Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

'Ballkani i hapur', një 'mort' i gëzueshëm, falë Kosovës

'Ballkani i hapur', një 'mort' i gëzueshëm, falë Kosovës

Nga Gent Strazimiri - 01/07/2023

Edi Rama pranoi dje se "Open Balkan" dështoi e, se tashmë është "Procesi i Berlinit" projekti i vetëm që do të udhëheqë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.

I krijuar nga "hiçi" 5 vjet pas nismës personale të Angela Merkel "Procesi i Berlinit", të gjithëpranuar nga vendet e rajonit, "Open Balkan" mbeti një nismë e cunguar që e refuzuan Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.

Arsyet dhe nevoja për krijimin e kësaj nisme paralele mbetën të paqarta, duke qenë se objektivat dhe aspiratat e saj ishin të njëjtat me ato të shpallura nga "Procesi i Berlinit".

Analistët që vëzhgonin zhvillimet e rajonit, në përpjekje për të listuar ndryshimet mes dy nismave, nuk gjenin argument tjetër përveçse interpretimit se "Procesi i Berlinit" është një lëvizje "nga lart - poshtë" duke nënkuptuar drejtimin e saj personalisht nga kancelarja Merkel, ndërsa "Open Balkan" një lëvizje "nga poshtë - lart" duke e prezantuar si "dëshirë e vullnet personal për bashkëpunim, të vetë liderëve të rajonit".

Por faktet treguan se nuk ishte aspak kështu.

Në thelb, veçanërisht për shkak të refuzimit të Kosovës, "Open Balkan" mbeti një "tango dyshe" mes Vuçiç dhe Ramës me pjesëmarrjen e herë pas hershme të Maqedonisë së Veriut, por gjithmonë nën prezencën e Aleks Soros.

Megjithëse nën logon e kësaj nisme u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, "Open Balkan" do të mbahet mend për "negociatat" krejt personale dhe pa asnjë tagër të protagonistëve të tij, për të ndarë territorin e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve.

Që nga viti 2019 kur lindi nga "hiçi", e deri sot që u shpall "e vdekur", nisma e "Open Balkan" i shërbeu veç nevojave të luftës së brendëshme politike të Vuçiç dhe Ramës, sipas rastit, me deklarata a gjeste "dashurie mes evropianistësh" ose "konflikti mes nacionalistësh"...

Në të gjitha rastet ama, në funksion të një konstanteje: duke e rrethuar me armiqësi Kosovën e duke e përçmuar si një realitet që nuk ekziston.

"Procesi i Berlinit", megjithëse projekti i vetëm në tavolinë, do ketë të detyrueshëm bashkëpunimin me të njëjtët protagonistë, të "Open Balkan", fatkeqësisht sundimtarë në Beograd e Prishtinë, kësisoj ka përballë të njëjtat rreziqe për "vdekje të parakohëshme".

Që të mos ketë fundin e "Open Balcan" duhet të rikthehet aty ku nisi në 2014-2015 me 6 pikat e shpallura nga kancelarja Merkel në Beograd e të rikonfirmuara në shtator 2021 kur tha se nuk ka antarësim të Serbisë në Evropë pa zgjidhur më parë problemet me Kosovën.

Paqtim jashtë vullnetit të viktimës nuk mund të ketë, e kësisoj edhe rruga drejt paqes kalon nga Prishtina.

Nëse dikush do shkruante "nekrologjinë" e "Open Balkan", në fund do shkruante se "shkaku i vdekjes" ishte pikërisht indiferenca e Kosovës për të, dhe se as miliardat e Soros nuk e mbajtën dot në jetë...

Këtë "mort" të gëzueshëm, ia kemi borxh Prishtinës, ku ndryshe nga Beogradi dhe Tirana, liria është ende gjallë, anipse ka bërë folenë në një shtet të ri e fare të brishtë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco