Shuhet aktori i madh shqiptar Birçe Hasko, një nga figurat më të spikatura të skenës dhe ekranit

Shuhet aktori i madh shqiptar Birçe Hasko, një nga figurat më të spikatura të skenës dhe ekranit

11:24, 23/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ka ndërruar jetë sot, më 23 maj, në moshën 84-vjeçare, aktori i njohur i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Birçe Hasko, një nga emrat më të dashur dhe më përfaqësues të artit skenik në vend.

Lajmin e kanë bërë të ditur kolegë dhe figura të artit shqiptar, mes tyre edhe aktori Mevlan Shanaj, i cili ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të Haskos, duke e cilësuar si një mjeshtër të interpretimit dhe një bashkëpunëtor të çmuar të skenës shqiptare.

Birçe Hasko u bë i njohur për publikun shqiptar përmes roleve të tij karakteristike, veçanërisht në personazhe komike dhe popullore, ku solli figura të paharrueshme në kinematografinë shqiptare. Ai interpretoi në mbi 30 filma dhe la gjurmë të rëndësishme edhe në teatrin shqiptar.

Ndër rolet e tij më të spikatura përmenden interpretimet në filmat “Njeriu me top”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Radiostacioni”, “Dhe vjen një ditë” dhe “I dashur armik”. Në filmin “Shkëlqim i përkohshëm”, ai u vlerësua me Çmimin e Dytë në Festivalin e Filmit.

I lindur në Dukat të Vlorës më 15 mars 1942, Hasko përfundoi shkollën e mesme pedagogjike “Jani Minga” në vitin 1961. Për disa vite punoi si mësues dhe drejtor shkolle në zona të ndryshme të jugut të vendit, përpara se t’i përkushtohej artit.

Në periudhën 1965–1969 ai studioi për aktor në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Pas diplomimit, nisi karrierën si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe më vonë shërbeu si dekan i Fakultetit të Artit Skenik në periudhën 1989–1994.

Në teatër, Hasko interpretoi në vepra të njohura si “Shi në plazh”, “Shtëpia me dy porta” dhe “Familja e peshkatarit”, duke u dalluar për stilin e tij origjinal interpretues dhe krijimin e karaktereve me ngjyrë popullore.

Për kontributin e tij të gjerë në art dhe arsim, ai është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Profesor” dhe “Mjeshtër i Madh”, duke u renditur ndër figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare.

Arti shqiptar humbi sot një prej aktorëve më përfaqësues të tij, ndërsa trashëgimia e tij artistike mbetet pjesë e historisë së teatrit dhe filmit shqiptar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco