Mediatori i kujt?

Mediatori i kujt?

Nga Arbër Zaimi - 03/07/2023

Propozimi i Ramës për “konferencë ndërkombëtare” ku “mbyllen Vuçiçi e Kurti deri sa të gjendet zgjidhja” është një përpjekje për të anashkaluar dhe harruar marrëveshjen Bruksel - Ohër të arritur sivjet mes Kosovës dhe Serbisë, sipas propozimit franko - gjerman.

Pra Rama po bën sikur nuk ekziston marrëveshja Bruksel-Ohër dhe po bën thirrje që të përpiqemi të gjendet një marrëveshje tjetër.

Pse e bën këtë gjë Rama, ne nuk e dimë. Na mbetet të hamendësojmë.

Një gjë e dimë, se po atë ditë kur Borrelli tha se ka marrëveshje obliguese mes Kosovës e Serbisë me garant BE-në, Vuçiçi doli e tha se nuk ka marrëveshje, mesazh që në forma të ndryshme e ka përsëritur vazhdimisht. Pra Vuçiçi është penduar fort që e ka pranuar marrëveshjen Bruksel - Ohër dhe po e saboton atë sa herë që mundet.

Lindin disa pyetje:

1. A është Rama duke i paraqitur evropianëve kërkesën e Vuçiçit kur po bën thirrje për të gjetur një marrëveshje tjetër, pra për të vrarë propozimin franko-gjerman?

2. Nëse po, pse e vendos Rama veten dhe Shqipërinë në funksion të dëshirës së Vuçiçit për t’i ikur marrëveshjes?

3. A është ndalimi i iniciativës anti-Berlin, pra “Open Balkanit”, sakrifica në formë ryshfeti që Rama përpiqet t’u ofrojë francezëve e sidomos gjermanëve, në mënyrë që ata ta pranojnë vrasjen e marrëveshjes Bruksel - Ohër, dhe përpjekjen për një marrëveshje të re?

4. Nëse po, a mendon Rama vërtet se Gjermania e Franca do t’ia pranojnë një ryshfet të tillë? Kur ato vetë garantuan publikisht se marrëveshja Bruksel-Ohër është detyruese për palët?

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco