A na kanë gjetur alienët? Intervista e bujshme e shkencëtarit të Harvardit

A na kanë gjetur alienët? Intervista e bujshme e shkencëtarit të Harvardit

12:52, 15/01/2020
A+ Aa A-

Përgjatë vitit 2019, një nga artikujt që qarkulloi më shumë në median sociale amerikane, bënte fjalë për një intervistë të kreut të departamentit të Astronomisë në Universitetin e Harvardit. Avi Loeb foli për revistën e madhe amerikane ‘New Yorker’. Prej atëherë, intervista mund të jetë lajmi më i lexuar i kohëve të fundit në botën e internetit. Loeb foli për Oumuamua, një objekt misterioz që u pikas në sistemin tonë diellor në tetor të vitit 2017. Prej atëherë, forma e këtij objekti dhe mënyra se si lëvizte ka ngjallur shumë spekulime.

Ju thonie se Oumuamua mund të jetë një sondë ndëryjore. Shumë njerëz e kanë e vështirë ta kuptojnë. Pse e thoni diçka të tillë, përtej faktit se shumë gjëra janë të mundura?

Është një artikull që kam shkruar për revistën ‘Scientific American’, ku përmbledh gjashtë fakte të çuditshme për Oumuamua. E para është se nuk e prisnim që një objekt i tillë të ekzistonte në radhë të parë. Ne e vëzhgojmë sistemin tonë diellor dhe mund të llogarisim se në çfarë shkalle i hedh ai shkëmbinjtë gjatë historisë së tij. Dhe nëse supozojmë se të gjithë sistemet planetare rreth yjeve të tjerë bëjnë të njëjtën gjë, mund të kuptojmë se si duhet të jetë popullsia e objekteve yjore. Përllogaritja sjell shumë mundësi, por sërish shumë më pak se ajo që duhet për të shpjeguar se çfarë është Oumuamua.

Ekziston një tjetër fakt i veçantë për këtë objekt. Kur sheh të gjitha yjet pranë diellit, ata lëvizin në raport me diellin, dielli lëviz në raport me ta, por vetëm një në pesëqind yje lëviz kaq ngadalë sa Oumuamua. Ne presim që shumica e shkëmbinjve të lëvizin përafërsisht me shpejtësinë e yllit prej nga kanë ardhur. Nëse ky objekt do të vinte nga një yll tjetër, ai yll duhet të jetë shumë i veçantë.

Cilat janë faktet e tjera të çuditshme?

Kur u zbulua, ne kuptuam se rrotullohet çdo tetë orë, dhe ndriçimi ndryshon me të paktën një faktor të dhjetës. Fakti që ndriçimi ndryshon me këtë faktor, do të thotë se ky objekt është dhjetë herë më i gjatë sesa i gjerë. Ne nuk e kemi një foto, por në të gjitha ilustrimet e artistëve që keni parë në internet, duket si një cigare. Kjo është një mundësi. Por gjithashtu mund të ketë një gjeometri të ngjashme me atë të një grumbulli petullash.

Çfarë do të thotë kjo gjeometri?

Prit. Fakti më i pazakontë lidhet me devijimin nga një orbitë që formohet thjesht nga forca gravitacionale e diellit. Zakonisht, në rastin e kometave, ky devijim shkaktohet nga avullimi i akullit në sipërfaqe të kometës, çka krijon gazra që shtyjnë kometën, njësoj si efekti i raketave. Kjo është ajo që tregojnë komentat; një bisht kometar të gazit që avullon. Ne nuk e shohim bishtin kometar këtu, por megjithatë shohim një devijim nga orbita e pritshme. Kjo është arsyeja se përse ne publikuam studimin. Në momentin që e kuptuam se objekti lëviz në mënyrë të ndryshme nga sa pritej, më pas pyetja ishte se çfarë i jep shtytje. Dhe, siç sugjeron një tjetër studim pas atij që publikuam ne, analizat tregojnë kufizime të forta të molekulave me bazë karboni në afërsi të këtij objekti.

Cila është domethënia e kësaj?

Do të thotë që nuk ka asnjë provë të gazit që lidhet me avullimin e akullit. Nuk shohim shenjat e bishtit kometar. Mbi të gjitha, nëse do të ishte aktivitet kometar, ne do prisnim që periudha e rrotullimit të këtij objekti të ndryshojë. Ne nuk e shohim diçka të tillë. Të gjitha këto janë tregues të faktit se nuk është fare si kometat që kemi parë në sistemin tonë diellor. Dhe nuk është as si asteroid. Shkëlqimi i tij ndryshon nga një faktor i dhjetës, kur maksimumi që kemi vëzhguar ne është një faktor i treshit. Ka një gjeometri shumë ekstreme dhe një forcë tjetër që e shtyn përpara. Pyetja është se çfarë është kjo forcë?

E vetmja gjë që na vjen në mendje është se ndoshta kjo vjen nga drita e diellit, pasi kur ajo prek sipërfaqen, i jep një shtytje ekstra. Është njësoj si era që përplaset me një velë. Kështu që bëmë një kontroll dhe zbuluam se objekti duhet të jetë më pak se një milimetër që kjo të funksionojë. Nëse është më pak se një milimetër, mund ta shtyjnë rrezet e diellit. Kjo e bën më të madhe mundësinë që të jetë një mjet artificial, nga një civilizim teknologjik.

Më duhet të them, si sfond, nuk e shoh mundësinë e një civilizimi teknologjik si spekulim, për dy arsye. E para është se ne ekzistojmë. Dhe e dyta, se të paktën një e katërta e yjeve në galaktikën e Rrugës së Qumështit kanë një planet si Toka, me kushte sipërfaqësore shumë të ngjashme me Tokën dhe me një kimi që mundëson zhvillimin e jetës. Nëse i hedh zarat sa herë të duash, ka dhjetëra miliarda yje në Rrugën e Qumështit dhe shanset janë që nuk jemi vetëm.

Pra, ky civilizim do të ishte jashtë sistemit diellor dhe në galaktikë?

Në galaksi. Mund të jetë i vdekur tani, për shkak se ne nuk kujdesemi për planetin tonë. Imagjinoni një histori tjetër, në të cilën nazistët kanë një armë bërthamore dhe Lufta e Dytë Botërore përfundon ndryshe. Mund të imagjinoni një civilizim që zhvillon teknologji si kjo, që mund të sjellë shkatërrimin e tij.

Është e mundur që ai civilizim nuk është më i gjallë, por ka dërguar një anije kozmike. Ne vetë kemi dërguar Voyager I dhe Voyager II. Çështja është se ky është objekti i parë që kemi gjetur jashtë sistemit diellor. Është njësoj sikur unë të shëtis në plazh me vajzën time dhe të shoh guaskat në breg. Çdo herë gjejmë një objekt me origjinë artificiale. Dhe ky mund të jetë një mesazh në shishe dhe duhet të jemi mendjehapur. Për këtë arsye e vumë këtë fjali në studim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco