Zbulohet varri më i madh masiv në Europë

Zbulohet varri më i madh masiv në Europë

12:17, 19/03/2024
A+ Aa A-

Shkencëtarët mund të kenë zbuluar se cili është varri më i madh masiv në Europë. Një vend në Nuremberg të Gjermanisë përmban trupat e të paktën 1000 njerëzve që kanë vdekur nga murtaja bubonike, e cila vrau deri në 60 për qind të popullsisë së Europës.

I përshkruar si një zbulim 'i rëndësishëm kombëtar', ekspertët mendojnë se trupat u varrosën në gjysmën e parë të shekullit të 17-të pas një vale të pamëshirshme të sëmundjes.

Murtaja bubonike përhapet nga pickimi i një pleshti që është i infektuar me një bakter të quajtur Yersinia pestis. Të prekurit vdiqën shpejt dhe pas një periudhe temperature të lartë, dridhjesh, të vjellash, dhimbjesh koke, kllapie dhe ënjtjesh.

Kryetari i Bashkisë së Nurembergut, Marcus König, tha se zbulimi është "me rëndësi të madhe përtej rajonit".

Image

'Varret përmbajnë mbetje mortore të fëmijëve dhe pleqve, burrave dhe grave; murtaja nuk u ndal te gjinia, mosha apo statusi social", tha ai.

"Është e vetëkuptueshme që kjo gjetje e rëndësishme historike dhe arkeologjike duhet të trajtohet me ndjeshmëri dhe në mënyrë të përshtatshme."

Melanie Langbein, nga departamenti i Nurembergut për ruajtjen e trashëgimisë, tha se janë identifikuar tetë gropa murtaje, secila me disa qindra trupa.

Image

"Ata njerëz nuk u varrosën në një varrezë të rregullt, megjithëse ne kemi caktuar varreza të murtajës në Nuremberg," tha Langbein për CNN.

"Kjo do të thotë që ka qenë një numër i madh njerëzish të vdekur që duhej të varroseshin brenda një kohe të shkurtër, pa marrë parasysh praktikat e varrimit të krishterë."

Disa nga kockat janë dëmtuar fizikisht për shkak të bombave që ranë në zonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, raporton Spiegel.

Të tjerat janë të gjelbra për shkak të mbetjeve nga një fabrikë bakri aty afër. Disa trupa ishin me veshje ose të mbështjellë me rroba kur u varrosën, por në përgjithësi ata ishin të ngjeshur fort në hapësirën e varrimit - duke reflektuar shkallën e lartë të vdekjeve nga sëmundja vdekjeprurëse. Vendet e varrimit u zbuluan gjatë gërmimeve në një fushë para ndërtimit të një shtëpie të re të moshuarish në Nuremberg.

Image

Megjithëse janë gjetur 500 skelete, një ekspert mendon se mund të ketë deri në 2000 apo edhe më shumë.

"Nuk kishte asnjë tregues për të supozuar se kishte varret në këtë fushë," tha Julian Decker, kompania e të cilit In Terra Veritas po kryen gërmimet.

"Unë personalisht pres që numri të jetë në 2000 ose edhe më lart, duke e bërë atë varrin masiv më të madh në Europë."

Pandemitë e murtajës goditën botën në tre valë nga vitet 1300 deri në 1900 dhe vranë miliona njerëz.

Image

Vala e parë, e quajtur Vdekja e Zezë në Europë, ishte nga viti 1347 deri në 1351, ndërsa e dyta në vitet 1500 pa shfaqjen e një lloji të ri të sëmundjes dhe e fundit në fund të viteve 1800 u përhap në të gjithë Azinë.

Nurembergu pësoi shpërthime të murtajës afërsisht çdo 10 vjet nga shekulli i 14-të e tutje, duke e bërë një sfidë për të datuar mbetjet e sapogjetura.

Datimi me radiokarbon - i cili përfshin matjen e sasisë së karbonit për të siguruar një vlerësim të epokës - u përdor për të datuar një varr mes fundit të viteve 1400 dhe fillimit të viteve 1600.

Sidoqoftë, ekspertët zbuluan një shënim nga viti 1634 që përshkruante një shpërthim të murtajës në vend që vrau më shumë se 15,000 njerëz midis viteve 1632 dhe 1633.

Ralf Schekira, drejtor i WBG Group i cili po punon në shtëpinë e re të të moshuarve, tha se ata nuk prisnin një gjetje kaq të rëndësishme.

Image

"Si zhvillues, ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e arkeologjisë dhe detyrimin për të kryer gërmime të tilla," tha ai.

"Megjithatë, ne nuk e prisnim një zbulim të tillë dhe tani do të përpiqemi të bëjmë më të mirën nga situata.

"Nga njëra anë, kjo do të thotë se ne po bëjmë gjithçka që mundemi për t'iu përmbajtur planit të ndërtimit të shtëpisë së moshuarve dhe, nga ana tjetër, do të bëjmë çmos për të siguruar që gjetja historike të dokumentohet."

Image

Hapi tjetër është heqja e të gjithë skeleteve dhe studimi i eshtrave për gjurmë të bakterit të murtajës Yersinia pestis. Sipas një studimi të fundit, gjenet që mbronin njerëzit kundër sëmundjes janë transmetuar dhe rrisin rrezikun e sëmundjes së Kronit dhe artritit reumatoid.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco