Si u zbulua materiali më i vjetër në Tokë

Si u zbulua materiali më i vjetër në Tokë

11:24, 14/01/2020
A+ Aa A-

Nga Paul Rincon, BBC

Shkencëtarët që po analizonin një meteor, arritën të zbulojnë materialin më të vjetër të njohur, që ekziston në Tokë.

Ata gjetën kokrriza pluhuri brenda shkëmbit hapësinor që ra në Tokë në vitet ’60- të cilat mendohet se janë të vjetra deri në 7.5 miliardë vite.

Kokrrizat më të vjetra të pluhurit janë formuar në yje të ardhur në jetë shumë përpara se të lindte Sistemi ynë Diellor.

Një ekip me shkencëtarë e ka përshkruar rezultatin e kërkimit në revistën ‘Proceedings of the National Academy of Sciences’.

Kur yjet vdesin, grimcat brenda tyre shpërndahen në hapësirë. Këto grimca ‘para-diellore’ pastaj ngjiten me yje të rinj, planete, hëna dhe meteorë.

“Ato janë mostra solide të yjeve, pluhuri i vërtetë yjor,” thotë autori kryesor i studimit, Phil Heck, kurator në Muzeun e Çikagos dhe profesor i asociuar në Universitetin e Çigakos.

Një ekip studiuesish nga SHBA dhe Zvicra analizuan 40 kokrriza para-diellore, të cilat ishin ngjitur në meteorin Murchison, që ra në Australi në vitin 1969.
“Fillon me copëza fragmentesh të meteorit deri te pluhuri,” thotë bashkëautorja Jennika Greer, nga Universiteti i Çikagos.

“Sapo të ndahen pjesët, duket si pastë dhe ka një karakteristikë të fortë- i vjen era si gjalpë kikiriku i prishur”.

Kjo pastë e butë më pas u tret në acid, duke lënë vetëm pjesën e pluhurit yjor.

“Është si të djegësh kashtën për të gjetur gjilpërën,” thotë Philipp Heck.

Për të kuptuar se sa të vjetra ishin kokrrizat, studiuesit matën se për sa kohë ishin ekspozuar ndaj rrezeve kozmike në hapësirë. Këto rreze janë grimca me energji të lartë, që udhëtojnë nëpër galaktikën tonë dhe depërtojnë në lëndët e ngurta.

Disa nga këto rreze ndërveprojnë me materien që hasin dhe formojnë elementë të rinj. Sa më gjatë të ekspozohen, aq më shumë elementë formohen. Shkencëtarët përdorën një izotop të veçantë të elementit neon –Ne21- mbi kokrrizat.

“Unë e krahasoj këtë me vendosjen e një kove në një stuhi shiu. Duke supozuar se reshjet e shiut janë konstante, sasia e ujit që grumbullohet në kovë tregon sesa i gjatë ishte ekspozimi,” thotë dr. Heck.

Disa nga kokrrizat para-diellore dolën se ishin më të vjetrat e zbuluara ndonjëherë.

Bazuar tek ndërveprimi i rrezeve kozmike me kokrrizat, shumica duhej të ishin nga 4.6 deri në 4.9 miliardë vite. Për krahasimi, dielli është 4.6 miliardë vite dhe Toka është 4.5 miliardë.

Megjithatë, disa prej këtyre kokrrizave ishin deri 7.5 miliardë vite.

 

Më shumë për t’u zbuluar

Dr. Heck i tha BBC News: “Vetëm 10 përqind e kokrrizave janë më të vjetra se 5.5 miliardë vite. Jam i sigurt se ka minerale më të vjetra para-diellore në Murchison dhe meteorë të tjerë, ne thjesht nuk i kemi gjetur akoma”.

Më herët, kokrriza më e vjetër para-diellore e gjetur me izotopë neoni ishte 5.5 miliardë vite.

Zbulimet hedhin dritë në një debat nëse yjet e rinj formohen ose jo me një ritëm të qëndrueshëm, ose nëse ka ulje-ngritje në numërin e yjeve të rinj me kalimin e kohës.

“Falë këtyre kokrrizave, ne tani kemi prova të drejtpërdrejta për një periudhë të formimit në rritje të yjeve në galaktikën tonë shtatë miliardë vjet më parë me mostra nga meteorët. Kjo është një nga gjetjet kryesore të studimit tonë,” tha dr. Heck.

Studiuesit gjithashtu mësuan se kokrrizat para-diellore shpesh notojnë nëpër hapësirë në grupe të mëdha. “Askush nuk e kishte menduar se kjo ishte e mundur në këtë shkallë,” shpjegoi Philipp Heck.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco