Shkollat daneze janë duke dhënë një mësim të veçantë: empatinë. Për nxënësit e moshës 6 deri 16 vjeç, një orë në javë e quajtur “Klassens tid” i mëson fëmijët si të ndihmojnë shokët e klasës dhe të konkurrojnë vetëm me veten e tyre. Kjo praktikë ka qenë pjesë e kurrikulës daneze që nga viti 1993 dhe shihet si një nga faktorët që vendin e rendit ndër më të lumturit në botë.
Empatia në shkollë ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve, parandalimin e ngacmimeve dhe zhvillimin e aftësive udhëheqëse dhe profesionale tek të rinjtë. Adoleshentët empatikë kanë më shumë gjasa të jenë të suksesshëm dhe të orientuar drejt qëllimeve.
Gjatë kësaj ore, nxënësit diskutojnë problemet e tyre dhe bashkë me mësuesin përpiqen të gjejnë zgjidhje bazuar në dëgjim dhe mirëkuptim. Kur nuk ka problem për të diskutuar, fëmijët kalojnë kohë së bashku duke u çlodhur dhe argëtuar, duke ndjekur konceptin danez të hygge – një ndjenjë rehatie, siguri dhe përkatësie që lidhet ngushtë me kulturën daneze.
Metodat përfshijnë punën në grup, lojën e lirë dhe mësimin bashkëpunues. Nxënësit mësojnë se suksesin nuk mund ta arrijnë vetëm dhe se ndihma ndaj të tjerëve sjell rezultate më të mira. Jessica Alexander, shkrimtare dhe psikologe, shpjegon se fëmijët që mësojnë të shpjegojnë temën e mësimit tek të tjerët zhvillojnë aftësi më të thella empatie dhe bashkëpunimi.
Pjesëmarrja në orët e empatisë u sjell fëmijëve kënaqësi dhe i përgatit ata të bëhen të rritur të lumtur, duke ndërtuar një shoqëri më të mirë dhe më bashkëpunuese.
© SYRI.net