Dalje nga Ballkani i hapur apo hapje për copëtimin e Kosovës

Dalje nga Ballkani i hapur apo hapje për copëtimin e Kosovës

Nga Luçiano Boçi - 02/07/2023

Ka krijuar shumë reagime deklarata e Ramës për mbylljen e Ballkanit të hapur.

Kundërshtarët e kësaj nisme nuk e fshehin gëzimin për këtë fund. Dështimi i kësaj nisme që në thelb mbivendosej si çiban mbi procesin e Berlinit ishte spektakolar.

Nisma nuk mori asnjëhere formë të plotë dhe mbeti në nivelin e një diversioni politik karakteristik ballkanik.

Si të thuash në atë portë më shumë u trokit se sa hynë e dolën projekte e iniciativa që do ndihmonin ata që e nënshkruan. Kjo më së shumti ndodhi sepse Ballkani i hapur në mes të rajonit i jepte shtysë ekonomike e politike hegjemonisë së faktorit serb.

Rama si iniciatori kryesor, pse jo duke pasur dhe faktorë ndërkombëtarë nga pas, nëpër dhëmbë e ka artikuluar dështimin, sikurse po nëpër dhëmbë përpiqej të fshihte mllefin e tij hakmarrës.

Ai faqe botës dhe opinionit u dëshmua si profan diplomatik dhe njeri pa mendim, shitës i interesave të kombit, sikurse si mashtrues anketash popullore sipas të cilave nisma e tij gëzonte mbështetje publike.

Mos harrojmë që kontribuesi kryesor i dështimit të kësaj martese të hapur Rama-Vuçiç ishte dora vetë Albin Kurti.

Por në të gjithë këtë teatër ngjarjesh, mos të harrojmë kryesoren. Rama ka treguar që nuk heq dorë nga qëllimet e tij pavarësisht rrugës që ndjek.

Dhe po të bëjmë një krahasim të shpejtë të qëndrimeve të Ramës në raport me Kosovën do dallojmë që ajo që ka ndryshuar tek Rama është rruga ndërsa qëllimi është po aty, madje akoma më shumë agresiv.

Ndërsa Ballkani i hapur ishte një thikë e helmët pas shpine ndaj Kosovës sepse de facto nëpërmjet gjoja bashkëpunimit, zgjeronte ndjeshëm autonominë e komunave serbe dhe i atashonte plotësisht ato me Serbinë, propozimi i tij për Asociacionin dhe për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën saksionon de jure copëtimin e Kosovës dhe krijimin e një Republika Srpska në Kosovë.

Jo rastësisht ai ka kërcënuar Kryeministrin e Kosovës me humbjen e Veriut dhe cinizmi i tij për lojë luftash hapur ka zbuluar krahmbajtjen e tij në favor të Vuçiçit.

E gjitha kjo nuk është thjesht e vetëm inat personal apo internacionalizëm i majtë. Rama është në hullinë e “detyrave” që me atë rast e çojnë dhe tek hakmarrja personale.

Rama e di mirë se plotësimi i këtyra detyrave e mban atë në pushtet dhe ecën paralelisht me orekset e tij parajonake.

Kështu qëllimi i tij superior për pushtet përputhet plotësisht me qëllimin e tij për të sulmuar Kosovën.

Prandaj Rama nuk është tërhequr.

Ai vetëm nuk po fshihet më pas Ballkanit të hapur. Nuk ka më nevojë për këtë koperturë. Ka evoluar e ka dalë hapur me një projekt konkret që e ndan Kosovën dhe me atë rast godet dhe “armikun” e tij të ri: Albinin.

Sipas tij ky është shahu politik që i duhet të luajë duke rrezikuar të marrë dhe damkën e tradhëtarit.

Nën këtë optikë qëndrimi i ri i Ramës ndaj Ballkanit të hapur nuk duhet parë si një tërheqje e tij, por realisht si zgjedhje e re startegjike e tij që ai të përmbushë ato orekse koniukturale që i garantojnë vazhdimësinë e sundimit.

Nuk është vendi për të shprehur shumë kënaqësi e brohoritur.

Është koha për të reaguar politikisht deri sa ky Esat Pashë të defaktorizohet dhe të shfronësohet me qëllim që dhe Kosova të mos gjymtohet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco