 2007 dhe ato të Klinton më 2023!

Ku ndryshojnë mesazhet e Bush të vitit 2007 dhe ato të Klinton më 2023!

Nga Enver Bytyçi - 05/07/2023

Kryeministri Rama është vënë në garë me paraardhësin e tij, Doktor Berishën, për sjelljen e personaliteteve të botës për vizitë në Shqipëri! Kjo garë vazhdon prej disa vitesh. Është garë e egos së tij. Sipas zotit Rama, duhet tejkaluar arritja e paraardhësit të tij, Berishës, që të mbetet në histori si një kryeministër unik. Por thjesht nga pikëpamja formale, sepse në përmbajtje historia e kryeministrit arrogant të Shqipërisë është histori e kanabisit, korrupsionit e madje korruptimit të personaliteteve me ndikim në vendimmarrjen e vendeve demokratike në këmbim të zënies së vendit të tij në histori. Pra është edhe lobimi për shpalljen non-grata të ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të vendit, Sali Berisha. 

Por ai, edhe 800 vjet të qëndrojë në pushtet, nuk do të mundë të sjellë në Tiranë ndonjë president amerikan në detyrë! Është çështje integriteti kjo, nuk është çështje lobimi! Me lobim mund të sjellësh në Shqipëri edhe të madhin Toni Bler, akoma më të madhin Bill Klinton, por jo çdo personalitet në detyrë! Presidentët në detyrë vizitojnë vetëm ata homologë që kanë identitet dhe integritet dhe nuk përbëjnë rrezik për imazhin e tyre në botë. Një kryeministër me akuzë për korrupsion personalitetesh, si Edi Rama, kurrë nuk mund të vizitohet prej ndonjë presidenti amerikan! 

Prandaj dhe ardhja e ikonës së shqiptarëve në Tiranë para dy ditësh nuk ngjan me vizitën e presidentit Bush në Shqipëri, qershorin e vitit 2007! Kjo, jo thjesht se Klinton nuk është president në detyrë. Vizita e Klinton nuk i ngjan madje as vizitës së presidentit Bush Senjor në Vlorë në verën e vitit 1996, shoqëruar nga Kolin Pauell! 

Por nuk ngjan as për mesazhet që u dhanë! Presidenti Bush më 10 qershor 2007 kërkoi që t’i jepej fund marrëzisë së mbajtjes peng të Kosovës! Që Kosova të shpallej e pavarur! Presidenti Klinton më 3 korrik 2023 tha se “I duhet dhënë fund marrëzisë në veri të Kosovës”, duke dhënë mesazhin se paqja nuk mund të cenohet për 4 qyteza të veriut! Kur Klinton përmendi në Tiranë ato qyteza, krijova përshtypjen se ato “qenkan aq të parëndësishme, sa nuk është ndonjë dramë t’i jepen Serbisë”! Sepse Klintonit nuk i kanë thënë se ato qyteza kanë brenda tyre edhe Trepçën dhe Ujmanin!

Presidenti Bush asokohe erdhi në Shqipëri direkt pas takimit të G7+Rusinë në Gjermani. Dhe lajmi pushtoi botën ende pa mbërritur ai në Tiranë! Ishte vizitë shtetërore e planifikuar, e programuar, e projektuar për ta ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj euro-atlantik. Madje edhe vizita e Bush Senjor e vitit 1996 ndryshon, sepse ish-presidentin e vijës së kuqe për Serbinë e shoqëronte një personalitet i spikatur, Kolin Pauell. Ndërsa presidenti Klinton erdhi me ndërmjetësimin dhe shoqërinë e Sorosit dhe mediet u sponsorizuan prej Aleksit për t’i bërë jehonë kësaj vizite!

Presidentit Bush “iu vodh ora” nga propagandistët e sojit që dje pritën Klinton në Tiranë! Sepse duhej që deklaratën e tij për Kosovën ta eklipsonte në mediet botërore “vjedhja e orës së tij”! Ishin këta që u ndodhën në shkallët e kryeministrisë mbrëmjen e datës 3 korrik, ata që sajuan vjedhjen e orës, njësoj si edhe dhunimin e Griselës “shtatzënë”! Ndërsa presidentit Klinton askush nuk i bëri hije për të eklipsuar deklaratën e tij për marrëzitë e Kosovës në veri të vendit!

Pas vizitës së Bush në vitin 2007, Kosova shpalli pavarësinë e shtetësinë e saj! Ndërsa Shqipëria u pranua në NATO! Është enigmë se çfarë do të ndodhë pas vizitës së Klinton me 3-4 korrik në Tiranë! Mesazhet që ai dha nuk premtojnë ndonjë gjë në favor të Kosovës. Ndërsa për Shqipërinë mund të konsiderohet si vizitë në funksion të forcimit të pushtetit të një njeriu autokrat, si Edi Rama! Ndaj dhe kjo vizitë se ç’më kujtoi një anekdotë të vitit 1959 në Hasin tim të lindjes! Tregojnë se kur e pyetën Demë Zenunin, një burrë i mençëm hasjan, për vizitën e Hrushovit në Shqipëri dhe ai thoshte: “Ardhtë shnosh e u ktheftë shnosh në vendin e vet”!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco