Gazeta amerikane 'Washington Post' e zbuloi se pse fshihet Rama

Gazeta amerikane 'Washington Post' e zbuloi se pse fshihet Rama

Nga Andi Bushati - 13/02/2023

Ndërkohë që opozita dhe opinioni publik po kërkojnë me ngulm shpjegime shteruese nga kryeministri për lidhjen e tij me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI, ‘The Washington Post’ ka publikuar, këtë të hënë, shkrimin më të ashpër për marrëdhënien okulte mes tyre.

Sipas të përditshmes së famshme amerikane, McGonigal ka qenë i zhytur deri në fyt në një pakt sekret me Ramën. Përpos këtij konstatimi, gazeta vazhdon se Charles McGonigal, ka marrë para për të çuar përpara interesat e kryeministrit shqiptar.

Pra, sa më shumë ditë kalojnë, aq më i qartë bëhet ky skandal: shefi i qeverisë e ka përdorur agjentin e korruptuar të FBI për luftën e brendshme, që ka pasur si qëllim asgjësimin e rivalëve politikë.

Këtu nuk ka më dyshime. Sado që Edi Rama dhe boritë e tij të propagandës të vazhdojnë të thonë se emri i kryeministrit përmendet pa shkak, plot 14 herë në aktakuzë, nga Tirana deri në New York e Washington, mediat e pavarura dëshmojnë të kundërtën.

‘New York Times’ e thoshte fjalë për fjalë se ‘McGonigal ndërmori hapa në dobi të këtij politikani’. CNN fliste për një ‘marrëdhënie të fshehtë’, ndërsa, së fundi, Washington Post e përshkruan ish-agjentin si të përfshirë deri në fyt në paktin sekret me Ramën.

Por, përpos këtij konfirmimi, shkrimi i kësaj të hëne ka edhe një detaj interesant, që më shumë sesa për të shkuarën e raportit Rama- McGonigal, hedh dritë për sjelljen aktuale të kryeministrit dhe për hezitimin e tij për t’u përballur publikisht me akuzat.   

Shumëkujt i ka bërë përshtypje fshehja e Ramës ndaj interpelancës dhe mocionit për debat që kërkoi opozita në Kuvend. Publikut i ka lënë gjithashtu një shije të keqe shfaqja e tij në intervista të negociuara, ku pothuajse nuk tha asnjë detaj më shumë.

Këtë gjë ka bërë edhe me gazetën e madhe amerikane. Rama, që nuk lë rast pa nxjerrë kokën në dritaret e mediave të famshme botërore, ai që është i gatshëm të përveshë llërët në polemika dhe të bëjë lajm nga Londra, në Washington e deri në Athinë, herë duke goditur ministren e Brendshme britanike, Suela Braverman, herë duke e quajtur Donald Trumpin ‘Turpi i njerëzimit’ e herë duke u treguar grekëve se Akropolin e shpëtuan shqiptarët,  i është shmangur pyetjeve të Washington Post. Madje është interesante se, kur gazeta ka kërkuar të citojë versionin e qeverisë, këtë gjë nuk e ka bërë as i zakonshmi Endri Fuga. Po të lexohet shkrimi, disa sqarime të thjeshta i jep Manjola Hasa.

Pra, Edi Rama jo vëtëm që i është shmangur implikimit personal, por ai ia ka ndaluar edhe drejtorit të tij të komunikimit, që i përgjigjet përherë mediave të huaja, ta bëjë këtë.

A mos nga frika se edhe Fuga që e shoqëron pothuajse gjithmonë Ramën, mund të përdoret nesër si dëshmitar? A ka të bëjë kjo me një strategji të këshilluar nga avokatët, se kryeministri duhet të flasë sa më pak për këtë çështje?

Apo e gjitha përbën një plan të përcaktuar komunikimi, për të thënë sa më pak për sa kohë askush nuk e di se ç’ka në dosjet e prokurorëve amerikanë?

Të gjitha këto pyetje janë të ligjshme të shtrohen sot, kur magjistari i marrëdhënieve me gazetarët e huaj, po iu shmanget atyre, madje ashtu sikurse na tregoi Washington Post, i ka mbyllur gojën edhe zëdhënësit të vet zyrtar.

Ky detaj që nxori si padashje gazeta amerikane, na dëshmon se sa të kota janë përpjekjet e opozitës për të bërë interpelanca ku del të përgjigjet Elisa, mocione për debat, që anulohen sepse gjoja i kërkon ‘non grata’, apo komisione hetimore që hidhen poshtë pa arsye.

E vërteta është e thjeshtë: Rama nuk do të flasë për shqiptarët, sepse ende nuk di se ç’mund të kenë kundër tij amerikanët./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco