Çfarë i fali Albin Kurti Edi Ramës

Çfarë i fali Albin Kurti Edi Ramës

Nga Enton Abilekaj - 21/06/2022

Albin Kurti e përcolli me buzëqeshjen statike, karakteristike për një sforcim sizifian, gjithë shfaqjen me Edi Ramën në publik, pavarësisht se kryeministri i Shqipërisë tentoi të bënte një tjetër “provokacija” si ajo e Beogradit.

Këtë herë në mes të Prishtinës, gjeti akuzën që i shkonte më shumë për shtat dhe e konfirmoi veten me ironi, si vëllain e Vuçiç. “A jam pro serb, jam më shumë se kaq. Jam vëllai i Vuçiçit”, ishin fjalët e Ramës, që në fund rezultuan jo ironike, por strategjike, duke e shpjeguar veten si njeriu që e modernizon radikalizmin e Serbisë nëpërmjet vëllait që po mban afër. Dhe më në fund një kërkesë: “Më lini të jem vllau i dyve se mund t’ju duhem në të ardhmen”.

Sigurisht që Albini qeshte. Më shumë se si batutaxhiun e oborreve të kryeministrave, ai i Kosovës po mundohej t’i linte në mes të rrugës inkursionet bajate në formë por domethënëse në përmbajtje. Vëllazëria me Presidentin e Serbisë është po aq e qartë sa edhe arsyet e vërteta.

Nuk bëhet për të moderuar radikalizmin e Serbisë, spastrimi i Luginës së Preshevës me “genocidin administrative” që po ndodh, e përgënjeshtron Ramën. Vëllazëria me Vuçiç është një aleancë politike për të krijuar një binom stabiliteti.

Një binom që i bën të dy të domosdoshëm, nëse ikën njëri, prishet paqja, një binom që vlen vetëm për t’i çuar Perëndimit mesazhin se nuk ka paqe pa 2 liderët në fuqi.

Këtë po tenton Rama, por kjo marrëdhënie nuk mund të jetë kurrë e barabartë, binomi nuk mund të ketë ekuilibër. Vuçiç është i vetëmjaftueshëm, ai nuk ka nevojë për Ramën. Vuçiç ka fytyrën e radikalit në Serbi dhe të të moderuarit jashtë saj.

Perëndimi nuk mund ta zëvendësojë përsa kohë opozita është më radikale se ai, ndërsa serbët nuk mund ta zëvendësojnë përsa kohë ai i mbron më mirë se të gjtihë interesat e tyre kombëtare.

Rama në vetvete nuk është i pazëvendësueshëm. Të gjithë Kryeministrat përpara tij, por edhe opozita, janë po kaq pro-perëndimore dhe jokonfliktualë. Ai që e bën Ramën faktor të pakonkurrueshëm në botën shqiptare, është Vuçiç. Duke e mbajtur ai afër, duke u marrë ai vesh me të, duke dalë ai të bëjë thirrje përpara zgjedhjeve të 25 prillit që të mos kthehet Berisha se destabilizon rajonin, Edi Rama merr një vlerë stabiliteti në sytë e Perëndimit.

Rama do të jetë pjesë e këtij binomi të çekuilibruar për sa kohë  është i pakonkurruar nga një tjetër politikan shqiptar që t’i vijë nga pas Vuçiçit dhe për sa kohë Presidenti serb do vendosë ta konsiderojë atë si partnerin e vetëm në botën shqiptare.

Eshtë kjo varësi e Ramës nga vëllai serb, shkaku kryesor i ecjes më shpejtësi të iniciativës së Novi Sadit, që u quajt minishengen dhe sot quhet Ballkan i Hapur. Është kjo varësi që e detyron Ramën të bëjë lobistin e Vuçiçit nëpër Perëndim, në momentin kur presioni mbi Serbinë është më i madh se kurrë. Është kjo varësi që e detyron Ramën ta nxjerrë Kosovën si delen e zezë, për të treguar se ai është i vetmi shqiptar i pushtetshëm që e kupton projektin “paqësor” të Ballkanit.

Nëse Ballkani i Hapur, nuk garanton zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës, nëse ndihmon ekspansionin ekonomik serb dhe e përcakton Serbinë dhe si rrjedhim Vuçiçin si polin e vetëm ekonomik dhe politik të rajonit, kjo sjell më shumë pushtet edhe për vëllain shqiptar. Nëse garanton qëndrimin në pushtet deri në 2030, siç e ka shpallur ambicien, Rama është i gatshëm të ofrojë në tavë Shqipërinë dhe, aq sa mundet, edhe Kosovën.

Këtë e bën me propagandë të vazhdueshme, pikërisht atëherë kur gjithë projektorët janë të drejtuar nga ai dhe ata që e kundërshtojnë mbeten në errësirën mediatike të investuar prej 9 vjetësh. I tillë ishte momenti i Prishtinës, projektorët ishin të drejtuar nga Rama. Me ndryshimin që një ndër kundërshtarët më të mëdhenj, nuk ishte në errësirë, por njësoj në qendër të vëmendjes. Ishte momenti oportun që kundërshtia të merrte një zë të fortë. Në vend të saj, pamë një buzëqeshje të stampuar aq keq, sa dukej si vizatim i Edi Ramës./ Dosja.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Azemi22/06/2022 02:25

Mendoj se nuk mund te quash vella shtetin Serb qe na ka vrare vellezerit e motrat Kosovare disa vite me pare, sidomos kur vellezer e motra ne Kosove ende lengojne e kercenohen nga shteti Serb ne cdo hap qe ecin para.

Eshte e hidhur per popullin Shqiptar qe ka zgjedhur njerez mizor si Rama (njesoj si bene me xhaxhin Enver). Ndeshkimi per zgjedhjen e njerezve te tille eshte i madh, ne kohen e Enverit ishte 50 vjet vrasje dhe interrnim e shkaterrim i ekonomise ne zero, si edhe mohim e shitje e Kosoves. Kam frike se historia po riperseritet nga Rama.

Nuk mendoj se zoti Albilekaj e ka me vend, kur thote se perendimi e sheh Ramen dhe Vucicin si njerez te paqes. Mendoj se perendimi e di, nese duan paqe jete gjat, eshte e thjeshte, Serbia e njeh Kosoven dhe kerkon falje per masakrat qe ushtria e tyre ka bere e distancohet nga ajo e kaluar. Si shembull shikoni Gjermanine pas Hitlerit kerkuan falje dhe sot e kesaj dite distancohen nga ajo e kaluar e erret. Ky ishte edhe mesazhi qe kancelari Gjerman dha qarte “Serbia duhet ta njohe Kosoven”. Pse e thote kete, sepse edhe sikur Rama ta shese Kosoven, Shqipetaret fisnike e te ndershem ne Kosove e Shqiperi nuk e falin, njelloj si nuk e falen per qindra vite, heret apo vone do luftojne per te drejten e tyre te jetojne ne vendin e vet te lire.

Megjithate i lutem zotit qe veprimet e Rames (kur thote se e ka vella vucicin) te pasqyrohen dhe vucici te njohe Kosoven. Por fatkeqesisht mendoj se kjo nuk do te ndodhe, kur shoh veprimet kercenuese te shtetit Serbi ndaj Kosoves, pa ndalim, ndersa po flasim.

Per mendimin tim, miqesia e Rames me vucicin eshte jo-naturale, dhe e sforcuar. Shqiperia duhet te kete kujdes nga miqesite jo-naturale ose te sforcuara, historia ka treguar qe keto miqesi te sforcuara dergojne ne konflikte lufte (p.sh. Shikoni miqesine Hitler-Stalin). Ose me e fresket shikoni historine e Jugosllavise, perfundoi me shume lufta ku shkaktaret ishin Serbet.

Shteti Serb dhe elita Serbe me qindra vite ka lejuar edhe ka nxitur masakra te perseritura, duke mos u penduar apo diatancuar. Edhe sot e kesaj dite, edhe me ballkanin e hapur ne mendje, elita Serbe nuk ben asgje per te kerkuar falje ose per tu distancuar ndaj masakrat. Perkundrazi vucici ben presion per te mos u njohur vrasjet e ushtrise se tyre si masakra (p.sh. Si a pame ne parlamentin tone Shqiptar kur denimi i masakrave nuk u be as nga ne).

Fatkeqesisht populli Shqiptar nuk e kupton kete urrejtje qe shteti dhe elita Serbe ende kane dhe mosveprimin e tyre per ta shuar kete urrejtje. Edhe elita Socialiste nuk po e kupton kete, ose pi e mosperfill, njelloj si Enveri me shoke qe e braktisi Kosoven per 59 vjet, apo si Nano kur i perulej Millosheviqit kur ushtria e tij masakronte Kosovaret..

Shpresoj qe te jem i gabuar dhe se veprimet e Rames te bejne qe Serbet te njohin Kosoven, dhe te largojme nga mendjet e te rinjve ne Shqiperi, Kosove dhe Serbi se kemi ende qeshtje te pazgjidhura qe mund te shkaktojne lufte. Por kam frike se Rama dhe Vucic thjesht nuk e kane kete kapacitet ose deshire qe Serbia ta njohe Kosoven.

Shto koment

Denonco