VIDEO/ Përse Pentagoni i publikoi tani pamjet e UFO-ve

VIDEO/ Përse Pentagoni i publikoi tani pamjet e UFO-ve

19:29, 28/04/2020
A+ Aa A-

Nga Daniel Strauss, The Guardian

Pentagoni publikoi të hënën tre video të deklasifikuara që tregojnë pilotët amerikanë teksa ndeshen me ato që duken se janë objekte fluturuese të paidentifikuara.

Videot, që Pentagoni thotë se përshkruajnë ‘fenomene ajrore të pashpjegueshme’, kanë rrjedhë në media më parë. Disa besojnë se ato tregojnë UFO aliene.

Pentagoni tha se i publikoi pamjet për të qartësuar çdo keqkuptim nga publiku nëse pamjet që po qarkullojnë janë të vërteta ose nëse ka më shumë video të tjera.

“Pas një rishikimi të plotë, departamenti ka përcaktuar se publikimi i autorizuar i këtyre videove të paklasifikuara nuk zbulon ndonjë sistem apo kapacitet të ndjeshëm, as nuk imponon ndonjë hetim mbi inkursione të mundshme të hapësirës ajrore nga fenomene ajrore të paidentifikuara,” thuhet në deklaratë.

“Videot kanë qarkulluar në domen publik që pas publikimit të paautorizuar në vitet 2007 dhe 2017,” vijon deklarata, duke shtuar se ‘fenomenet ajrore të vëzhguara në video mbeten të paidentifikuara’.

Të tre videot tregojnë atë që kanë parë pilotët gjatë fluturimeve stërvitore në vitet 2004 dhe 2015. Dy nga videot u publikuan nga New York Times në vitin 2017. Një tjetër u publikua nga një organizatë shkencore private.

Videoja e vitit 2004 tregon një incident të ndodhur mbi Paqësor. Dy pilotë luftarakë të marinës gjetën një objekt të zgjatur që rrinte lart mbi ujë. Më pas ai fluturoi me shpejtësi larg. “Mori një shpejtësi që nuk e kam parë kurrë,” tha për NYT një prej pilotëve, David Fravor.

Videot e vitit 2015 tregojnë objekte që lëvizin me shpejtësi në qiell. Një prej tyre duket sikur rrotullohet në ajër. “Shikojë atë gjënë shoku,” dëgjohet një pilot. “Po rrotullohet”.

Publikimi i videove nga Pentagoni shton legjitimitetin e tyre dhe do të nxisë akoma më shumë spekulime se njerëzit kanë bashkëvepruar me jashtëtokësorët. Marina ka udhëzime të qarta kur shikohen UFO.

Si reagim, ish-lideri demokrat i Senatit, Harry Reid nga Nevada tha se videot ‘vetëm sa gërvishtin pak sipërfaqen e hulumtimeve dhe materialeve të disponueshme’.

Diskutimet për videot dhe jashtëtokësorët kanë vazhduar në të gjitha nivelet e sipërme të politikës amerikane vitet e fundit. Gjatë gjysmës së parë të fushatës presidenciale të vitit 2016, Hillary Clinton tha se nëse do të zgjidhej presidente, do të publikonte dosjet e mundshme për UFO-t. Kreu i fushatës së saj, John Podesta shfaqi interes për këtë temë.

Qershorin e shkuar, Donald Trump nxiti një rand të ri diskutimesh në qarqet politike për jashtëtokësorët, kur tha se ishte informuar nga pilotët e marinës për rastet kur kanë parë mjete fluturuese të paidentifikuara.

“Unë mendoj se ndoshta- unë dua që ata të mendojnë çfarëdo që duan të mendojnë,” tha Trump. “Ata thonë, dhe unë kam parë, kam lexuar dhe kam dëgjuar. Dhe kam pasur një takim shumë të shkurtër me ta. Por njerëzit thonë se kanë parë UFO. A i besoj? Jo veçanërisht”.

Në shtator, një mashtrim në internet bëri që 75 njerëz të shkojnë në Zonën 51- e famshme si bazë sekrete ushtarake në shkretëtirën e Nevadas, që është përfolur për dëshmitë si vendi ku gjenden prova për jashtëtokësorët.

Sidoqoftë, një ftesë për të sulmuar Zonën 51 ndezi festivale në mbarë Nevadën. Një sherif vendas vlerësoi se 1500 njerëz morën pjesë në këto festime, duke nënvizuar interesin e kulturës pop për dëshmitë e jetës jashtëtokësore.

Në vitin 2018, Autoriteti Irlandez i Aviacionit hetoi një shikim të mundshëm të një UFO, raportuar nga pilotët e linjës ajrore. AIA tha se do të hetojë pamjet, por një zëdhënës i organiatës tha se nuk ka gjasa që objektet të jenë nga një planet tjetër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco