Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Lajçak dhe Borell, dy negociatorë për moszgjidhje!

Lajçak dhe Borell, dy negociatorë për moszgjidhje!

Nga Gent Strazimiri - 28/06/2023

Miroslav Lajçak dhe Josep Borell i kanë propozuar Parlamentit Evropian të vendosë sanksione për Kosovën, duke e designuar kësisoj si provokuese dhe përgjegjëse për situatën në Mitrovicë dhe rrethina.

Kundërshtia e euro-deputetëve në lidhje me këtë propozim bazohej mbi pyetjen "pse sanksiononi vetëm Kosovën dhe përjashtoni Serbinë, agresoren historike në rajon, për më tepër të drejtuar nga kasta e bashkëpunëtorëve dhe trashëgimtarëve të Milosheviçit?"

Historia është vetëm pakvjeçare dhe protagonistët janë ende gjallë, njësoj si krimet, kriminelët dhe viktimat.

Konflikti aktual dhe arsyet janë transparente dhe të thjeshta, si e vërteta, që në këtë rast fatmirësisht nuk është vetëm "shqiptare". Këtë vetëm negociatorët Lajçak dhe Borell duket se e kanë të vështirë ta kuptojnë.

Pse?! Ku qëndron vështirësia?!

Miroslav Lajçak ka lindur çekosllovak, në Çekosllovakinë sovjetike, është edukuar si çekosllovak sovjetik e më tej është formuar si diplomat çekosllovak sovjetik në shkollën e diplomacisë sovjetike në Moskë.

Ende student, bëhet anëtar i Partisë Komuniste Çekosllovake,  një parti "kuislinge" duke pasur parasysh se Çekosllovakia ndodhej nën pushtimin faktik të tankeve të Bashkimit Sovjetik.

Nëse marrim parasysh dhe faktin që ky vendim i tij përkon me periudhën më degjenerative të shtetit sovjetik dhe sovjetizmit si ide e praktikë, panorama e funksionimit të tij si "negociator" bëhet edhe më e qartë...

Kulmin e karrierës së tij diplomatike e ka në Beograd, në periudhën e pasluftës kur Milosheviçi i kishte orët të numëruara por, ende jo regjimi i tij.

Lajçak është mbajtës krenar i "Urdhrit të Yllit Jugosllav" - Klasi i Parë, dekoratë e akorduar në minutat e fundit të një shteti që nuk ekziston më, pasi e shembën nga brenda vetë zullumet e veta.

Janë pikërisht të njëjtat zullume që vazhdojnë e për të cilat Lajçak është thirrur të negociojë e t'u gjejë zgjidhje.

Ditët e arta të jetës së tij studentore e profesionale, Lajçak i ka në Moskë e Beograd...

Kësisoj, nga këndvështrimi i Lajçak, nuk ka asnjë arsye që Kosova apo çdo vend tjetër i Ballkanit, të ndjehet i kërcënuar nga hija e rikrijimit të Jugosllavisë, qoftë edhe në një format apo paketim tjetër...

Josep Borell, është politikan tipik i së majtës spanjolle, me një karrierë shumë të respektueshme politike në disa dhjetravjeçarë. Ai është ndoshta përfaqësuesi më ilustrues i klasës politike, veçanërisht të majtës spanjolle, me të gjitha virtytet, keqkuptimet dhe kufizimet e saj.

Si militant socialist spanjoll edhe ai ka adhuruar Moskën dhe Bashkimin Sovjetik si shpresa më realiste për të rrëzuar regjimin diktatorial të gjeneralit Franco.

Si të gjithë socialistët spanjollë dhe evropianë që të vrisnin nëse i shaje "sovjetët", ishte krenar për "gjeneralisimin Stalin" deri në 1956, u trondit nga të vërtetat që zbuloi për të Hrushovi në Kongresin XX, shpresoi se regjimin e konsolidoi Brezhnievi, për ta parë duke rënë copash nën drejtimin e Çernienkos, Andropovit e Gorbaçovit.

Si gjithë kasta e vjetër e të majtëve evropianë, edhe Borell është krenar për të shkuarën e tij milituese, dhe besimin naiv e romantik tek "shteti i madh i sovjetëve"... pavarësisht se rezultoi zhgënjim.

Për më tepër, specifikisht në lidhje me Kosovën, Borell mbart kekqkuptimin e përgjithshëm të klasës politike spanjolle, e cila unanimisht refuzon ta njohë si shtet. Arsyeja absurde është Katalonja!!!

Katalonja dhe Kosova nuk kanë asnjë ngjashmëri, as historike e as aktuale.

Katalonja, veçanërisht në 40 vitet e fundit, është një nga rajonet më të pasura të Spanjës, pikërisht se atje respektohen të drejtat e njeriut dhe ka liri e funksionon ligji dhe shteti demokratik.

Kosova, në 40 vitet e fundit ishte rajoni më i varfër i Jugosllavisë sepse nuk gëzonte asnjë të drejtë, trajtohej si rajon me popullsi të dorës së dytë, derisa e gjithë bota demokratike u ngrit në këmbë ta shpëtonte nga aparteidi dhe shfarosja etnike.

Të vesh shenjën e barazimit midis Katalonjës dhe Kosovës, do të thotë të barazosh Huan Karlos me Millosheviçin, një kriminel lufte e paqeje, Hose Maria Aznar apo Gonzales me Vuçiçin e Daçiçin.

Nëse Kosova në Jugosllavi do kishte gëzuar të drejtat, liritë dhe prosperitetin ekonomik të katalanasve në Spanjë, sot Jugosllavia do ishte ende në këmbë, dhe nevoja për shkëputje do ishte një aspiratë shumë elitare... si në Katalonjë...

Duke mos njohur pavarësinë e Kosovës, në njëfarë mënyre, ithtarët e anti-pavarësisë së Katalonjës, i bëjnë dhuratën më të mirë indipendentistëve katalanas duke vënë shenjën e barazimit pikërisht me Kosovën...

Ky historik, e bën binomin Lajçak - Borell, më të papërshtatshmin për të gjetur një zgjidhje të drejtë, paqëtuese dhe afatgjatë për Kosovën dhe Ballkanin.

Cilido që i ka gjetur, propozuar apo emëruar, është kujdesur më gjakftohtësi e laps të hollë që moszgjidhja të jetë opsioni më i konsoliduar në çdo parashikim politik e gjeo-strategjik të situatës.

Përfshirja e Edi Ramës në këtë konstelacion negociatorësh të moszgjidhjes, është i vetmi element që i shton doza humori dramës që po përjetën rajoni.

Propozimi që i vënë në gojë ata që caktuan Lajçak dhe Borell si negociatorë, është një lloj "Konference e Mynihut" model 1938, ku Albin Kurti të shtrëngohet të firmosë për t'i dorëzuar Vuçiçit "Sudetet" e radhës, në emër të paqes...

Edhe atëhere, "shpëtimtari i negociatave", ishte personazhi më komik në dramën që po përjetonte Evropa: Benito Mussolini.

Përveçse moszgjidhje, kjo taktikë është e shpëlarë dhe krejt pa sqimë, pasi është provuar se jo vetëm nuk prodhon paqe, por përkundrazi, pjell "Adolfë" e kësisoj luftë të pashmangshme.

Këtë të paktën duhet ta kuptojnë edhe Lajçak si ish-çekosllovak (qoftë dhe ish-sovjetik) ashtu edhe Borell si militant anti-Franco e anti-Adolf (qoftë dhe ish-simpatizant sovjetik).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco