Pse duhet ta falenderojmë Ramën

Pse duhet ta falenderojmë Ramën

Nga Andi Bushati - 17/02/2023

Së paku një gjë Edi Ramës duhet t'ia dimë për nder: Sa më shumë kohë kalon, aq me tepër ai na lehtëson nga hipokrizia e të jetuarit në një sistem demokratik. Gjuha që ai përdori gjatë intervistës në “Opinion” të zhvishte nga çdo dyshim për instalimin e një regjimi personal.

Ishin disa pika, gjatë bashkëbisedimit të paqtë me Fevziun, që të linin të kuptoje qartë se ai qëndron mbi ligjin dhe nuk e ka as ndërmend t'i nënshtrohet atij; se është ai që cakton se deri ku mund të shkojnë kufijtë e të bërit opozitë; se ai ka veshur skeptrin moralist të përcaktimit të cakut se deri në ç’pikë mund të jetë i kritikueshëm. 

Kur u pyet se përse e shkel me të dyja këmbët detyrimin kushtetues të ngritjes të një komisioni hetimor për skandalin McGonigal, ai u përgjigj me arrogance: “Një komision i tillë nuk ka për t'u bërë kurrë… opozita s’ka asnjë shans, pasi gjithçka ka një cak”. Sado skandaloze të duket kjo për të gjithë ata idiotë të dobishëm që ende përkundin iluzionin e një loje demokratike, së paku Rama nuk e vuri veten në rolin e hajvanëve të grupit të vet parlamentar, që mëtojnë të justifikohen se komisioni hetimor nuk po ngrihet, pasi në të ardhmen parashikohet të ndryshojë ligji për to. Ai u përgjigj shkurt: “Nuk dua dhe nuk e bëj”. 

Të njëjtën logjikë përdori edhe për fshehjen nga debati parlamentar, lidhur me zyrtarin e FBI-së, që sipas Washington Post-it u zhyt deri në grykë në një marrëdhënie sekrete me Ramën. Ai shtjelloi argumentin se ai “degradim zologjik” nuk e meriton prezencën e tij. Pra, ndonëse në një republikë parlamentare kryeministri e ka për detyrim të japë llogari përpara Kuvendit, Rama e shpalli atë të padenjë, duke u zhveshur nga kjo përgjegjësi kushtetuese. ‘Unë do të shkel në parlament vetëm kur ta gjykoj vetë të arsyeshme”, i tha Fevziut. 

Edhe këtu ai është i sinqertë, thotë thjesht: “s’më pëlqen dhe s’dua”, jo si prapanicëlëpirësit që i shkojnë nga pas dhe rreken të logjikojnë se kërkesa për interpelancë nuk u bë në kohën e duhur, apo se firmat që e kërkonin atë qenë të falsifikuara. 

E njëjta arrogancë u duk qartaz kur me një indiferencë shpërfillëse tregoi se, si kryeministër, aq i bënte nëse për shkak të vulës opozita mbetej pa hyrë në zgjedhje. “Nuk është tema ime kjo”, iu përgjigj Fevziut i cili i habitur e pyeti: “Po si do shkoni në zgjedhje pa opozitën”? “Ne nuk kemi lidhje se kush shkon në zgjedhje... ne do shfaqim ofertën tonë, nëse dikush thotë që s’ka ofertë pasi ka mbetur pa vulë, kjo është puna e tij”, qe batuta që erdhi më pas… Pra, përpos mesazhit të kriptuar që i çohet gjykatës për të vazhduar punën si levë për të përçarë opozitën, lajmi që u jepet gjithë shqiptarëve është tjetër: Nuk ju gjen asgjë e keqe nga përsëritja e një pushteti lokal monist.  

Sindroma e njeriut që nuk preket nga e keqja përreth tij, sado thellë të jetë zhytur ajo, u pa edhe në episodin kur u duk se shiti Arben Ahmetajn, për çështjen e inceneratorëve, duke përsëritur fabulën bajate të atyre që hanë dardhë dhe mollë prapa shpinës së tij.

Pra, Edi Rama nuk mbën asnjë përgjegjësi edhe nëse gjithë ekipi që ka vendosur bashkë me të për aferën 430 milionëshe të plehrave shkon në burg. Ai mund të jetë i pastri i paprekshëm nga rrethimi i të pistëve. Ai është indiferent nëse zgjedhjet bëhet pa opozitën. Ai nuk e çan kokën që shkel detyrimet kushtetuese, vetëm sepse thjesht nuk e pëlqen gjuhën dhe sjelljen e rivalëve. Ai qëndron mbi institucionet demokratike, pasi ato janë të padenja për moralin e tij.

Kjo qe qasja e shpërfaqur në Opinion dhe pikërisht për këtë ne duhet ta falenderojmë Edi Ramën. Së paku, duke u sjellë si një autokrat që bën ç’të dojë, vetë vendos e vetë vulos, vetë vret e vetë pret, vetë grabit e vetë shemb, ai na hoqi qafe të gjithë ata që robtohen në parlament dhe në studiot televizive të mbrëmjes, të na mbushin mebdjen për ligjshmerinë e sjelljeve të shefit.      

Ky ndryshim qasjeje: “e kam fuqinë, prandaj do bëj ç’të dua” e bën më të lehtë shpjegimin e gjithçkaje. /Lapsi.al/

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gj17/02/2023 16:48

GJITHÇKA e ka burimin te mbjellja e gjuthë SHQIPËRISË me drogë në 2015-2016!!!
Qoftë mes mamerikanëve apo evropianëve gjendën individë që zot kanë dollarin!
Të tjerat vijnë si uji në shtratin e lumit..., por lumenjtë edhe vërshojnë nganjëherë!
Vërsho o popull!!!

Shto koment

Denonco